Dr. Aida Zhupa
Studimet të shumta në fushën e edukimit kanë treguar se një nga kushtet për arritjen e një arsimimi të suksesshëm të fëmijëve është përfshirja e prindërve në këtë proces. Prej disa vitesh institucionet qendrore të arsimit në Shqipëri kanë hartuar udhëzues dhe strategji, lidhur me standardet që duhet të përmbushë shkolla për një bashkëpunim sa më të ngushtë dhe të efektshëm me prindërit. Zhvillimi i partneritetit mësues-prindër do t’i shërbente përmirësimit të punës për zhvillimin e potencialit të plotë të çdo nxënësi. Për të analizuar shkaqet kryesore të hendekut mes synimit të reformave dhe nivelit të përfshirjes dhe bashkëpunimit të prindërve me shkollën, duhet të përqendrohemi në disa nga përvojat që kanë shkollat tona në këtë aspekt. Një nga praktikat më të hershme, që vazhdon edhe sot, janë takimet me prindër, që supozohet të zhvillohen çdo muaj, por që realisht kryhen shumë rrallë dhe ku përfshirja e prindërve është shpesh formale, jointeraktive. Çështjet që diskutohen më shumë janë disiplina e nxënësve dhe rezultatet në mësime. Në përgjithësi, mësuesit mbajnë kontakte më të shpeshta me prindërit e nxënësve “problematikë”. Në këtë mënyrë anashkalohen shumë fenomene të tjera që shoqërojnë zhvillimin e fëmijëve si personalitete unike dhe që kërkojnë një vëmendje të qëllimshme si nga prindërit, ashtu dhe nga mësuesit. Vështirësitë e socializimit në grup, fatkeqësisht po shtohen dita – ditës. Numri i madh i nxënësve në klasa dhe mjedisi heterogjen social-kulturor, krijon probleme dhe vështirësi në përshtatjen e fëmijëve dhe adoleshentëve me njëri-tjetrin, që reflektohet më pas te marrëdhënia me mësuesit dhe prindërit. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se ekziston një korrelacion pozitiv mes përfshirjes së prindërve në jetën e shkollës dhe arritjeve në mësimnxënie. Përvoja tregon se nxënësit, prindërit e të cilëve interesohen dhe janë aktivë në lidhjen e tyre me shkollën, kanë ecuri më të mirë në mësime. Nga ana tjetër, fëmijët, veçanërisht ata me rezultate të ulta, ndihen mirë kur prindërit tregojnë interes për shkollën dhe mësuesit e tyre.
Çfarë mund të bëjmë më mirë? Duke vlerësuar rolin e tre komponentëve të trekëndëshit mësues-nxënës-prindër, drejtoritë dhe stafet pedagogjike nevojitet të hartojnë një plan pune vjetor, me objektiva dhe qëllime të qarta dhe të mundshme për kushtet dhe specifikat e shkollës.
Për mësuesit: Shkolla mund të zhvillohen trajnime të brendshme, për gjetjen e rrugëve dhe metodave të një komunikimi sa më të frytshëm dhe bashkëpunues me prindërit. Në fakt, ekzistojnë këshillat e prindërve, por shpesh vetëm formalisht, sepse në shumicën e rasteve nuk ka pjesëmarrje të përfaqësuesve të tyre në vendimmarrjen e shkollës, lidhur me problematika të ndryshme që e shqetësojnë atë.
Për prindërit: Përfshirja e prindërve në jetën e shkollës do të ndihmonte në mbarëvajtjen e të gjitha aspekteve të saj. Çfarë duhet kuptuar me “përfshirje të prindërve në shkollë”? Prindërit kanë të drejtë ligjore të njihen me të gjitha rezultatet shkollore të fëmijëve, të ndjekin sjelljen dhe të përfshihen në vendimet që merren në lidhje me ta. Por, nga ana tjetër, prindërit kanë përgjegjësi për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre. Duke njohur nga afër jetën e shkollës, ata do ta kenë më të lehtë të kuptojnë nevojat e fëmijës, të njohin programet edukative që zhvillohen dhe të ndërgjegjësohen për përgjegjësitë dhe të drejtat e tyre për çka ndodh brenda këtij institucioni. Për arritjen e këtij qëllimi rrugët janë të shumta, por, fillimisht, prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin që ata kanë dhe për rëndësinë e komunikimit me mësuesit. Këtu mund të ndihmojë vetë shkolla përmes trajnimeve të organizuara për prindërit. Në vazhdim po iu japim si model, punën e zhvilluar në një nga gjimnazet e Tiranës, New York High School, ku prej rreth pesë vitesh funksionon “Shkolla e prindërimit”. Çfarë është në të vërtetë ky program dhe cilat janë disa nga objektivat e tij?
Të qënit prind konsiderohet si një nga detyrat më të vështira, për të cilën nuk merret një arsim specifik, por ndiqen modelet që ofron familja dhe shoqëria. Për këtë arsye, sot, flitet shumë për edukim të prindërve. Shkolla e prindërimit mund të drejtohet nga psikologu shkollor, sikurse bëhet në gjimnazin NYHS, në bashkëpunim me mësuesit e shkencave të ndryshme shoqërore, në përshtatje me problemet që trajtohen. Konkretisht, në këtë shkollë, në bashkëpunim me drejtorinë dhe stafin e mësuesve, fillimisht miratohet plani i punës, me tematikat përkatëse të trajnimeve që do të zhvillohen, të cilat iu bëhen të njohura prindërve në fillim të vitit shkollor. Seancat trajnuese zhvillohen çdo muaj përpara takimit me prindër. Programi ka si synim “Prindërimin e suksesshëm”, përmes njohjes me: – ndryshimet psiko-fizike dhe sociale të adoleshentëve; – rrugët për menaxhimin e stresit, zemërimit dhe konflikteve; – shprehi dhe praktika të përshtatshme të sjelljes, sipas moshës dhe temperamentit të fëmijës; – objektiva të qarta për të jetuarit pozitiv dhe orientimin e karrierës etj.
Për nxënësit: Nevojitet t’i kushtohet vëmendje e veçantë nxënësve, pasi roli i tyre si ndërmjetësues në këtë marrëdhënie kaq aktive dhe komplekse, është mjaft i rëndësishëm. Është e nevojshme që psikologu shkollor të zhvilloj takime me ta, për t’i ofruar një shërbim të specializuar për të gjitha problemet me të cilat ata mund të ndeshen. NHYS, edhe në këtë drejtim, jep një shembull pozitiv dhe konkret. Takimet me psikologun zhvillohen çdo javë mësimore, të alternuara sipas klasave, por kjo mundësi ofrohet edhe individualisht për raste të veçanta, bazuar te nevojat që nxënësit shfaqin. Disa nga tematikat që trajtohen në këto takime janë: – Të kuptojmë emocionet tona dhe të të tjerëve; – Të mendojmë qartësisht; – Si të menaxhojmë stresin dhe ankthin; – Të jetuarit shëndetshëm; – Vendosja e objektivave të qartë dhe realë për të ardhmen etj.
Për ta përfunduar mund të themi, se ka ardhur koha që të ndryshojë mentaliteti i njerëzve mbi shkollën, që ajo të mos shihet më si një institucion ndëshkimor, por si një vend miqësor për të gjithë: nxënës, prindër, mësues. Kjo është detyrë dhe përgjegjësi jo vetëm e shkollës, por e çdo familjeje, e të gjithë shoqërisë, me dëshirën për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe për arritjen e standarteve të reja bashkëkohore në edukim.
