Bashkitë dhe komunat urdhërohen të pastrojnë plehrat…

anazapta

Nis puna për pastrimin e vijës bregdetare nga plehrat dhe derdhja e ujërave të zeza në det, një fenomen ky që shfaqet në nivele tejet shqetësuese. Pas alarmit të ngritur nga autoritetet e mjedisit për emergjencën mjedisore në prag të sezonit turistik, po punohet për konkretizimin e planeve të ndërhyrjes që do të zhvillojnë të gjitha strukturat vendore për pastrimin e ambienteve (që kanë nën administrimin e tyre), nga plehrat e hedhura vend e pa vend. Zëvendësministrja e Mjedisit Oljana Ifti, njëherësh edhe kryetare e Komitetit të Emergjencave ka pohuar se bashkitë dhe komunat janë përgjegjëse për pastrimin e ambienteve, ndërkohë që këto të fundit do të marrin përsipër edhe të gjitha kostot financiare të aksioneve që do të zhvillohen për largimin e mbetjeve. Aktualisht Agjencitë Rajonale të mjedisit janë duke specifikuar planet e ndërhyrjes që do të zbatohen nga secila bashki apo komunë në vend gjatë javëve në vijim. E nëse komiteti ka nisur detyrën, ngrihet shqetësimi se ku do të shkojnë këto plehra të mbledhura në mënyrë të tillë që të mos rikthen në risk për shëndetin e popullatës dhe në shqetësim për syrin e vizitorëve. për këtë Ifti sqaron se një pjesë do të shkojnë në landfille, ndërsa të tjerat në riciklim, pasi impiantet e riciklimit të mbetjeve mund të jepen me koncesion. “Ne kemi aktualisht në të gjithë vendin 65 vende depozitime të mbetjeve të cilat nuk i plotësojnë të gjitha kriteret. Ministria e Infrastrukturës është angazhuar për këtë proces për derdhjen e ujërave të zeza në bregdetin e Adriatikut, më problematik është në Durrës, por edhe në Vlorë ka problematikat e veta”, vuri në dukje zëvendësministrja Ifti. Duke qenë se landifillet në vendin tonë nuk përmbushin kriteret e duhura për të funksionuar sikundër kanë edhe misionin përkatëse, e vetmja rrugë për zgjidhjen e çështjes së plehrave mbetet dhënia me koncesion e mbetjeve për riciklim. ”Makina në fund të jetës, riciklimi i tyre bateritë e vogla, vajrat të gjitha ato që nuk janë aktualisht të jepen me koncesion të përcaktuar. Ligji i ka parashikuar të gjitha këto detaje dhe direktivat e Bashkimit Evropian janë të tilla që të riciklohen ku munden dhe më pas mbetjet që mbeten që ngelen të shkojnë në landfill”, shton më tej Ifti. Situata e raportuar gjatë viteve të shkuara në sezonin e pushimeve ka qenë tejet alarmuese jo vetëm nga plehrat e hedhura nëpër aksionet nacionale, por edhe në dredhjen e ujërave të zeza në det, fenomen që shpesh ka çuar në largimin e pushuesve. Ndonëse janë vënë gjoba të shumta ndaj këtyre strukturave situata edhe sot raportohet tejet alarmuese, ku mbetet shumë punë për t’u bërë deri në ndryshimin e saj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *