Kalimi i emigrantëve nga vendet e lindjes drejt Evropës Perëndimore po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Në një artikull të BBC-së këtë të diel, thuhet se edhe vendet e Ballkanit janë gati të mbyllin portat e tyre për emigrantët që vijnë nga zonat e luftës.
Bullgaria, Rumani dhe Serbia do të veprojnë njësoj, nëse shtetet e tjera më në veri nuk do të lejojnë kalimin e refugjatëve.
Kërcënimi vjen përpara nisjes së bisedimeve midis Bashkimit Evropian dhe shteteve ballkanike. Presidenti i Sllovenisë tha se vendi i tij do të “veprojë më vete para se të jetë shumë vonë”, në qoftë se nuk gjendet një zgjidhje. Sllovenia nuk ka përjashtuar mundësinë e ndërtimit të një gardhi në kufi me Kroacinë.
Organizata Ndërkombëtare për Migrim, tha se më shumë se 9,000 emigrantë mbërritën në Greqi çdo ditë javën e shkuar, duke shënuar numrin më të lartë për këtë vit.
Shumica e emigrantëve – duke përfshirë edhe shumë refugjatë nga konfliktet në Siri, Irak dhe Afganistan – duan të arrijnë Gjermaninë për të kërkuar azil.
Gjermania ka deklaruar se mund të presë 800 mijë emigrantë këtë vit. Shumica e atyre që kërkojnë të shkojnë në këtë vend hasin në vështirësi për shkak se shumë shtete të tjera thonë se nuk janë në gjendje për të përballuar ardhjen e tyre dhe kalimin transit.
Hungaria ka mbyllur kufijtë e saj, ndërsa Sllovenia ka pritur rreth 58 mijë persona, por ata jetojnë në kushte shumë të vështirë dhe në të ftohtë.
“Ne jemi duke qëndruar në gatishmëri, në qoftë se Gjermania dhe Austria mbyllin kufijtë e tyre, ne jemi të gatshëm të mbyllim kufijtë tanë”, thotë kryeministri bullgar Boiko Borisov.
Ndërsa, presidenti i Sllovenisë Borut Pahor i bëri jehonë shqetësimeve të Z. Borisov, duke thënë se “nuk mund të bëhemi një xhep në të cilin refugjatët do të jenë të mbërthyer”, në qoftë se Gjermania dhe Austria refuzojnë të marrë emigrantët. /Dita/

