Imagjino sikur të kesh në dispozicion disa miliona euro që ke fituar në rrugë të parrëfyeshme. Në shtetin tënd amë, përveç faktit që nuk mund të bësh publike prejardhjen e kësaj pasurie, taksimi është aq i lartë saqë mund të humbasësh gjysmën e milionave në vetëm pak vite. Por nuk je i pashpresë, sepse egzistoka një mënyrë që ti mund të shijosh ato para. Në mes të detit Mesdhe, na është një ishull-shtet bankat e së cilit nuk duan t’ja dinë se nga e kanë origjinën të hollat e tua. Nëse ti hap një llogari dhe depoziton disa miliona euro, kërkush nuk ka për të të drejtuar pyetje të sikletshme ndërkohë që asnjë autoritet policor, aq më pak i shtetit tënd, nuk do të ketë mundësinë ligjore për të marrë informacione mbi lëvizjet e tua.
Dielli shkëlqen gjithë vitin, deti është kristal dhe ti je një pasanik si shumë të tjerë që shijon krejtësisht i qetë frytet e punës tënde. Çfarëdolloj pune të jetë ajo. “Pecunia non olet” (“paraja nuk vjen erë”), mësohet të ketë thënë perandori romak Vespasiano (9-79 pas Krishtit) duke i’u përgjigjur kritikave ndaj taksimit të urinës të mbledhur në banjot publike. Nga urina nxirrej amoniaku, lëndë e çmuar për trajtimin e lëkurës. Nëse edhe në Romën e lashtë paraja nuk mbante erë, mund të imagjinohet ndjeshmëria e hundës së një shteti-ishull që lulëzon vetëm falë pasanikëve si puna jote.
Por një ditë prej ditësh, zbulon se drejtori i bankës ku derdhe milionat e tua ka investuar rreth 2,4 miliardë euro në letrat me vlerë të Greqisë e cila shkurtin e 2012-ës deklaroi se do paguante vetëm 47% të atyre letrave. Pra banka jote dogji si për magji 1,2 miliardë euro (para të klientëve të saj) vetëm me një investim të gabuar. I njëjti drejtor që të priti me buzëqeshje të çelur, tashmë ka vetëm dy rrugë: të shpalli falimentimin (dhe ti humbet gjithçka), apo të kërkojë para borxh nga arka e shtetit. Por ky i fundit nuk mund të shtypi më monedhën e vet sepse vendosi të hynte në zonën Euro dhe nuk i ka aq të holla në arkë duke patur një ekonomi reale tri herë më të vogël se depozitat bankare. E vetmja mundësi shpëtimi për bankën tënde dhe për bankat e tjera në të njëjtën situatë, është marrja hua e pothuajse 16 miliardë eurosh nga partnerët e eurozonës ku dihet që ligjëron Gjermania. Por zonja Merkel nuk është e gatshme të marri përsipër të gjitha pasojat e investimeve të gabuara të bankave të ishullit. Të paktën 5,8 miliardë euro, duhet të dalin nga vetë klientët e bankave. Të gjitha llogaritë mbi 100 mijë euro do taksohen 37,5%. Pasanikët si puna jote do humbasin 1/3-tën e parave që sollën në ishull për ti shijuar pa kokëçarje.
Tani erdhi koha për të bërë reale këtë histori. Parajsa fiskale është Qiproja e cila, edhe pse pjesë e Bashkimit Europian dhe monedhës së përbashkët Euro, ndoqi ndër vite një politikë joshëse për kapitalet e huaja, sidomos atyre ruse. Oligarkët rusë zgjodhën ishullin mesdhetar si port të preferuar për pasuritë e tyre dhe dyndën miliarda euro në bankat qipriote (ajo e historisë së mësipërme quhet Laiki). Me ato para u luajt bixhoz me borxhin grek (siç u shpjegua në rubrikën e shkuar) dhe për të shmangur falimentimin e shtetit dhe daljen nga eurozona, u kërkua ndihmë nga Troika e famshme. Kundrejt kësaj komerdare shpëtimi, Gjermania dhe partnerët e saj pretenduan që edhe milionerët rusë të pagonin për shpëtimin e parajsës së tyre. Mund të kuptohet qartazi përse kryeministri rus Medvedev etiketoi planin si një “vjedhje” të ligjëruar, si “të rrezikshëm” dhe si bolshevik.
Për hir të së vërtetës nëse shteti përdor si bankomat për nevojat e veta llogaritë bankare të qytetarëve, krijohet një precedent i rrezikshëm për mbarëvajtjen e ekonomisë. Asnjeri nuk ka për t’ia besuar më bankave kursimet e veta duke paralizuar sistemin kredidhënës. Por rasti i Qipros është i veçantë sepse nuk do jenë qipriotët e thjeshtë që do paguajnë humbjen e bastit mbi borxhin grek, por të huajt që përdorën ishullin për nevojat e tyre financiare.
Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qëndrore Europiane (Troika) përfituan nga rasti i Qipros për të dërguar një sinjal të fortë. Tani e tutje, në rast krize financiare, asnjë shtet që jeton në mënyrë parazite me paratë e të tjerëve nuk do shpëtohet pa ndaluar së qëni parajsë fiskale. Më shumë se sa një hajdutëri, masat e vendosura nga Troika bëjnë më pak të rehatshme pushimet e hajdutëve.
*PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona. Rubrika “Europa”, çdo të shtunë në DITA. Shkruajini autorit në [email protected]
Pergezime autoriut per kete shkrim.