Është gati plani evropian i ndihmave humanitare për Greqinë. Për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore është e përgatitur një ndërhyrje urgjente për të parandaluar një tragjedi të vërtetë humanitare në Evropë. Plani do të miratohet nesër nga Komisioni dhe do të mbajë firmën e presidentit Jean-Claude Juncker dhe përgjegjësit për ndihma humanitare, qipriotit Christos Stylianidis.
Plani parashikon 700 milionë për tre vjet në favor të vendeve që janë në situatë emergjence për shkak të krizës së emigrantëve. Teksti nuk i referohet drejtpërdrejt Greqisë, por është e qartë se pjesa më e madhe e parave do t’i jepet pikërisht Athinës. Vetëm një pjesë e fondeve do të menaxhohen direkt nga qeveria e Ciprasit për financimin e programe specifike të asistencës, pjesa tjerët do t’i jepet OKB-së dhe OJQ-ve të tjera të pranishme në territorin grek.
Nevoja për një plan ndihme për Greqinë është shprehur nga Krerët e Shteteve dhe qeverive gjatë samitit europian të 19 shkurtit në Bruksel. Prej janarit të vitit 2015 kanë mbërritur më shumë se 1.1 milionë azilkërkues në Evropë. Greqia është bërë një qendër e vërtetë emigrantësh, të cilët për muaj kanë mbërritur në vend nga Turqia duke kaluar Egjeun. Sapo zbarkojnë në ishujt grekë, nisen drejt të ashtuquajturës “rruga ballkanike” për në Austri, Gjermani dhe Suedi. Kufizimet në Shengen , kontrollet, barrierat, kuotat e hyrjes dhe në fund Maqedonia që mbylli kufirin jugor, kanë shkaktuar që mijëra emigrantë të bllokohen në Greqi, e cila që nga fillimi i vitit 2016 ka pritur 111 mijë njerëz.
Për këtë arsye, Brukseli konsideron se Bashkimi Europian për herë të parë në historinë e tij po përballet me një situatë me pasoja katastrofike humanitare brenda territorit të saj. Plani që pritet të nënshkruhet nesër parashikon dhënien e 300 milionë eurove në vitin 2016 dhe nga 200 milionë në vitin 2017 dhe 2018.
Paratë do të shkojnë për organizatat e specializuara që tashmë operojnë në Greqi: UNHCR, Kryqi i Kuq dhe OJF të tjera dhe do të shërbejnë për të rritur kapacitetin e qendrave të pritjes, hapjen e qendrave të reja, pagesat e faturave për hotelet që presin emigrantët. Do të shërbejnë gjithashtu për operacionet e shpëtimit, për të lehtësuar vuajtjet dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor me anë të programeve të arsimit, për shërbime, ujë, ilaçe dhe programe shëndetësore.
