Bashkia e Tiranës prezanton projektbuxhetin 2016 për Njësinë Administrative nr. 9

Saimir Lleshi

Njësia Bashkiake nr. 9 ka qenë stacioni i radhës i turit të Bashkisë së Tiranës për prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2016.

Nënkryetari Arbjan Mazniku zhvilloi një takim të hapur me banorët e kësaj zone, ku u diskutua për mundësitë konkrete që ofron projektbuxheti i vitit të ardhshëm dhe mbështetjen financiare për prioritetet e zonës.

Në fjalën e tij, Mazniku u ndal në situatën makro të projektbuxhetit, duke folur fillimisht për gjendjen financiare në të cilën e la Bashkinë administrata e shkuar, si dhe projektet madhore që pritet të nisin vitin që vjen.

Ndër masat që ka marrë Bashkia për të përmirësuar financat e veta, Mazniku ka përmendur se veç një administrimi shumë më efiçent të buxhetit, do t’i kushtohet një rëndësi e veçantë forcimit të administratës tatimore. “Një pjesë e njerëzve i paguajnë detyrimet e tyre ndaj qytetit, një pjesë nuk i paguan. Të gjithë njerëzit, detyrimet që kanë ndaj qytetit duhet t’i paguajnë në mënyrë të drejtë.”, u shpreh Mazniku.

Lidhur me projektet dhe punët që do mbështeten financiarisht vitin e ardhshëm në mënyrë konkrete për Njësinë Administrative nr. 9, u përmendën përmirësimi i infrastrukturës arsimore dhe rrugore. Përveç faktit se kjo njësi përfshihet në projektin e Unazës së Vogël të Tiranës, Bashkia e Tiranës ka planifikuar të investojë në këtë zonë edhe në rehabilitimin e lulishtes në bllokun ‘Mine Peza’, një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit, dhe në sistemimin e trotuareve të rrugës “Ded Gjo Luli”. Gjithashtu, do të ketë ndërhyrje në rrugën “Don Bosko”, e cila përfshin kanalizimin e ujërave të zeza dhe ka pasur një problematikë të madhe ndër vite, si dhe rehabilitimin e trotuareve.

Me buxhetin e vitit 2016, do të bëhet rikonstruksioni i rrugës “Ibrahim Ndroqi”, si dhe do të vendoset shërbim urban në rrugën “Jordan Misja”. Në fushën e arsimit, bashkia do të kërkojë ndihmën e Fondin e Zhvillimit të Rajoneve ose edhe nëpërmjet partneriteteve publike-private, për ndërtimin e një shkolle të re, pranë zonës ish- Uzinës Dinamo. Madje, do të ndërhyhet në mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e ambienteve të të gjitha objekteve arsimore, ku në njësinë nr. 9 përfshihen 8 shkolla, 2 kopshte dhe 2 çerdhe. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *