Basti i fituar për romët

editor

Komisioni Europian e vlerëson qeverinë Berisha në lidhje me qëndrimin ndaj minoritetit Rom.në Raportin e Progres- Raportit për Shqipërinë për vitin 2013, si vijon:

Romët dhe Egjyptianët vazhdojnë të përballen me kushte shumë të vështira të jetesës dhe diskriminim të vazhdueshëm, veçanërisht në aksesin për arsim, mbrojtje sociale shëndetësi, punësim dhe strehim. Në linjë me planin kombëtar të veprimit, Shqipëria duhet të përmirësojë shpejt kushtet e jetesës të Romëve; bashkëveprimi midis administratës publike në nivel qendror dhe lokal është thelbësor në këtë kuadër. Dëbimi i familjeve nga vendbanimet e tyre në gusht 2013 ka qenë një çështje tepër shqetësuese. … Mekanizimi përgjegjës i autoriteteve shtetërore për të mbrojtur fëmijët Romë është i pamjaftueshëm.”(Bruksel, 16.10.2013, f.45-46).

Në pak reshta KE ka shprehur në mënyrë të përmbledhur shqetësimet kryesore me të cilat përballet minoriteti Rom, duke përmendur edhe rastin e dëbimit me dhunë të37 familjeve nga vendbanimet e tyre në muajin gusht. Qeveria e “zemrës së dhimbsur”, siç e quante shpesh z.Berisha qeverinë e tij, gjatë tetë vjetëve të qeverisjes të saj, i la familjet Rome në fushë të hapur, duke i detyruar të sajojnë baraka në trotuarin e një prej rrugëve kryesore të Kryeqytetit.

Zhvendosja e dhunshme, tërhoqi menjëherë vëmendjen e organizatës të Drejtave të Njeriut “Amnesty International”, që u kërkoi autoriteteve shqiptare marrjen e masave urgjente për gjetjen e një strehe të re për familjet Rome. Ambasadori i BE-së, E. Sequi i kujtoi qeverisë shqiptare se integrimi i Romëve përbënte  një nga 12 prioritetet që Shqipëria duhet të plotësuar në kuadrin e marrëveshjes me BE dhe se kjo çështje do të reflektohej (si dhe ndodhi) në raport/ progresin e KE për Shqipërinë, në muajin tetor.

Avokati i Popullit u bëri rekomandime konkrete drejtuesve të ministrisë të punës dhe Bashkisë së Tiranës për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme për qytetarët Romë .Mirëpo gjendja nuk bëri përpara.  Pse? Sepse shqetësimi nuk shkoi tek organi që duhet ta zgjidhë atë – qeveria. Kryeministri në detyrë nuk e vuri “ujët në zjarr” për Romët. U duk qartë se këtë problem si dhe shumë të tjera, do t’ia linte qeverisë Rama.

Qeveria Berisha nuk e zgjidhi këtë problem edhe pse kishte në dispozicion jo vetëm ministritë por edhe Bashkinë e Tiranës. Arsyeja kryesore shtrihet thellë në opinionin paragjykues që shoqëron, pak hapur dhe shpesh fshehur, një pjesë të shoqërisë shqiptare që reflektohet kryesisht në partitë e krahut të djathtë. Sipas këtij opinioni, përgjegjës për varfërinë apo prapambetjen e mjaft familjeve Rome, është vetë ky komunitet.

Në një shkrim të para pak javëve në DITA (23 gusht 2013), theksoja se “çështjen Rome” nuk mund ta zgjidhte vetëm një ministri, që zakonisht ka qenë ajo e punës, mirëqenies sociale, shanseve të barabarta,por nga një koordinim institucionesh qeveritare, të tjera publike, madje edhe me ndihmën apo në bashkëpunim me organizatat jo fitimprurëse,

Një komentues në DITA Online nënshkrues me nofkën “Tim” në lidhje me këtë shkrim, shprehej: “I njëjti problem do jetë edhe për qeverinë e ardhshme, por shtypi militant i juaji nuk do e zerë më me gojë punën e evgjitëve!”.

Ishte si një lloj basti mosbesues, nisur nga precedentët. Mirëpo, ja që parashikimi i “Tim”-it doli i gabuar. Brenda tre javëve nga marrja e detyrës, qeveria Rama, arriti që ta zgjidhë këtë problem në mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë të mundshme në sajë të një bashkëveprimi midis Ministrisë të Mirëqenies dhe Rinisë, Ministrisë të Mbrojtjes, Avokatit të Popullit dhe institucioneve të tjera. Prandaj dhe më shumë se një bast të humbur, mua më pëlqen ta quaj një bast i fituar.

Qeveria e koalicionit të majtë, në këtë rast, dha një shembull, se si mund të zgjidhen problemet e akumuluara për minoritete të caktuara, siç është ai i Romëve, edhe pse nuk është thjesht një çështje shqiptare, por europiane në tërësi.

Shkalla e varfërisë në Shqipëri, sipas anketës më të fundit të standardit të jetesës të INSTAT është rritur nga 12.4 për qind në vitin 2008 në 14.3 për qind në vitin 2012. Kjo është një mesatare në shkallë vendi, por shumëkush e nënkupton se sa e thellë është varfëria në komunitetin Rom prandaj duhet një punë më e programuar për t’i vënë në rrugën e zgjidhjes problemet komplekse.

Kuvendi shqiptar ka ratifikuar të gjitha konventat për të drejtat e njeriut,mes të tjerave edhe Konventën Kuadër të Këshillit të Europës “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare” të vitit 1995. Mbrojtja e pakicave konsiderohet si një nga kriteret bazë për anëtarësimin në BE dhe monitorohet nga Komisioni Europian.

Në kuadrin e brendshëm, një dokument për zgjidhjen me përparësi të problemeve të këtij komuniteti përbën strategjia “Për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit Rom” e vitit 2003 e cila parashikon objektiva për zhvillimin dhe integrimin saj në shoqëri si dhe përcakton institucionet, afatin dhe buxhetin për realizimin e këtyre objektivave.

Strategjia për Romët është e lidhur me një varg strategjish të tjera tërësore dhe sektoriale kombëtare, por asaj i mungon pikërisht ajo që i duhet më shumë : buxheti, që përbën instrumentin kryesor për zbatimin e objektivave në fushën ekonomike dhe sociale. Asnjë projekt, nuk ka dalë nga buxheti i shtetit për përmirësimin e kushteve të jetesës për Romët, për strehimin , për ndërtimin e ndonjë kopshti, çerdhe, shkolle,apo qendre shëndetësore.

Buxheti i njësive të pushtetit vendor përbën një burim tjetër, për të financuar me përparësi projekte të ndryshme sociale por, për shkak të burimeve të kufizuara, organet e qeverisjes vendore nuk mund të zgjidhin problemet e komunitetit Rom.

Agjencitë Ndërkombëtare kanë financuar për aktivitete të ndryshme, si: edukimi, trajtimi i çështjeve të trafikimit, fuqizimi i organizatave rome, zhvillimi i mekanizmave monitorues dhe vlerësues të strategjisë kombëtare për Romët etj. UNPD ka zbatuar një program i cili synon të rrisë vetëbesimin dhe kapacitetin e këtij minoriteti për reduktimin e varfërisë dhe përjashtimit social duke bashkëpunuar me pushtetin vendor, OJF dhe disa agjensi të tjera në tre rrethe: Tiranë, Fier dhe Elbasan, por efektet janë të pjesshme.

Shumë strategji, programe dhe institucione, donacione dhe seminare e konferenca por efektiviteti i tyre është ende i ulët. Prandaj, ndryshimi duhet të fillojë nga rishikimi tërësor i veprimtarisë të deritanishme, dhe mbi këtë bazë të miratohen akte që bashkërendojnë më mire burimet monetare, njerëzore dhe institucionale në shkallë qendrore dhe vendore.

 

Share This Article
1 Comment
  • duhet te dish nje gje ti luan se saliu se vrau derin fare se po varferonte autoktonet e shqiperis dhe jo me te kujdesej per minoritetet( aq me pak “gabelet”) prandaj mos kujto se do e vesh ne siklet me artikullin tend. gjynah qe nje njeri i tille mbane titullin e larte doktor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *