Milan dhe Barcelona formojnë një çift tepër të pasur me trofe, pasi e kanë fituar shtatë herë dhe spanjollët katër herë titullin kampion të Evropës, por sukseset e shkuara vlejnë pak në parashikimet se kush e fiton duelin e ri midis tyre. Koeficienti i basteve për kualifikimin e Barcelonës është thuajse minimal, vetëm 1.05, ndërsa kush beson te surpriza e Milanit mund të vërë bast me një koeficient vërtet të mirë, 8.0. Skuadra e Tito Vilanovës shihet si favoritja kryesore për të kaluar në çerekfinalet e këtij sezoni, pasi ka koeficientin më të ulët, ndonëse ndeshet me një skuadër që cilësohet si eksperte e këtij kompeticioni. Trofetë e fituar vlejnë pak edhe në çiftin tjetër luksoz të raundit të parë me eliminim direkt, që gjithsesi shihet më i ekuilibruar. Kualifikimi i Real Madridit vlerësohet me koeficientin 1.55, ndërsa ai i Manchester United me 2.2. Spanjollët janë skuadra që e ka fituar më tepër titullin evropian, nëntë herë, ndërsa anglezët tre. Trajneri i madrilenëve, Jose Mourinho, shihet edhe si pasuesi i Sir Alex Ferguson në stolin e United. Në fakt, pas Barcelonës, koeficientin më të ulët për të kaluar më tej nuk e ka Reali, por Juventusi, i cili do të ndeshet me Celtic Glasgow. Kualifikimi i bardhezinjve kuotohet me 1.15, ndërsa ai i kampionëve skocezë me 4.7. Më pas, në listën e favoritëve vjen Bajern i Munihut, që ndeshet me Arsenalin. Shanset e gjermanëve për të kaluar vlerësohen me 1.3, ndërsa ato të anglezëve me 3.2. Kampionia e Gjermanisë, Borusia Dortmund, ka gjithashtu një koeficient të ulët, 1.4, kundrejt 2.7 të Shahtjor Donjeck të Ukrainës. Çifti më i ekuilibruar shihet derbi iberik, midis Portos e Malagës. Të dyja skuadrat kuotohen me 1.8 për t’u kualifikuar në Çerekfinale. Paris SG ka ambicie të mëdha sivjet dhe shihet si favorit përballë Valencias, i kuotuar me 1.6, ndërsa spanjollët me 2.1 Schalke 04 shihet si favorite ndaj turqve të Gallatasarajit. Gjermanët kuotohen me 1.5, ndërsa kualifikimi i skuadrës së Fatih Terim kuotohet me 2.35.