Bashkia e Tiranës ka marrë masa për sistemimin e familjeve të komunitetit rom në Shkozë, të cilëve pak ditë më parë iu dogjën shtëpitë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, Besjona Dede, ishte sot e pranishme në këtë zonë për të ndjekur punimet për ndërtimin e banesave provizore prej druri.
“Duke përllogaritur motin e ftohtë dhe shiun, Bashkia e Tiranës mori masa për t’i strehuar familjet e komunitetit rom në Qendrën Sociale të Bashkisë, të cilëve iu ofruan çadra për strehim, ushqim dhe veshmbathje”, u shpreh Dede.
Sipas saj, bashkia po punon me partnerët privatë dhe me shoqërinë civile për t’i ofruar në mënyrë të vazhdueshme këtij komuniteti mbështetje me ushqim dhe veshmbathje, duke u siguruar kushtet e jetesës.
Ndërkaq, Bashkia po sheh mundësitë edhe për t’i dhënë një zgjidhje afatgjatë strehimit të këtij komuniteti në javët në vijim.
“Me rindërtimin e barakave, të cilat do të jenë një strehim provizor për këto familje dhe për të gjithë komunitetin, pasi për një periudhë të shkurtër kohore ky komunitet do të ketë mundësi të jetojë në kushte më të mira jetese, si pasojë e aplikimit të një plani për sistemimin e jetesës së komunitetit rom”, tha Dede.
Komuniteti rom i prekur nga zjarri e ka mirëpritur zgjidhjen.
Tre ditë më parë në komunitetin rom në Shkozë, si rrjedhojë e një zjarri,11 familje ngelën pa strehë.
