Skuadra e Tiranës, ekipi më lakuar i momentit ,tashmë ka edhe një vlerësim financiar zyrtar. Aksionet e klubit bardhelu variojnë në diapazonin nga 246 deri në 300 milionë lekë.
Në muajin shkurt, kompania vlerësuese Deloite Albania Shpk. ka bërë një raport vlerësues me qëllim vlerësimin e drejtë për vlerën e kapitalit aksionar të Klubit të Futbollit Tirana në masën 100% të aksioneve dhe në bazë të këtij raporti, skuadra e Tiranës ka një vlerë që shkon në diapazonin nga 246 në 300 milionë lekë.
Nga 100% i kapitalit të klubit të futbollit Tirana, 66% të aksioneve janë të shoqërisë Halili shpk. dhe pjesa e mbetur prej 34% të aksioneve janë edhe për pak kohë në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Pikërisht kjo e fundit, nëpërmjet kryetarit Erjon Veliaj, ka dhënë pëlqimin dhe miratimin e projekt-vendimit në lidhje me shitjen e këtyre akioneve.
Qëllimi i emetimit të aksioneve të Bashkisë së Tiranës në treg është garantimi i ecurisë së klubit duke kërkuar investitorë potencialë financiarë që të garantojnë forcimin e pozitës ekonomike dhe si rrjedhojë edhe sportive të ekipit.
Ndërkohë mbetet e paqartë situata e aseteve sportive të klubit bardheblu, si stadiumi apo fushat stërvitore.
e.t./dita
