Letër e nënshkruar
Preng Pjetri.
Toleranca dhe bashkëjetesa fetare midis komuniteteve në Shqipëri është vërtet dukuri e rrallë për popujt e Ballkanit dhe me gjerë. Një demonstrim emancipues dhe shumë njerëzor, që pa dyshim pasqyron vlera të shkëlqyera qytetare. Jemi popull model në këtë planet ku për fatin e keq sektet fetare në bote shpesh herë janë iniciues dhe nxitës të dhunës dhe terrorit.
Mirëpo edhe ne i kemi huqet dhe veset tona negative, shpesh herë sjellin pasoja mjaft të rënda dhe dramatike deri tek ato ekstremet te fërkimet fizike. Madje në ndonjë rast sporadik edhe eliminime fizike të kundërshtarit. Të atij kundërshtari që mendon ndryshe nga pikëpamja politike, kjo dukuri rrënqethëse është trashëgimi e kah moçme.
Ky virus edhe pse është i lehtë për t’u eliminuar kategorikisht, aktorët e politikë bërjes dhe ligjvënësit tanë nuk kanë bërë asgjë në këtë aspekt. Nuk është aspak e vështirë të bësh një ligj që të ndëshkohen rëndë jo vetëm ata që kryejnë një krim të tillë, por pikësëpari nxitësit dhe frymëzuesit e tyre.
Një akademik perëndimor ka thënë: “partitë janë mortja e kombit”. Nëse është i drejtë ky përkufizim, kush i ndalon ligjvënësit tanë t’i sanksionojnë këto dukuri me ligj? Është absurde që në një çift bashkëshortësh, njeri kandidon për këshilltar njësie i të majtës dhe tjetri lobon pa reshtur për të djathtën.
