Korporata e rrjetit televiziv BBC duket se ka hyrë në krizën më të rëndë në historinë e vet, pasi drejtori i përgjithshëm George Entwistle dha dorëheqjen, për shkak të një skandali tjetër ku u përfshi programi “Newsnight”. Entwistle qëndroi në këtë detyrë vetëm 54 ditë, duke deklaruar se nuk ishte në dijeni për përmbajtjen e programit kundërthënës, përpara se ai të transmetohej.
Skandali nisi kur BBC transmetoi një raportim investigativ në programin premierë “Newsnight”, në të cilin implikohej në një histori pedofilie, edhe ish- politikani i lartë i konservatorëve britanikë, Alistair McAlpine.
I zemëruar për këtë përfolje, Lordi McAlpine denoncoi akuzat si tërësisht të falsifikuara dhe kërcënoi të hidhte në gjyq BBC-në. Akuzuesi i tij, një viktimë e abuzimit, Steve Messham, pas kësaj kërkoi falje duke thënë se kishte identifikuar njeriun e gabuar.
Bashkë me dëshmitarin, edhe BBC kërkoi ndjesë publike, duke shtuar se e kishte ndërprerë hetimin që përfshihej në programin “Newsnight”. Ky program kishte mbyllur vitin e kaluar një investigim në lidhje me sulme seksuale të ish-dj dhe prezantuesit televiziv, Jimmy Savile. Ky i fundit u njoftua të ishte një abuzues serial me fëmijët në prapaskenat e shfaqjeve televizive të BBC-së.
Ndërkaq, skema e drejtuesve të BBC-së ka pësuar ndryshime të mëdha, madje, një gazetar me përvojë e ka përkufizuar atë si mjaft të brishtë e jo si një strukturë e cila ka siguruar për shumë kohë standardet më të larta editoriale në botë.