Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit Christian Danielsson vizitoi sot Tiranën ku zhvilloi takimet me kryeministrin Rama, kreun demokrat Basha, kreun e Kuvendit Ilir Meta si dhe me ministrat Bushati dhe Gjosha.
Sipas zyrës së shtypit të delegacionit të BE-së në Tiranë, ai përgëzoi udhëheqësit politikë për shfaqjen e pjekurisë demokratike me arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e ngërçit politik. Ai theksoi rëndësinë e zbatimit pa probleme të marrëveshjes.
Zoti Danielsson përsëriti se fillimi i shpejtë i procesit të vetingut është tani kyç për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit Evropian.
Zoti Danielsson shkëmbeu gjithashtu mendime me autoritetet shqiptare për përgatitjet për Samitin e Triestes dhe në veçanti, për forcimin e mëtejshëm të integrimit ekonomik në rajon. U diskutua gjithashtu sesi të nxitet zbatimi i agjendës ndërlidhëse.
Zoti Danielsson shprehu gjithashtu gatishmërinë e Komisionit për të mbështetur zbatimin e planit të veprimit të qeverisë për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Zoti Danielsson përgëzoi Kreun e Kuvendit Meta për zgjedhjen e tij si President i Republikës.
