Policia e Devollit goditi një grup grabitësisht që bastisnin vendet e shenjta. Burime zyrtare bënë me dije se kanë arrestuar tre persona si të dyshuar për vjedhjen e një sasie lekësh në një vakëf në fshatin Nikolicë.
Mustafa Nexhipi, 27 vjeç, nga Pojani i Korçës, Ismail Matja, 49 vjeç, nga Fieri, dhe Arben Dangaj, nga fshati Pirg, sipas policisë lokale janë arrestuar në kushte të flagrancës pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur një sasi lekësh brenda një vendi të shenjtë në fshatin kufitar.
Policia ka dyshime se të tre të arrestuarit mund të kenë qenë dukë u kthyer nga Greqia nëpërmjet brezit të gjelbër, pasi fshati është fare pranë kufirit me shtetin helen.
Por policia tha se do hetojë nëse të dyshuarit janë të përfshirë edhe në bastisjen e vendeve të tjera të kultit brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Duhet thënë se vjedhja e vendeve të shenjta, në veçanti kishat, është kthyer në shqetësim për banorët e të gjithë juglindjes.
Vjedhjet në të shumtën e rasteve nuk kanë kursyer deri kishat monument kulture në Voskopojë e Vithkuq, të cilave u janë vjedhur edhe ikonostaset më shumë se 350-vjeçarë, duke dëmtuar kështu rëndë këto vlera të rralla.
Për të gjitha këto raste të shpeshta vjedhjesh nuk ka ende asnjë të arrestuar, pavarësisht se Mitropolia e Korçës për të gjitha rastet ka pasur denoncime.
