Bayern-Barcelona, luhet akti i dytë

Bledar Lumani

Një javë kaloi shpejt dhe Barcelona e Bajerni i Mynihut i drejtohen aktit të dytë të fazës gjysmëfinale në Champions League, këtë herë në Allianz Arena, ku ekipi bavarez do të përpiqet për të imituar Deportivon e Javier Irureta-s, që 11 vjet më parë përmbysi disavantazhin 4-1, duke poshtëruar në “Riazor” Milanin e Ancelottit me rezultatin 4-0. gjashtë ditë më parë në Camp Nou pavarësisht rasteve të shpërdoruara nga vendasit Bajerni u mbajt mirë për plot 77′, megjithatë në pjesën e mbetur Lionel Messi ndëshkoi dy herë mbrojtjen e brishtë të skuadrës bavareze, duke shërbyer më pas edhe për Neymar në golin e tretë. Zëvendësimi i Thomas Mueller me Mario Gotze-n përvecse rezultoi i kotë acaroi së tepërmi edhe shtypin gjerman dhe cuditërisht Guardioala nuk u kënaq me pasivin 1-0 por orientoi ekipin për të luajtur lart dhe për të ushtruar presing. Manovër që ngjau si vetëvrasje për Bajernin pasi është e kuptueshme që tre yjet Messi – Suarez – Neymar nuk mund të mbulohen dot një për një nga mbrojtësat e kampionëve të Gjermanisë dhe goli i tretë i shënuar vetëm pak sekonda para fundit të takimit përvecse duket fatal në njëfarë mënyre tregon qartë atë cfarë është në gjendje të bëjë ekipi blaugrana brenda në Allianz Arena.

Trajneri Luis Enrique nuk ka probleme dëmtimesh apo kartonësh me futbollistët e tij kështuqë në Bavari me shumë gjasa do të zbresë në fushë 11-shi më i mirë, pra pikërisht i njëjti formacion që fitoi 3-0 në Katalonjë. Pavarësisht gjithë këtij avantazhi me 2 barazime dhe 2 humbje në 4 vizitat e mëparshme në Mynih, Barca sipas trajnerit asturian do të luajë si zakonisht për fitore e në fakt edhe vetë rrethanat tregojnë se futbollistët e Barcelonës do të kenë hapësira pa fund për të shfrytëzuar në kundërsulm, natyrisht për të zhbllokuar ndeshjen apo qoftë edhe për të shënuar një gol të vetëm që me ecurinë e deritanishme del e tepron për të garantuar finalen e tetë në historinë e klubit. Thomas Mueller ka deklaruar se ndeshja mbaron kur vërshëllen gjyqtari ndërsa Rafinha është shprehur optimist se nëse skuadra e tij shënon tre gola takimi mund të shkojë edhe në shtesë. Gjithcka është e qartë dhe sikur të mos mjaftonin mungesat e emrave të tillë si Robben, Ribery, Alaba dhe Badstuber Guardiola nuk ka ditur të ndërtojë një plan B, madje edhe atëherë kur pati nevojë për të përmbysur disavantazhin 3-1 me Porton Pep iu rikthye mënyrës tipike gjermane dhe filozofisë së Jupp Heynckes.

Ky rast përbën edhe të vetmen herë kur klubi bavarez ka përmbysur në Evropë një deficit prej dy golash, kështuqë optimizmi falls i disa prej emrave brenda klubit është disi i pakuptueshëm, për më tepër që sfida e kthimit përkon me momentin më të keq të Bajernit në 15 vitet e fundit, me tre ndeshje zyrtare të humbura radhazi pa shënuar as edhe një gol. Franz Beckenbauer ka kritikuar vazhdimisht stilin dhe mënyrat e punës së Guardiolës duke evidentuar edhe humbjen e besimit te kjo skuadër, sidoqoftë është e dukshme që Bajerni tashmë është orientuar drejt pasimeve të shumta dhe mbajtjes së topit, gjë që në fakt nuk përkthehet aspak në rrezikshmëri në portën e kundërshtarit. Kishte plot 6 vjet, që nga takimi në Francë me Bordonë që Bajerni nuk e mbyllte një ndeshje pa gjuajtur asnjëherë në kuadrat, megjithatë e njëjta situatë në mënyrë identike u vu re qartë edhe edicionin e kaluar kur ekipi bavarez ndonëse ishte i kompletuar u keqtrajtua nga Reali i Madridit. Vetë Guardiola nxiton ta quajë këtë sezon si të mrekullueshëm por faktet janë kokëfortë dhe klubi më i famshëm gjerman nuk ka ditur as të shënojë gol në 2 përballje me Realin e 1 ndaj Barcelonës dhe pavarësisht përgënjeshtrimeve pa fund të Pep shtypi vazhdon të lakojë emrin e tij pranë Manchester City-t, ku do të gjejë dy miqtë Ferran Soriano dhe Txiki Begiristain.

Përmbysja duket e pamundur duke patur parasysh problemet në mbrojtje por sidomos në sulm ku  Bajerni nuk shënon gol prej plot 361′, një rekord negativ që nuk përsëritej që nga viti i largët 1998. Në krahun tjetër disfata 4-0 pikërisht me Bajernin dy vjet më parë përbën humbjen e vetme në 9 vizitat e fundit të Barcelonës në Gjermani dhe natyrisht për shkak të formës së shkëlqyer me 17 fitore në 18 ndeshjet e fundit askush nuk e con nëpër mend një eliminim të mundshëm, por edhe kjo është e kuptueshme pasi Barca ka fituar 7 takimet e fundit në të gjithë kompeticionet pa pësuar as gol, gjë që ndodh absolutisht për herë të parë në historinë 116-vjecare të klubit,  Me gjithë golin e Neymar në San Sebastian që me shumë gjasa vlen titullin e 23 në Spanjë  treshja e famshme sulmuese MSN preku kuotën e 112 golave në sezon, në një kohë kur dihet që është Messi udhëheqësi shpirtëror i skuadrës me 56 gola në 56 ndeshje, ekzaktësisht me të njëjtën statistikë si edhe Cristiano Ronaldo por me ndryshimin se sulmuesi argjentinas kryeson edicionin e sivjetshëm në Champions League me 10 gola, një më shumë sesa CR7 dhe 77 gola gjithsej në 100 ndeshje në Evropë. Luis Suarez me shpërthimet e tij dhe i hapi shumë punë mbrojtjes së Bajernit, ndërkaq problem për Guardiolën duket edhe mbulimi i brazilianit Neymar që përvecse ka shënuar rregullisht në 6 takimet e fundit të Barcës gjithashtu preku shifrën e 50 golave në 88 ndeshjet e luajtuar për klubin blaugrana. Gjyqtar kryesor i këtij takimi do të jetë 40-vjecari anglez Mark Clattenburg, sidoqoftë në rast se skuadra katalanase fiton brenda në Mynih atëherë Barcelona e Luis Enriques do të thyejë rekordin e klubit në Champions të sezonit 2002-03 dhe njëkohësisht do të barazojë edhe rekordin e këtij aktiviteti, që mbahet me 10 fitore radhazi nga dy skuadrat e tjera Real Madrid dhe Bajern Mynih.

Share This Article
2 Comments
  • Ora eshte 20,15 minuta, shume mendojne se Barcelona e ka te sigurte kualifikimin, por une si tifoz qysh nga viti 72 i Bajernit, them se bavarezet sot do te triumfojne dhe do te jene ne finalen e madhe te Berlinit.
    Preferoj vetem nje person te me replikoj, Totilen.

  • jo “horri ‘”,sepse nuk jane me mayer ,shvancenbeck ,beckenbauer ,breitner ,hoenes dhe legjenda muller .
    u kualifikuam ,por nuk dua realin se ai na e mer kupen ,por dua ekipin tim te zemres juven se ate e mundim .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *