“Koalicioni i ri e vdekja e Polit të Qendrës” kështu e ka titulluar gazetari Artur Zheji emisionin e tij të radhës ‘360 Gradë’ në News 24. Të ftuarit e tij të sotëm janë kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi si dhe dy analistët Henri Cili e Lorenc Vangjeli.
Kryetari i Partisë Social-Demokrate Skënder Gjinushi që në nisje të emisionit ka deklaruar se është kundër lëvizjes që bëri LSi për tu bashkuar me PS. Gjinushi shprehet skeptik për qëndrimin që do të mbajë Meta pas zgjedhjeve, pasi të fitojë vota të majta, sic tha ai.
“Jam dhe kam qënë kundër këtyre lëvizjeve ku një pjesë e qeverisë ikën për të shpëtuar nga përgjegjësitë që ka kjo qeveri. Këto lëvizje si kam pranuar kurrë, por është e paralajmëruar, ne si PSD e dinim që LSI nuk do hynte në zgjedhje me PD. Këtë lëvizje e lexojmë si tentativë për të ikur nga i humburi, për të marrë vota nga e majta dhe qëndrojmë me frikën se ku mund të iki nesër LSI, pasi ajo mbetet përcaktuese e qeverise së ardhshme”, tha ai.
Gjinushi më tej shtoi se lëvizja e LSI-së është pragmatiste. “Kjo lexohet si një e keqe e vogël që shërben për të hequr një të keqe të madhe”, shtoi ai. LSI-në e kemi frikë sepse mund të na e shesë ndeshjen, tha ai më tej. “LSI e ka shitur edhe herë tjetër, mund ta bëjë përsëri”.
Ndërsa Kryetari i LZHK si përfaqësues i forcave të djathta e vlerësoi pozitivisht largimin e Metës nga qeveria. Kjo lëvizje sipas Shehit, i cliron të djathtët moralisht.
“Jam nga ata që kam thënë që do bëjë mirë që gjithkush të kthehet në shtëpi të vetë. Për mua është një lëvizje pozitive për të djathtën shqiptare, edhe ne si të djathtë jemi më të çliruar moralisht. Edhe qytetari që do të votojë majtas apo djathtas kështu ndjehet më rehat. Ky njeri administronte një pushtet që nuk e meritonte. Neve të djathtëve na ka bërë shumë mirë, Unë them se e djathta sot ka disa shanse më shumë, për të fituar”, tha ai më tej.
Ndërkohë kreu i PSD, Gjinushi theksoi se për të qëndruar në opozitë nuk ka nevojë për ftesa, duke shtuar se dhe LSI zgjodhi vetë të largohej nga e majta.
“Për të dalë në opozitë nuk ka nevojë për ftesë, për qeveri duhet ftesë, për opozitë shkon vetë, zgjedh vetë të shkosh aty. Në opozitë dilet për zhgënjim, divergjenca, ide. Nuk e përzuri njeri Metën. Ai e ngacmoi vetë PS, se donte të ndryshonte sistem”.
I pyetur mbi të majtën, Shehi vlerësoi se liria brenda PS përkthehet interes, pavarësisë demokracisë që mund të interesojë brenda këtij gjiri.
“Cdo gjë ndodh brenda së majtës, se e majta ka pas gjithmonë një liri, ndryshe nga e djathta që ka mbizotëruar Berisha. Por dhe kjo liri e tepër tregoi se kanë mbizotëruar interesa”.
Shehi më tej vlerësoi se Berisha është treguar i zgjuar, pasi ka marrë teknicienë të rinj në qeveri. Ndërhyn Gjinushi: “Kjo është qeveri kot!”
Mundësia e Polit të Tretë në këto zgjedhje ishte një pikë tjetër ku u ndal debati i sotëm. Për analistin Henri Cili kjo është një frymë që tashmë nuk mund të ngjizet më.
“Në kuptimin e mëparshëm them që ka vdekur se nuk ka më kohë që të ngjizet kjo frymë. Pas aktit të LSI për mua është thjesht konkurim i të majtës dhe të djthtës. Kjo është një shenjë normalizimi. Tani të gjitha palët duhet të moderojnë sjelljet e tyre politike”, tha ai.
“Për sa i përket Polit të Tretë edhe unë e kam quajtur të pamundur. Me ikjen e Metës, kjo shpresë u shua se Meta mund të mblidhte disa forca rreth votave. Kodi elektoral nuk i favorizon forcat e reja, gjithashtu edhe rrethanat parazgjedhore”, tha ai.
Gjinushi nga ana e tij nuk e sheh të vdekur mundësinë e ekzistencës së një poli të tretë.
”Në momente të tilla krijimi i një poli të tretë ka shance të shfrytëzojë dështimin e kësaj qeverie”, tha ai.
I pyetur nëse në zgjedhje do jetë pjesë e së majtës apo pjesë e këtij poli të tretë Gjinushi shtoi se, “Ne jemi në shtëpinë tonë, nuk jemi ne të tepërt. Ne kemi qënë me PS që në kohë lufte.Kjo e polit të tretë është një alternativë e hapur. Ka më shumë arsye që ky pol të jetë”.
Edhe analisti Lorenc Vangjeli u shpreh se deri në zgjedhje mundësitë për të ashtuquajturin pol të tretë janë të pakta.
“Nëse do të votohej nesër do të kishte goxha shans për partitë e papërfaqësuara, mund të kishte plot votues që do ta kanalizonin votën e tyre tek poli i qendres. Por sa më shumë koha kalon aq më të vogla janë shanset për polin e tretë”, tha ai.