BBC: Shqipëria shenja progresi, por ende e mbërthyer nga korrupsioni

Dita

Agjencia britanike e lajmeve BBC, ka publikuar sot një artikull në të cilën shpreh kritika s ai përket vendit tonë në lidhje me korrupsionin dhe me investimet.

“Papunësia mbetet kokëfortësisht e lartë, dhe infrastruktura dhe korrupsioni vazhdojnë të pengojnë futjen më shumë të investimeve të huaja. Sipas një raporti të publikuar nga mbikëqyrësi i ryshfetit, Transparency International, të vitit 2012, Shqipëria është aktualisht vendi më i korruptuar në Evropë”, thuhet në profilin për Shqipërinë nga BBC.

Duke analizuar ekonominë shqiptare, gazetari shkruan se, duke mbajtur nën kontroll të rreptë inflacionin me pak rritje, vendi mbetet një nga më të varfrit në Europë, jashtë ish-Bashkimit Sovjetik.

“Shqipëria është shndërruar në një ekonomi tregu, por është larg nga standardet e Evropës Perëndimore. Bujqësia është një sektor i rëndësishëm dhe një vend punësimi i madh”, thuhet në këtë monitorim.

Duke u ndalur tek zgjedhjet e vitit të kaluar, në profilin e BBC thuhet se Partia Socialiste e Edi Ramës, mori një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, duke i dhënë fund 8 vjetëve të qeverisjes konservative.

Kryeministri Rama është përshkruar nga vëzhguesit si një folës i mirë i gjuhës angleze, frënge dhe italiane, si një njeri dinamik, me një personalitet të fortë.

“Edi Rama, ka premtuar që Shqipëria do të jetë anëtare e BE brenda 10 vjetësh. Premtimi i tij për të përmirësuar standardet e jetesës, në një vend ku shumë qytetarë varen nga të ardhurat e emigrantëve që jetojnë në BE e SHBA, do të jetë veçanërisht i vështirë për t’u realizuar”, shkruan BBC.

Profilit të Shqipërisë në BBC, nuk i ka munguar edhe pikëpamja mbi takimin e kryeministrit Rama me homologun serb Vuçiç. “Në frontin e politikës së jashtme, një prej sfidave më të mëdha me të cilat ai përballet është rivendosja e urave të bashkëpunimit me Beogradin, që ka qenë shumë dyshues ndaj synimeve të Tiranës drejt Kosovës. Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, e parë si një mundësi historike për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, u shndërrua në një rast të tensionuar, në të cilin kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë sulmuan njëri- tjetrin teksa folën mbi statusin e Kosovës”, thuhet në vëzhgimin e BBC për Shqipërinë.

Share This Article
1 Comment
  • Duke dale jashte klithmave te nacionalisteve radikale apo te Ilir Metajve qe kane alergji ndaj zerave kritike, ajo cka nenvizon BBC-ja tregon qarte se ne aspektin e krijimit te nje situate mirekuptimi kjo vizite deshtoi: “Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, e parë si një mundësi historike për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, u shndërrua në një rast të tensionuar, në të cilin kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë sulmuan njëri- tjetrin teksa folën mbi statusin e Kosovës”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *