Bashkëpunimi i Shqipërisë me 4 vende të Rajonit për paketën e përbashkët të trajnimit mbi SME dhe sipërmarrjen sociale

Pranvera Kola

Përgjatë gjithë historisë së saj, Shqipëria ka qenë sa pranë Evropës gjeografikisht, po aq larg ekonomikisht dhe politikisht. Në 1990, me rënien e regjimit komunist, Shqipëria klasifikohej si një nga tre vendet më të varfra të planetit. 27 vjet pas rënies së regjimit komunist dhe instalimit të demokracisë, si një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së, Shqipëria bën përpjekje të arrijë standarde të krahasueshme me vendet evropiane në të gjitha fushat, duke filluar nga legjislacioni, liria dhe zhvillimi ekonomik.

Ekonomia ka kaluar përmes një tranzicioni të vështirë nga ekonomia e centralizuar komuniste drejt një ekonomie të hapur tregu. Megjithatë, edhe pas pothuaj tri dekadash nga ndryshimi i sistemit politiko-ekonomik, Shqipëria vazhdon të përballet me probleme shqetësuese të varfërisë, papunësisë dhe pabarazisë.

Për të targetuar më mirë varfërinë dhe për të ndërmarrë politika konkrete për reduktimin e saj, në vitin 2010 Qeveria shqiptare ftoi “Grameen Creative Lab”, në bashkëpunim me nobelistin Yunus, për të kryer në Shqipëri një studim për të vlerësuar problemet e mprehta sociale dhe adresimin e tyre, nëpërmjet mekanizmave të qëndrueshëm dhe vetëfinancues.

Në vazhdim të këtyre përpjekjeve, në 2011 u ngrit Agjencia “Nxitja e Biznesit Social në Shqipëri”, misioni i të cilës ishte ndihma në përmirësimin e politikave të mbrojtjes sociale të Qeverisë. Ishte pikërisht ky viti në të cilin sipërmarrja sociale hyri më gjerësisht në fjalorin social dhe ekonomik në Shqipëri.

Në vijim të ndryshimeve ligjore për një qasje të re ndaj problematikave sociale, në vitin 2016 parlamenti miratoi ligjin “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”. Pavarësisht debatit që ndezi në mesin e atyre pak sipërmarrësve sociale dhe të shoqërisë civile, me zëra pro dhe kundër, ky ligj u konsiderua si një hap i rëndësishëm në institucionalizimin e përpjekjeve për mbështetjen e grupeve të margjinalizuara, të cilat vuajnë nga përjashtimi social dhe mosintegrimi në tregun e punës.

Sipas parashikimeve të vetë ligjit, pritej që brenda gjashtë muajsh nga miratimi i tij, të hartoheshin dhe miratoheshin aktet nënligjore që do ta bënin të zbatueshëm. Por vetëm në 31 janar 2018 u miratua VKM: “Mbi përcaktimin e kategorive konkrete të grupeve të pafavorizuara”, i pari vendim në zbatim të ligjit, në të cilin përcaktohet lista e kategorive të grupeve të pafavorizuara që mund të përfitojnë nga veprimtaria e ndërmarrjeve sociale.

Megjithatë, që ligji të bëhet 100 për qind i zbatueshëm nevojitet të hartohen dhe miratohen edhe aktet e tjera nënligjore, në të cilat të përcaktohen procedurat dhe dokumentacioni për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale, krijimi i regjistrit të ndërmarrjeve sociale, mënyra dhe format e mbështetjes nga entitet publike, etj.

Po cili është ndryshimi i ndërmarrjes tradicionale nga ndërmarrjet sociale, veprimtaria e të cilave duhet të rregullohet me një ligj të veçantë? Bizneset tradicionale synojnë kryesisht zgjidhjen e çështjeve në fushat e industrisë dhe shërbimit. Sipërmarrja sociale është një proces i ngjashëm, i drejtuar nga njerëz të quajtur sipërmarrës socialë, të cilët kanë për qëllim zgjidhjen e çështjeve sociale, kulturore ose mjedisore. Qëllimi përfundimtar i një sipërmarrësi tradicional është të krijojë pasuri, të mira ekonomike, ndërsa qëllimi përfundimtar i sipërmarrësve socialë është të përmbushin misionin e tyre shoqëror.

Sipërmarrja sociale është një koncept modern. Në vendet e zhvilluara, ndërmarrjet sociale zhvillohen më shpejt sesa aktivitetet e financuara nga qeveria. Kjo është një nga arsye që mbështetja për to është e madhe jo vetëm nëpërmjet politikave, por edhe skemave financiare mbështetëse. Në botën në zhvillim, ku hyn edhe Shqipëria, sipërmarrjet sociale synojnë të përmirësojë fushat që nuk kanë mbështetjen e qeverisë.

Tashmë në Shqipëri janë ngritur modelet e para të suksesshme të biznesit social, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera në veri dhe jug të vendit. Disa prej sipërmarrësve socialë shqiptarë janë vlerësuar për iniciativën, kreativitetin, inovacionin dhe suksesin e tyre me çmime dinjitoze edhe nga institucionet evropiane. Megjithatë, në Shqipëri nocionet sipërmarrje sociale, ndërmarrje sociale dhe biznes social janë ende të reja dhe pak të përhapura.

Vetë Bashkimi Evropian dekadën e fundit është fokusuar në zhvillimin e politikave mbështetëse për sipërmarrjen sociale. Prej vitit 2011, BE po zhvillon instrumente dhe programe specifike për mbështetjen teknike dhe financiare të zhvillimit të sipërmarrjeve sociale në të gjitha vendet anëtare dhe jo vetëm.

Me mbështetjen e BE, në kuadër të programit Interreg Balkan-Mediterranean 2014-2020, në Shqipëri dhe katër vende të tjera të rajonit, Bullgari, Greqi, Maqedoni dhe Qipro, po zbatohet Projekti “INNOVENTER – Trajnimi Profesional Inovativ i Sipërmarrjes Sociale”, i cili ka në qendër të tij krijimin e një kornize trajnimesh për të promovuar kompetencat dhe aftësitë e sipërmarrësve socialë.

Projekti dy-vjeçar fokusohet në krijimin e një pakete trajnuese profesionale në fushën e sipërmarrjes sociale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), duke synuar mbështetjen e tyre për të përmirësuar organizimin e brendshëm dhe, në të njëjtën kohë, për rritjen e ndjeshmërisë sociale të tyre nëpërmjet punësimin në to, të personave më pak të favorizuar në tregun e punës.

Ky projekt vjen në të njëjtën linjë me politikat dhe aksionin më të fundit të Qeverisë për uljen e varfërisë dhe krijimin e mundësisë për formim profesional dhe punësim të kategorive më të margjinalizuara, të tilla si të papunët afatgjatë, individët, kryesisht gratë dhe të rinjtë, nga familjet me të ardhura të ulta, apo pa të ardhura, personat me aftësi të kufizuara, etj.

Sjellja së bashku e pesë vendeve të rajonit nën një modul të përbashkët trajnimi do të jetë një mjet efektiv në krijimin e modeleve të suksesshme, pasi në vendet tona problematikat janë të ngjashme dhe kërkojnë veprime, ndërhyrje dhe zgjidhje të koordinuara.

Projekti “Innoverter” synon ngritjen e një rrjeti bashkëpunimi mentorësh ndërkombëtarë, të cilët do të marrin pjesë në zhvillimin, ose ngritjen e sipërmarrjeve të reja, në vendet pjesëmarrëse në projekt, përfshi edhe Shqipërinë. Kjo do të thotë krijim i një klase sipërmarrësish me aftësi dhe vlera të njëjta me homologët e tyre në vendet e Bashkimit Evropian dhe me ndjeshmëri sociale të rritur, të cilët janë garanci jo vetëm për sukses personal, por edhe shoqëror.

Në vendet në zhvillim, si Shqipëria, sipërmarrësit, ashtu si vetë komuniteti, mendojnë se zgjidhja e problemeve mjedisore, shëndetësore, edukuese dhe sociale janë përgjegjësi e shtetit dhe vetëm e tij. Kështu që, shkëmbimi i eksperiencave me vende të tjera me mentalitet më të zhvilluar në këtë fushë, do të jetë një kontribut i vlefshëm në fushën e sipërmarrjeve të tipit SME, duke çuar në një stad të ri zhvillimin e tipit të sipërmarrjeve sociale, si një element i rëndësishëm në përgjigje të zgjidhjes së çështjeve sociale.

p.k/dita 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *