Shteti-privat dhe topallizimi i institucioneve

redaktor

Nuk e kam të lehtë të flas për Akademikun e njohur Rexhep Qosja, dhe librin më të fundit të tij. Bëhet fjalë për një përmbledhje artikujsh, në një pjesë të madhe të botuar në shtypin e Shqipërisë e të Kosovës, por që tani janë përzgjedhur, sistemuar dhe i përcillen publikut të gjerë nga Shtëpi Botuese “Toena. Nuk e fsheh se leximi i këtij libri më është dukur si një udhëtim i bërë në një shoqëri të keqe dhe në një atmosferë të rëndë. Shoqëri të keqe, sepse personazhet kryesore të tij janë pushtetarë të papërgjegjshëm, mizorë e të korruptuar. Atmosferë të rëndë, sepse nëse një libër është një krijesë e nëse krijesa ka një shpirt, shpirti i këtij libri është jeta e vrarë e 4 shqiptarëve të ekzekutuar barbarisht në 21 janar 2011 nga “pretorianët” e një pushteti të korruptuar, të pashpirt e antishqiptar, në thelbin e tij. Dhimbja për Faik Myrtajn, Hekuran Dedën, Ziver Veizin dhe Aleks Nikën sillet e përsillet pothuaj në të gjitha faqet e këtij libri, si një mallkim për vrasësit dhe si një përkujtesë obliguese për gjithë shoqërinë shqiptare.

 

Shteti-privat

Libri është një analizë e hollë dhe e pamëshirshme politike e realitetit shqiptar në këta 20 e më shumë vjet të tranzicionit post-komunist. Prof. Qosja është i mendimit se pikërisht për faj të politikës, në Shqipëri është krijuar gjatë këtyre viteve, jo më një shoqëri pluraliste, d.m.th. demokratike, siç pritej dhe urohej nga të gjithë, por një shoqëri e përçarë. Forcat politike dhe sjelljet e tyre nuk përcaktohen asfare nga e mira e përgjithshme, shoqërore dhe kombëtare, siç është e udhës të ndodhë në një shoqëri demokratike; në të kundërtën, sjelljet e tyre përcaktohen nga interesat vetjake, lidhjet nepotike dhe përkatësitë partiake, fetare dhe krahinore.

Sjellja me shtetin si me një gjë private, pushtimi, apo siç parapëlqen të thotë Prof. Qosja, “topallizimi i institucioneve”, instalimi i kulturës së përjashtimit, persekutimit e deri eliminimit të kundërshtarit politik, e ka egërsuar, e ka shpërfytyruar shoqërinë shqiptare, ka sjellë shkretimin shpirtëror, zvetënimin moral të saj, dëshpërimin masiv, që manifestohet çdo ditë në arrogancën e pakontrolluar të krimit, në ushtrimin e pandëshkuar të dhunës, në rrugë e në familje, në braktisjen e pandalshme të vendit nga rinia shqiptare, në tkurrjen e shoqërisë brenda qerthullit përherë e më të ngushtë të indiferencës (mënjanësisë) dhe të një individualizmi të egër.

Frutet e hidhura të kësaj politike janë provuar gjatë gjithë periudhës së tranzicionit shqiptar, por në mënyrë të veçantë u provuan në 1997, kur politika e mprapshtë u përpoq ta zhvendosë konfliktin mes popullit shqiptar dhe një shteti-piramidë, në një luftë civile mes shqiptarëve, akoma më keq, në një luftë mes Veriut dhe Jugut, përpjekje e mbetur në tentativë për meritë të njerëzve të ndërgjegjshëm të këtij vendi. Shprehja më e freskët e tronditëse e kësaj politike antipopullore e antikombëtare është 21 Janari i vitit 2011, kur politika e Tiranës u shfaq me fytyrën e vet prej përbindëshi, ndërsa në muzgun e një proteste mbarëpopullore, vriste në bulevard 4 prej qytetarëve më të denjë të këtij vendi: të denjë në varfërinë, në shpresën e në angazhimin qytetar e demokratik të tyre.

 

Padi e mallkim

Ky libër është para së gjithash një padi e një mallkim ndaj atyre që, vranë për të trembur, vranë për të treguar se pushteti i tyre vlen edhe më shumë se jeta e sovranit. Nuk është një rastësi, që urdhërdhënësit e masakrës së 21 janarit 2011 janë gjithashtu autorët e gjëmave që kanë shënuar këta 22 vjet, se të bekuar a të mallkuar, të historisë së re të Shqipërisë, dhe që Prof. Qosja i kalon të gjitha në revistë. Ai nuk heziton t’i tregojë me emër e mbiemër shkaktarët e kësaj tragjedie kombëtare: në krye qëndron Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, urdhëruesi i vrasjes dhe apologjeti i vrasësve, njeriu që në këtë gati çerek shekulli ka shitur e plaçkitur vendin, ka zhbërë pasuritë e tij, ka .daravitur shpresën, ka mbjellë përçarjen, ka ulur dinjitetin, ka larguar Evropën. Dhe, ka vrarë.

E, si për të vulosur triumfin e së keqes mbi të mirën, guxoi në këtë 100-vjetor të Pavarësisë të përmbysë edhe historinë, të rrëzojë luftëtarët e të ekzaltojë tradhtarët e kolaboracionistët, t’i ngrejë deri përmendore shëmbëlltyrës së tij, mbretit Zog, që ashtu si ai, vrau e preu vetëm shqiptarë, ndërsa u shit e u qurravit tek armiqtë e Shqipërisë, tek serbi, tek greku e tek italiani.

 

Ndarja veriorë-jugorë

Dhe për të treguar vogëlsinë e vobegtësinë politike, morale e kombëtare të njeriut që prej 22 vjetësh dominon plot zhurmë e dhunë jetën politike të Shqipërisë, Prof. Qosja sjell figurën modeste të një politikani të Kosovës, Bexhet Pacollit, që rasti e solli të jetë vetëm për një javë President i shtetit më të ri në botë. Pikërisht në një nga ditët e asaj jave, Presidenti Bexhet Pacolli dijti të shprehë mu këtu në Tiranë, në Kuvendin e Shqipërisë, ato fjalë që kryeministri i Shqipërisë nuk ka ditur ose nuk ka dashur t’i shqiptojë në vitet e gjata të qeverisjes së tij: foli për shqiptarët si për një komb, pa bërë dallim midis atyre të Kosovës e të Shqipërisë, foli edhe për një “bashkimin kombëtar”, ndërkohë që S. Berisha dhe memurët e tij i kanë ndarë edhe ata pak shqiptarë që kanë mbetur në Shqipëri, në “veriorë” e “jugorë”, ndërsa si rezultat i papërgjegjshmërisë së tyre, mes Shqipërisë e Kosovës jo vetëm që nuk po intensifikohen proceset integruese, por po shfaqen edhe konfliktet e para për çështjet e energjisë apo për ato të tregtisë së qumshtit e të patateve.

 

“Pretorianët” e Kryeministrit

Por 21 Janarët e epokës së demokraturës shqiptare kanë, veç Kryeministrit, edhe plot e plot aktorë të tjerë të kobshëm: kanë aradhën e deputetëve, ministrave, kryegjyqtarëve, kryeushtarakëve e kryepolicëve: janë ata që Prof. Qosja i quan “pretorianët” e Kryeministrit, njerëz pa ndërgjegje e pa arsye, që janë kail të shajnë, të padisin, të vrasin e të rivrasin, sa herë që këtë ua kërkon shefi i tyre.

Janë më tej, rreshtat e shkencëtarëve, intelektualëve, shkrimtarëve që shfaqen si me komandë në lista, peticione dhe ekrane televizive, dhe gjithnjë në mbështetje të qeverisë. Janë anëtarët politikë të Akademisë, të Tiranës si dhe të Prishtinës, rektorët, dekanët e profesorët e universiteteve, janë drejtorët e mësuesit e shkollave, që nën presionin e jerarkëve të pushtetit, shkelin mbi statusin e tyre, përdhosin ligjin dhe, ç’është më e keqja, dhunojnë studentët dhe nxënësit e tyre, duke i deportuar në mitingjet e partisë në pushtet.

Janë paria e re kinse intelektuale e Tiranës, që si dikur mbush sallën e Teatrit të Operas ose të Pallatit të Kongreseve sa herë që udhëheqësi don të masë, nëpërmjet hozanarave dhe duartrokitjeve, shkallën e luajalitetit të tyre; ose që tubohet në konferenca solemne apo mbledhje përkujtimore për Nënë Terezën,  për Konicën dhe për Fishtën (gjithaq është panteoni i tyre), pa çka se asgjë nuk i lidh me humanizmin e së parës dhe me artin e fisnikërinë e të dytëve.

Janë aradhat e mediave të pushtetit, ato media, kujton Prof. Qosja, të cilat kanë marrë përsipër rolin që dikur mori në Gjermaninë naziste botuesi i gazetës raciste “Der Stürmer”, Julius Streicher, i cili jo më kot në gjyqin e Nyrembergut u shpall po aq përgjegjës për kasaphanën naziste sa edhe vetë Hitleri. Dhe u dënua me varje në litar. Të gjithë këta përbëjnë atë që Prof. Qosja e pagëzon si specia e “nënbishtorëve”, duke na çuar me fantazi në përpjekjet e dëshpëruara që bën miza e kalit për t’u fshehur e për tu prehur në atë vendin e ngrohtë, por të pëgërë, që gjendet diku nën bishtin e kafshës.

 

Populizmi egocentrik

Nuk ka qenë e vështirë për Kryeministrin Berisha, thotë Prof. Qosja, të  bëjë terbije e të nënshtrojë të gjithë këtë “faunë të pështirë rrëshqanësish njerëzorë”, ku përfaqësohet përunjësissht edhe “aristokracia”, edhe “oxhakësia”, edhe “bujaria”, edhe qytetaria, edhe inteligjenca, edhe bajraktaria shqiptare: me një fjalë, të gjithë ata që gjithmonë, hane-hane, më shumë se mendjen kanë çmuar xhepin, më shumë se popullin e tyre kanë çmuar të huajin. Një emër? Po ja, Prof. Qosja jep atë të Kryetares së Parlamentit, asaj që shoqëron me qeshje e përqeshje cinike çdo fjalë të ndyrë të shefit të saj. Dhe që Prof. Qoses i kujton figurën e kobshme të “varrëmihsit të tragjedive Shekspiriane”.

Lexuesi i librit “Shqipëria dhe Kosova: si janë e si do të duhej të ishin” ndesh në një rend ngjarjesh dhe situatash anormale, në një galeri personazhesh, gjithashtu anormalë. Krijues i kësaj anomalie të përgjithësuar është, për autorin,  vetë Kryeministri i vendit, një ish-komunist fanatik, që qeveris me të njëjtën teknologji komuniste që përdorte dikur si sekretar i Partisë së Punës. Ndaj, tipare dalluese të qeverisjes së tij janë despotizmi, mosbesimi, sharja, shpifja, denoncimi, persekutimi e sigurisht populizmi. Por, ndryshe nga populizmi stalinist që bazohej në një ideologji, populizmi i tij është egocentrik, kërkon të ngrejë veten duke depersonalizuar kundërshtarët, duke zgjuar veset dhe pasionet më të këqia të turmës: fanatizmin, urrejtjen tribale për tjetrin, mercenarizmin, servilizmin.

 

Pyetja “deri kur”

Në këto kushte, pyetja “deri kur”, me të cilën Prof. Qosja përmbyll disa nga shkrimet e tij, përfshin në debat edhe aktorin kryesor, popullin. Deri kur shqiptarët do pranojnë të poshtërohen, dhunohen, plaçkiten nga politikanët e tyre. Deri kur do i besojnë apo do i durojnë fyerjet që i bëhen inteligjencës së tyre, kur i gënjejnë për sukseset stratosferike të qeverisjes, kur i tregojnë përralla me Shqipëri dixhitale apo kur i zbulojnë puçe e komplote të opozitës, me çadra e stilolapsa pistoletë e me thika të helmatisura. Dhe kjo, në një kohë, kur shqiptarët shohin e jetojnë çdo ditë një Shqipëri tjetër, Shqipërinë që u tregon gazetaria kurajoze, Shqipërinë pa rrugë, pa drita, pa ujë e pa bukë, Shqipërinë e qeveritarëve, të pretorianëve dhe të nënbishtorëve të tyre, që vjedhin, plaçkisin, shkretojnë e shesin vendin e tyre, me det e me qiell, me tokë e me varre; që plaçkisin, rrahin e vrasin qytetarët e tyre, të cilët gjithnjë e vazhdimisht detyrohen të lenë vendin e tyre, për të gjetur më në fund Evropën, që pushtetarët e tyre ua mohojnë dhe ua largojnë sistematikisht.

Por deri kur shqiptarët do ta durojnë këtë gjendje? Këtë pyetje dramatike (“quousque tandem”), që Ciceroni ua drejtonte dikur qytetarëve romakë, ua kanë drejtuar qytetarëve shqiptarë edhe shumë miq të huaj, amerikanë apo evropianë, siç bënë së fundi ambasadorët e Hollandës apo të Danimarkës, të cilët u larguan nga Shqipëria të pataksur nga bëmat e qeverisë, por edhe të habitur, ndoshta edhe të neveritur, nga apatia e pashpjegueshme e shqiptarëve.

Vetëkuptohet, ndjenja të tilla i ndjejmë edhe ne vetë shqiptarët, i ndjen më së pari, më së forti e më së shumti edhe Prof. Qosja, i cili në një moment të caktuar, i ndodhur përballë shurdhërisë e servilizmit kolektiv, shpërthen në fjalët: “Medet për ne! Medet për mua! Tash pesëdhjetë vjet bëj punë prej Sizifi: të gjitha betejat kundër servilizmit i kam humbur”!  Dhe megjithatë është herët për t’u dorëzuar. Do të vijë edhe koha e arsyes, konkludon në mënyrë optimiste Prof. Qosja. Populli do të zgjohet. Dhe atëherë, autorët e bëmave dhe të çbëmave të këtyre viteve të çmëndura, do të vihen përparaa përgjegjësisë. Sepse, përfundon me Eskilin autori i veprës, “nga çdo e drejtë e nëpërkëmbur, lind një borxh për t’u paguar”.

Share This Article
7 Comments
  • Duke lexuar rrjeshtat e shkrimit te mesiperm them : Jo ! Shqiperia nuk ka vdekur..!!
    Faleminderit Prof.Qosja,Faleminderit Prof.Xhufi,Faleminderit Gazeta “Dita”,Faleminderit Adrian Thano,Faleminderit gazeta “Tema”,Faleminderit Mero Baze,Faleminderit “Shqiptarja.com”,Faleminderit Anila Basha..

    • Faleminderit te gjithe atyre mendjeve te arsyeshme,qe e kan kuptuar se nenbishtorve te Berishes ju ka ardhur fundi
      Faleminderit Top Channelit.
      Faleminderit shtypi i lire atdhedashes.
      Tu rrit ndera Profesor Rexhep Qosja

  • Vicidoli ka dashur gjithmone te beje nje Kore e Veriut / Kore e Jugut Shqiperine kur pushteti po i rreshkiste nga duart.

    Nder bemat e tij kane qene :

    Nuk ka qene kurre demokrat dhe kurre nuk ka menduar per Shqiperine/Shqipetaret

    Ka tradhetuar Kosovaret qe ne vitin 1993

    Ka pasur lidhje me klanet Serbe

    Ka thyer embargon per tu pasuruar vete

    Ka vjedhur dhe lejuar vjedhjen e popullit Shqipetar nepermjet skemave piramidale

    Ka vjedhur/deformuar zgjedhjet ´96 dhe ka vazhduar ta beje gjithmone ate

    Ka dashur te shtype demonstratat me dhune e vrasje

    Ka deklaruar se populli eshte rrebel ne 1997 , nuk ka pasur mbeshtetjen e ushtrise , pasi ketyre u hyri frika ne palce nga rrevolta popullore , perndryshe do kishte kthyer Shqiperine ne shtet Islamik si Irani vetem qe te mbante pushtetin

    Ka pasur gisht ne vrasjen e A.Hajdarit , dhe ky nuk ishte rasti i vetem i prapaskenave vrastore , dhe me arkivolin e tij ne duart e mbeshtetesve te tij ka bere puc shteti

    Ka vrare , vjedhur , rrenuar Shiperine dhe Shqipetaret qe nga viti 2005 deri tani si kurre me pare ndonje diktator tjeter ne historine e Shqipersie.

    Ka vrare se bashku me familjen e tij 26 persona ne nje dite te vetme ne Gerdec dhe ka vrare psikologjikisht te gjithe familjaret e tyre dhe popullin Shqipetar me drejtesine qe ja mohoi sic mohi baxhanakun e tij per te fshehur familjen e tij te inkriminuar ne kete krim

    Ka vrare 4 demonstrues ne mes te dites dhe ne mes te bulevardit dhe ka vrare demokracine Shqiptare me fshehjen e vraseve , provave , argumentave , fakteve.
    Ka rivrare familjaret e viktimave/deshmoreve te demokracise dhe mbare popullit demokratdashes Shqipetar me lirimin e vraseve te dt 21 Janar !

    Shqiperise dhe Shqipetarve nuk u duhen 100 vitet e ardheshme njerez si S.Berisha , F.Nano , I.Meta ne pushtet sepse u duhen shume vite rimekembje me njerez qe kane vizione perendimore e jo klanore/mafjoze-perPARA-me shpejt perPARA ect ect

  • Shqiperia nuk ka vdekur, por eshte ne gjendje koma. Per te dale nga kjo gjendje, eshte vota dhe ruajtja e saj me 23 Qershor, ditet e diktatorit dhe te topallizimit te institucionev jane te numeruara. Te drejtat ne Shqiperi nuk jane neperkembur, por jane vrare, keshtu lind e drejta e me shume se nje borxhi per t’u paguar. Faleminderit Prof. Qosja e disa te tjereve dhe ato gazeta e gazetar kurajoz po harruar Tv Top Chanal qe kane rrezikuar jeten dhe familjet e tyre per te treguar fytyren kriminale te Sali Berishes dhe shtetit policor e te pushtetve qe ai drejton si Monark.

  • Ky shkrim dhe te tjera te Profesor Rexhep Qosja jane hymne per ne shqiptaret.Deri kur thote profesori i nderuar Qosja ,shqiptaret do te trejtohen nga drejtuesit e tyre si kafshet?Kur do ta kuptojne shqiptaret qe te ngrihen kunder cdo lloj tiranie?Koha per tu ngritur kunder tiranise eshte sot,prandaj o burrani dhe gra shqiptare te ngrihemi kunder kesaj tiranie qe na ka pllakosur qe ta shporrim diktatorin e fundit komunist ne Evrope.Skemi cfare te humbim me.Pa pune,pa buke,krimi ne nivelet me te larta,pasiguria per jeten ,humbje e shpreses ,shkaterrimi i vendit,shitja dhe flja e tij per interesat e Kryeminsitrit dhe te Zhelefines etjetj.Çohuni shqipetare prej gjumit,çohuni sa nu eshte shume vone.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *