Bashkëbisedim me redaksinë

redaktor

Një vërejtje dhe një përgjigje për Blushin

 

Përshëndetje z.Thano! Do të doja të komentoja gjatë artikullin e Blushit. Ka shumë këndvështrime në të, por pasqyrimi i thelbit në atë shkrim nuk mund të pasqyrohet me një struc që fsheh kokën. Un jam një lexues i rregullt i kësaj gazete, kam ndarë me kënaqësi tematika dhe problematika që ju mjeshtërisht i keni trajtuar. Unë artikullin e lexova. Strukturalisht ishte shumë i bukur. Në përmbajtje, fatkeqësisht, edhe më i bukur. Fatkeqësisht pasi është një artikull me shumë të vërteta. Unë nuk e di si e sheh ti Rilindjen sot, por ashtu si për Blushin, edhe për mua tashmë po asistojmë në funeralin e tij. Unë jam nga ata që Rilindjen e besova dhe e votova. Kam bërë edhe më tepër se kaq, më beso, pa kurrfarë interesi. Këtë të fundit disa e shohin si personale. Unë e shoh disi më universale. Më beso i dashur Adrian, njëherë që jemi takuar bashkë, dikur, ju rrezatonit besueshmëri dhe vërtetësi në atë çka thoshit. Më lejo pra të them që te komenti i DITA-s mbi atë ç’ka shkruar Blushi, jeni, në rastin më të mirë, i gabuar. Me respekt, Eris Goce

 

 

Alqi Koçiko:

 

Përshëndetje Eris, në mungesë të Adit për disa ditë por në konsultim me të, në këtë rubrikë po të përgjigjem unë, zv.kryeredaktori. Jo thjesht pse një reagim i sinqertë si i juaji, aq më tepër si lexues ynë i rregullt, meriton një sqarim nga redaksia, por sepse sqarimi u drejtohet gjithë ndjekësve të kësaj gazete. Nëse e keni lexuar me kujdes analizën e z.Koka, ai ripohon shumë e shumë defekte të kësaj qeverisjeje, jo thjesht duke ndarë në dy grupime dhe vendosur nga një epitet “ngjitës” qeverisësve dhe njerëzve pranë tyre, por duke i renditur ato konkretisht. Më lejo t’ju kujtoj se ndër kritikuesit e parë të disa veprimeve të mazhorancës ka qenë DITA, me titullin “Pak më majtas”; kemi ekspozuar ministra e dikastere, institucione dhe ente qeveritare. Funeral ose jo, mazhorancës po i mblidhen shumë problematika një pjesë e të cilave janë shkaktuar për faj të saj, një pjesë nga rrethanat ekonomike rajonale etj. Por le ta lëmë mënjanë këtë pjesë. Qeveria, pavarësisht nëse dikush ka kontribuar për ardhjen e saj në pushtet ose jo, ka për detyrë të mirëqeverisë, të sigurojë zbatimin e ligjit dhe mirëqenien e gjithë qytetarëve. Të parën, besoj se nuk kanë munguar disa arritje; tek e dyta ka shumë rezerva, nga shumëkush.

Tani vijmë tek z.Blushi. Është fat që PS ka një deputet e politikan të tillë, e po kështu mund të thuhet për lexuesit që kanë gjetur një publicist e shkrimtar të pazakontë. Ngjan se deri tani, më shumë e kanë shijuar të dytët. Rezervat e artikullit me Blushin nuk janë tek kritika e tij ndaj qeverisjes apo menaxhimit të munguar të jetës partiake në PS; largqoftë. Problemi është se Blushi është pjesë e rëndësishme e PS-së dhe mesa dimë i është ofruar pjesëmarrje në ekzekutiv; pozicioni i soditësit që një herë në kaq kohë godet me një artikull të fortë, është shumë komod po njëherazi disi i pandershëm kundrejt elektoratit; pra edhe kundrejt teje. Do të doje ti Eris, që një politikan të këtij rangu të shpotisë një herë në kaq kohë, apo të kritikojë, ekspozojë, bëjë thirrje për korrigjim, propozojë zgjidhje të tjera etj, vazhdimisht? Besoj se është kjo e dyta. Jo thjesht për PS-në, por për çdo parti politike. Sa për idenë e strucit, jo të gjitha ilustrimet e kopertinave qëllojnë. Por nuk besoj se është ky rasti më “flagrant”, pasi kemi dashur të theksojmë idenë që struci duhet ta nxjerrë më shpesh kokën nga rëra, jo vetëm në prag zgjedhjesh, siç vë në dukje autori. Të uroj gjithë të mirat.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *