Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Hans Timmer thotë në një intervistë për Top Channel, se Shqipëria ka nevojë për një model të ri zhvillimi.
“Kur shikon Shqipërinë, por edhe rajonin, problemi kryesor është rritja e ulët ekonomike. Unë pata rastin të flas me drejtuesit e Qeverisë së re. Mendoj se analiza e tyre është e drejtë. Shqipëria ka nevojë për një strategji të re të rritjes ekonomike. Modeli ekzistues i ka ezauruar burimet, është në limitet e tij. Tani fokusi duhet të jetë në orientimin e ekonomisë nga prodhimi, pra krijimin e një baze prodhuese brenda vendit”, thotë Timmer.
I mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në konferencën “Shqipëria e Gjeneratës tjetër”, te organizuar nga Partia Socialiste, zoti Timmer mendon se kjo kërkon një mënyrë të re drejtimi të ekonomisë.
“Sic e thashë analiza, që vendit i nevojitet një mënyrë e re të menduari se nga do të vijë rritja ekonomike, për mua është e duhura. Nuk duhet të reagohet ndaj cdo gjëje që ndodh në rajon apo jashtë. Fokusi duhet të jetë në politikat brenda vendit. Pra duhet të mendohet se ku Shqipëria mund të jetë më konkurruese dhe përtej çdo kufizimi ku mund të krijohen vende të reja pune”, tha Timmer.
Numri një i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë thotë se kushti kryesor për rigjallërimin e ekonomisë është ndërtimi i një sektori publik eficient dhe një qeverie të mirëorganizuar.
“Ndoshta sfida më e madhe është të përmirësohet cilësia e shërbimeve publike. Të ndërtohet një Qeveri që është partner i besueshëm dhe mbështet sektorin privat, e cila paguan detyrimet dhe nuk krijon borxhe të prapambetura. Pra një qeveri eficente. Nëqoftëse nuk ka përmirësime në këtë pikë, atëherë rikthehen problemet e vjetra që ka cdo vend kudo në botë, deficitet e larta dhe borxhi i rritur. Pra borxhi në vetvete nuk është problem. Problemi kryesor është se si të ndërtohet një qeveri e organizuar më mirë”, thotë Timmer.
Që pas vitit 2009, rritja ekonomike e Shqipërisë ka rënë me ritme të shpejta. Fillimisht u përgjysmua nga 6 në tre për qind, ndërsa vitin e kaluar ajo ra në minimumin 1.6 për qind.
Qeveria: BB vlerëson ekonominë
Pak ditë përpara largimit nga detyra të Kryeministrit Sali Berisha, Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Elen Goldshtein e vlerësoi bashkëpunimin me Qeverinë, duke veçuar reformat e ndërmarra gjatë këtyre 8 vjetëve.
Drejtoresha e Bankes Boterore i tha kryeministrit Berisha se “nen drejtimin e tij Shqiperia arriti te cilesohet si kryereformatore e ekonomise dhe se “fale lidershipit te kryeministrit Berisha, Shqiperia ia doli mbane te lundroje mbi krizen globale dhe te mbaje nje ekonomi ne rritje”.
Zonja Goldshtein i tha Kryeministrit se Banka Boterore do të vazhdojë mbështetjen e qeverisë së re për zhvillim të qëndrueshëm te vendit dhe se i ka sugjeruar perfaqesueve te Qeverise se ardhshme perqendrimin e bashkepunimit ne fusha te tilla si energjia, menaxhimi financiar dhe shtimi ivendeve të punës.
Ne takimin me kryeministrin Berisha drejtoresha e Bankes Boterore theksoi se sugjerimi e ketij institucioni per qeverine e re eshte vazhdimësia dhe mosfshirja e rezultateve pozitive të reformave dhe institucioneve të ndërtuara. Por Kryeministri Berisha u shpreh se socialistët kanë përcjellë mesazhe konfuze në lidhje me biznesin. Sipas zotit Berisha “deklaratat e socialisteve per të ashtuquajturën vendosje të kriterit të meritës në rekrutim është thjesht një maskim i përpjekjes për të çmontuar administratën shtetërore ekzistuese.
Kryeministri i tha drejtoreshes se Bankes Boterore se “socialistet po përpiqen me të gjitha format për të larguar nga puna me mijëra e mijëra punonjës, për t’i zëvendësuar ata me militantët që duan të shpërblejnë dhe se qeveria e re po përpiqet të zhbëjë të gjitha praktikat dhe arritjet e deritanishme”. Gjate takimit, drejtoresha e Bankes Boterore i kerkoi kryeministrit ne largim bashkepunim po aq te frytsheme dhe si opozitar dhe njoftimi zyrtar thote se zoti Berisha i premtoi se do te jete nje opozitar shume aktiv, në të gjitha momentet e zhvillimit të vendit, si zëdhënës e mbrojtës i interesave të të gjithë shqiptarëve.

Po mire kjo lloj ritje qe ka Shqiperia sic thote ajo shefja e BB-se , nuk reflektohet aspak ne ritje te mireqenies se qytetareve …..por shikojme te kunderten tek mireqenja e individit
Duket sikur kjo lloj ‘ritje” eshte tipike si “ritja” ne kohe te Dulles qe shprehej me frazen famoze te mireqenjes …..Nga fitorja ne fitorje ….looooool
Problemi me shifrat është se ato bazohen si në tregues “të përgjithshëm” që japin një tablo të kamufluar të realitetit ekonomik-financiar, ashtu dhe në tregues analitikë që tregojnë situatën konkrete. Në vetvete këta tregues të përgjithshëm janë të dobishëm sepse përdoren për qëllime analizash të zhvillimit të një vendi, nisur nga këndvështrime të ndryshme. Por po të bëhet analiza mbi treguesit analitikë, atëhere do të shihen shifrat e sakta dhe të detajuara sipas koeficientëve të ndryshëm. Për shembull, nisur nga praktikat qoftë dhe botërore, niveli i papunësisë matet mbi treguesin e nr. të të papunëve që nuk janë në kërkim të një pune. Ndërsa një i papunë që është në kërkim të një pune, nuk përfshihet në përllogaritjet e koeficientit të papunësisë. Pra koeficienti i papunësisë përjashton këtë shifër të punëkërkueseve në këtë përllogaritje të “përgjithshme”, që në vetvete përbën një pasqyrim jo real të gjendjes, sepse nuk përfshin në përllogaritje numrin e të papunëve si punëkërkues, por që në fakt janë të papunë. Si ekonomist, do thoja se do ishte e drejtë që kategoria e të papunëve të ndahet në dy kategori, në të papunë aktivë dhe të papunë jo-aktivë. Kjo do shërbente për analiza, konkluzione apo raporte të ndryshme. Por kur llogarisim zyrtarisht papunësinë, ajo duhet bazuar në shifrat që përfshinë të dy kategoritë e mësipërme. Në fund të fundit, qëllimi i analizave ekonomike, nuk është fshehja e realitetit, por zbulimi i pikave të dobta dhe gjetja e mënyrave dhe rrugëve për zgjidhjen e problemeve. Kështu qeveria berisha, duke fshehur nivelin aktual të papunësisë, gënjen mbi situatën reale dhe për rrjedhojë, as nuk përpiqet që të rregullojë një problem gangrenë të realitetit shqiptar. Por nga ana tjetër, nuk bën as përpjekje për të zgjidhur njëherë e mirë edhe problemin e informalitetit ose “punës në të zezë”. Kështu gënjeshtrat nuk bëjnë gjë tjetër, veçse pjellin vazhdimisht gënjeshtra të tjera. E pra një sistem që mbështetet në fshehjen e realitetit nëpërmjet metodave të rafinuara të shifrave të përgjithshme, duke mos bërë publike dhe përllogaritjet në bazë të treguesve analitikë, tregon se nuk është sistemi i duhur për të luftuar të keqen. Një sistem i tillë i shërben vetëm “padronëve” dhe aspak vendit, akoma më pak qytetarëve.
Për sa më sipër, nuk jam i bindur që qeveria Berisha sipas drejtoreshës së BB, ia paska dalë t’ia hedhë krizës. Unë do thosha se ia ka dalë “t’ia hedhë shifrave” me përllogaritje teorike të përgjithshme të njëanshme dhe aspak analitike mbi tregues realë. Sa i ka shërbyer kjo zhvillimit të vendit dhe vetë qytetarëve, nuk ka nevojë për koment. Ne jemi dëshmitarë të gjithë situatës ekonomike në vend. Berisha nuk është në gjendje të na japë leksione shifrash aq më pak, të jetë “zëdhënës e mbrojtës i interesave të të gjithë shqiptarëve”.