Ish-liderja e grupit “Grifsha”, sot vetëm, por e fortë! Na ka rrëfyer që bën jetën që do, është moskokëçarëse. Për marrëdhënien me Bojkenin e di që është paragjykuar, por ka vazhduar dhe sot, është kjo që është…
Semi Jaupaj është një vajzë “grifshë”, të paktën kështu e njohin të gjithë nga emri i grupit ku edhe ka bërë pjesë, tani jo më. Ajo është këngëtare, dhe ka rënë gjithmonë në sy për pamjen e saj të veçante dhe ekstravagante. Më pas u bë e njohur edhe për lidhjen me Bojken Lakon ku sot janë një çift i lumtur, qoftë artistikisht, por edhe në jetën e tyre private. Sapo ka filluar studimet për grafikë dhe ndihet e mirë në atë botën e saj. Sot, Dita ka folur me Semin për të zbuluar më shumë nga natyra e saj rebele dhe prej… Grifshe.
Semi, na tregoni si fillim me se po merresh aktualisht, një këngë, një projekt në dorë?
Për momentin po punoj për një këngë pjesëmarrëse në festivalin “Kënga Magjike”.
Ju për çfarë i vazhdoni studimet dhe përse keni zgjedhur këtë degë?
Kam zgjedhur degën e grafik dizajn. Në fakt kam zgjedhur këtë degë pasi ka në total të gjithë multimedian dhe kryesoren për mua, videon.
Në pamje duken një vajzë rebele. A jeni kështu në jetën e përditshme?
Vajzë rebele? Në fakt kjo fjalë ka një kuptim të gjerë. Do thoja më shumë moskokëçarëse dhe fare rehat me gjërat që bëj.
Sa rebele jeni në profesion dhe sa tolerante jeni në përgjithësi?
Tolerante mendoj se jam mjaftueshëm, aty ku duhet të jem patjetër, por ka dhe nga ato momente ku të ngrihen nervat dhe thua” jo” pa e menduar shumë atë (qesh)
Sa “grifshë” je në përgjithësi?
Mjaftueshëm.
Në cilat raste bëhesh më shumë grifshë?
Kur më marrin atë që më takon…
Jeni këmbëngulëse si natyrë apo…?
Preferoj t’i shkoj gjerave deri në fund përveç rasteve kur njeriu duhet të tërhiqet për një arsye apo një tjetër…
Të jesh femër sot dhe për më tepër me një natyrë si puna juaj, është e vështirë?
Mendoj se në vitet që jetojmë, në parim ka ndryshuar mentaliteti që një femër s’mund të bëjë diçka sepse nuk e bën dot më mirë se një mashkull. Por me një karakter të caktuar, të fortë këmbëngulës dhe moskokëçarëse mendoj se duhet pak punë me veten.
Cila është gjëja me e “çmendur” që keni bërë deri më tani dhe pse e keni ndërmarr këtë veprim?
Gjeja më “e çmendur”? Gjëra të tilla bën çdo njeri në mënyrën e vet. Një nga ato të miat ishte të rrija 2 vite pa nisur ende shkollën e lartë pasi doja të njihja veten dhe talentet e mia. Ishte një vendim i rëndësishëm dhe duhej të merrte rëndësinë e duhur që i duhej dhënë, pasi në të është gjithë e ardhmja jote.
Jeni paragjykuar për marrëdhënien tuaj me Bojkenin dhe si e keni kaluar fazën e parë?
Tani që jam paragjykuar e di! Por që s’më ka rastisur të dëgjoi opinionet e njerëzve që kanë qenë disi kundër me këtë, pasi njerëzit që më rrethojnë e dinë se si jam unë dhe se si ka qenë në të vërtetë kjo lidhje. Nuk bëj gjera në të cilat gabimet janë më evidente, pavarësisht se edhe mund të gabohet, por unë jam njeriu që dhe pse s’dukem e mendoj vërtet shumë para se të bëj diçka.
Familja juaj, çfarë mendoi?
Familja ime hyn tek njerëzit që më njohin mirë, besoj. Dhe me pak mundim besoj se ia kam dalë t’i shpjegoi mbi dashurinë tonë.
Semi, çfarë gjen më shumë në gardërobën tuaj, çfarë stili veshje?
Këto kohë mund t’i gjesh të gjitha, dhe ndonjë fustan klasik tek-tuk, por që kurrë nuk i bie rasti të vishet, përjashto ato rastet me kod veshjeje, por në përgjithësi rroba më shumë ngjyra dhe xhinse të grisura. Dhe pse shumica mendojnë se përgjigja duhej të ishte xhupa lëkure dhe pantallona lëkurë, në fakt, jo.
Çfarë nuk do të vishje kurrë?
Një fustan e xixa.
Sot (dje) është dita botërore e vajzave… çfarë ndjesie u jep?
Në fakt ndjesitë janë të shumta. Janë ato fluturat tek stomaku kur njeriu i përjeton kur ka rënë në dashuri. Jam e lumtur me veten time dhe nëse do më kishte pyetur një forcë e mbinatyrshme se çfarë do doja të isha kurrë të dilja në jetë padyshim që do zgjidhja të qenurit, një vajzë. Për gjithçka, mënyrën se si i përjetojmë emocionet për gjënë më të shtrenjtë që na benë të qënurit nënë dhe për faktin së… mund të bëjmë make up (qesh).
Mendoje se jeta kalon shumë shpejt, aq shpejt sa nuk e mbaj mend kur kam qenë një fëmijë, megjithëse s’ka shumë vite që kam reshtur së qeni një e tillë, dhe për këtë arsye apo për arsyen kryesore që njeriu vjen në jetë, për t’i provuar të gjitha, ndaj është një qenie e veçantë nga të tjerat. Jeto pa stres, pa qejfmbetje dhe mos e mbaj mend gjatë hidhërimin. Thjesht jeto në maksimum të gjithë gjerat që të lumturojnë dhe mundohu të mos i lesh të shkojnë.
Ju tremb fama?
Jo aspak, për momentin jo..
Çfarë është lumturia absolute për ju?
Familja ime. Mashkulli që kam në krah, muzika dhe jeta e thjeshtë me hipje dhe zbritje nëpër urban.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Një telefonatë nga mami që më kujton çdo ditë se ka një arsye që duhet ta gëzoj jetën: dielli i mëngjesit..
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Sot, në shkollë.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Shumë miqësore.
Defekti juaj kryesor?
Shumë këmbëngulëse në atë që mendoj.
Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?
Ndaj gënjeshtrave të bardha ose ndryshe, gënjeshtrave thjesht për të dalë nga situata.
Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Mua personalisht më pëlqen një faraone egjiptiane, Nefertiti..Nuk e di sa mund t’i ngjaj, por është një nga to vajzat me karakter të fortë dhe e suksesshme.
Udhëtimi juaj i preferuar?
Në verë të këtij viti. Ishte një udhëtim në Romë me Bojkenin.
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Duhet të ketë shumë në fakt… Sinqeriteti, durimi, dhe dashurinë për mua (qesh)
Tek një grua?
Vetëbesimin,dhe karakterin e fortë.
Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
“I’m sexy and i know it” (qesh).
Ngjyra juaj e preferuar?
E verdha.
Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Duetin tim me Jessie J. (qesh). Nuk e di në fakt, nuk mendoj se ka ardhur akoma suksesi im më i madh.
Pija juaj e preferuar?
Rakia e rrushit, bëj shaka. Lëngjet e frutave në përgjithësi.
Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Tradhtinë dhe flokët e mia të djegura (qesh)
Frika juaj më e madhe?
Përplasja e avionit më të cilin udhëtoj.
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Atëherë kur jam zgjuar vonë dhe si pasojë vonohem për diku, them se kishte trafik, por është nga ato gënjeshtra që s’e ha më njeri dhe mendoj se duhet ta ndërroj.
Cila është motoja juaj?
Në fakt fjalitë e bukura apo të vjedhura nuk më vjnë në mend, por mendoj se motoja ime është ajo jetë që unë bej. Ashtu sicc e jetoj jetën, pa pendime dhe duke dhuruar shumë dashuri. Ka mjaftueshëm për të dhënë.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Në gjumë, për 3 sekonda kur të vijë momenti im.
Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
E lumtur, e lumtur dhe shumë e lumtur (qesh).

KJO ESHTE NJE NJERI I MIRE DHE NUK AFRON ME ” GRIFSHEN ” SE NENA E KA LINDUR THELLENXE MALI
Kjo eshte grifshe ne zerin e saj, ka nje ze rroku, qe deri tani si afrohet asnje kengetare shqiptare.