BB: Taksat për biznesin më të lartat në rajon

Saimir Lleshi

Banka Botërore vlerëson se shkalla e tatimit të biznesit në Shqipëri për vitin 2015 arriti në 36.5 për qind, ose 4 për qind më shumë se në vitin 2014.

Shkalla totale e tatimit përfshin të gjitha taksat dhe kontributet e paguara nga biznesi, në raport me fitimin e tyre për një periudhë të caktuar. Shqipëria pozicionohet ndër vendet me barrën më të rëndë tatimore në rajon, duke lënë pas vetëm Serbinë, ku vlera totale e tatimeve të paguara shkon në afro 40% të fitimit vjetor të biznesit.

Në vendet e tjera, tatimet rëndojnë ndjeshëm më pak në bilancet e sipërmarrjeve. Shkallën më të ulët të tatimit e ka Maqedonia, ku për detyrime tatimore shkojnë vetëm 12.9% e fitimeve të bizneseve. Shifrat krahasuese tregojnë se Shqipëria është shumë larg të qenit konkurruese, për sa i takon ngarkesës fiskale, duke sjellë kështu një tkurrje të investimeve të huaja.

Rritja e barrës tatimore i shtohet edhe uljes së ndjeshme të përfitueshmërisë gjatë viteve të fundit, për shkak të krizës dhe maturimit të shumë prej tregjeve strategjikë. Banka Botërore vlerëson se kthimi nga kapitali ka rënë me të paktën 30% krahasuar me fillimin e viteve 2000.

Rënia e përfitueshmërisë, rritja e ngarkesës tatimore dhe problemet e shumta me burokracinë, korrupsionin dhe çështjet e pronës, të marra së bashku, e bëjnë tregun shqiptar ende të vështirë megjithë mundësitë potenciale që ai ka.

Ndonëse viti 2015 nuk shënoi rritje të mëtejshme taksash, janë një sërë taksash të reja që e bëjnë të vështirë për biznesin vitin që kemi hyrë në të. Ministria e Financave, ne “Buxheti për qytetarët 2016”, pohon se efektet e politikave të reja fiskale këtë vit janë 1.44 miliardë lekë, apo rreth 10 milionë euro, që do të paguhen më shumë taksa si rrjedhojë e rritjes direkte të disa taksave, si taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e truallit, taksa mbi primet e makinave dhe ajo për automjetet luksoze dhe rritja e sigurimeve shoqërore për profesionet e lira.

Barra totale e taksave indirekte (të fshehura) është e pamatshme, megjithatë specialistët e ekonomisë kanë bërë një përllogaritje të tyre./DITA/

 

Share This Article
2 Comments
  • Shtoni dhe cmimin e naftes tek barra e taksave e ia kalojme edhe Serbise.
    Problemi eshte se mungojne strategjite konkrete po vazhdohet me aksionet e tipit “Ta provojme njehere, pastaj shohim e bejme”. Nderkohe bota na largohet gjithnje e me shume, e aq me teper Maqedonia qe nuk ka asgje me shume se ne.

  • Krahasimi nuk asht keq te behet.Po shtetet nuk jane te lidhun me kerthize.Sejcili ka mundesit e veta dhe planifikon sa ka jorganin.
    Kryeni rreformen ne drejtesi.Shpartalloni dekriminalizimet dhe me siguri ne mund ti gezohena jetes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *