Miratimi i Traktatit të Lisbonës në vitin 2009, do të ndryshonte edhe rregullat e lojës demokratike për zgjedhjen e Presidentit të Komisionit Evropian (KE). Neni 17 i tij specifikon se duke marrë parasysh zgjedhjet e Parlamentit Evropian (PE), Këshilli Evropian me shumicë të cilësuar i propozon PE-së kandidatin për postin e presidencës së KE-së. Kandidati duhet të miratohet nga shumica e deputetëve në PE.
Konfigurimi i këtij neni ndryshoi dy aspekte të rëndësishme, që prekin një sferë delikate të funksionimit të BE-së, deficitin demokratik. Elementi i parë lidhet me kalimin nga votimi unanim në votë me shumicë të cilësuar, duke eliminuar bllokimin e kandidaturave nga një vend i vetëm, i cili edhe mund t’i imponohet shumicës për zgjedhje kompromisi (p.sh. në 2004 Britania bllokoi kandidaturën belge të Guy Verhofstadt, nën konsiderimin se ai ishte shumë federalist). Ndërsa elementi i dytë i rëndësishëm gjithashtu, prek sferën e demokracisë indirekte, duke lënë hapësirë për votim dhe zgjedhje direkte të kandidatit nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare evropiane.
Fushata elektorale u shoqërua edhe me prezantimin e kandidatëve për çdo forcë politike dhe vazhdoi e tillë, me mbështetjen partiake përkatëse deri në mbyllje të saj. Por, me mbylljen e fushatës dhe pas vendosjes së rregullave të lojës, filloi ekspozimi i një tendence për mos marrjen e tyre në konsideratë.
Vlerësimi i Kryeministrit britanik Kamerun është bërë tashmë i ditur se, është kundër çdo kandidature unike. Në këtë linjë shtrihen edhe preferencat e Hagës, Helsinkit, Stokholmit, Budapestit dhe Parisit. Pozicioni i Kancelares gjermane Merkel, gjithashtu shkonte në të njëjtin drejtim, duke reflektuar tendencë për mosmarrje parasysh të rregullave të lojës tashmë të vendosura. Sipas saj, nuk ekziston asnjë lidhje automatike ndërmjet numrit të votave dhe pozicioneve të larta drejtuese. Paralelisht me këto qëndrime mediat publikonin emrat e kandidaturave të mundshme, që përfliteshin se mund të propozoheshin për emërime në krye të institucioneve kyçe të BE-së, duke shpërfillur kandidatët aktualisht në proces. Christine Lagarde (FMN), Enda Kenny, kryeministri irlandez, apo kandidatura e kryeministres daneze, Helle Thorning-Schmidt janë kandidaturat e përfolura, përtej skemës së kandidaturave që konkurruan.
Problematika e Nenit 17, paragrafi 7 i Traktatit të Lisbonës
“Duke marrë parasysh zgjedhjet në Parlamentin Europian dhe pas procedimit me konsultimet e duhura, Këshilli Europian duke vendosur me shumicë të cilësuar, i propozon Parlamentit Europian një kandidat për funksionin e Presidentit të Komisionit. Ky kandidat zgjidhet nga Parlamenti Europian me shumicën e anëtarëve të tij” (…)
Si çdo formulim ligjor, i cili lë hapësirë për interpretime dhe këndvështrime të ndryshme edhe formulimi i paragrafit 7 të Nenit 17, nuk i është shmangur kësaj logjike juridike. Mjafton vetëm togfjalëshi “duke marrë parasysh”, për të shndërruar këtë proces në një fazë interpretimesh nga më të larmishmet. Logjika interpretuese e konsideron këtë togfjalësh ligjor jo domosdoshmërish aplikues, pasi mendohet se ky togfjalësh nuk është detyrues për të zgjedhur një nga kandidaturat në listë dhe se kandidaturat e jashtme janë më se të mirëpritura dhe po ashtu brenda kornizës ligjore. Në këtë kuadër, vijnë si emrat e tjerë të jashtëm të propozuar, që janë bërë edhe publikë për median, po ashtu edhe qëndrimet e hapura publike të disa liderëve evropianë.
Por, kjo logjikë alternative interpretuese ligjore, që tejkalon qëllimin e formulimit, në mënyrë paradoksale nuk kishte aspak këtë tendencë interpretuese, si para dhe gjatë procesit elektoral zgjedhor.
Ajo shfaqet pasi “loja” ka përfunduar.
Kandidatët në proces gjatë gjithë fushatës elektorale, kanë pasur mbështetjen e forcave të tyre politike, përfshi edhe liderët drejtues partiak. Merkel dhe Rajoy mbështetën gjerësisht kandidatin e tyre Juncker përgjatë fushatës elektorale, po ashtu si Valls edhe Renzi për kandidatin e tyre Schulz.
Kancelarja Merkel ka shfaqur një pozicionim luhatës me qëndrimet dhe deklaratat e saj, pasi në një moment shfaqej kundër kandidaturës së Juncker, duke lënë të nënkuptohej se ajo do të bllokohej, më vonë e ndryshonte qëndrimin duke e përkrahur atë në fushatë. Vetëm dy ditë më parë, pas kritikave të brendshme në vend për shpërfillje të procesit demokratik, Merkel ka deklaruar se përfundimisht do të mbështesë kandidaturën e Juncker.
Luftë apo rezistencë ndaj deficitit demokratik
BE dhe institucionet e saj, janë vënë vazhdimisht në fokus për problematikën e mungesës së legjitimitetit demokratik. BE konsiderohet e papenetrueshme për qytetarët e saj për hir të kompleksitetit funksionues. Trajtimi ndaj kësaj problematike është sistematik, në çdo fazë të integrimit evropian. Si Traktati i Mastritit, i Amsterdamit po ashtu edhe i Nisës, kanë kontribuar për përmirësimin e legjitimitetit demokratik të sistemit institucional. Në këtë prizëm dhe Traktati i Lisbonës përforcoi pushtetin e Parlamentit Europian duke i lejuar atij të ushtrojë një kontroll politik më efikas mbi Komisionin Europian nëpërmjet procedurës së emërimit të Presidentit të Komisionit.
Nëse, lufta ndaj deficitit demokratik, çoi në krijimin e nenit 17, për të bërë të mundur që vullneti i shprehur i qytetarëve evropianë ndaj kandidaturave të hedhura në lojë, të çojë në emërimin e njërit prej tyre si koka e ekzekutivit evropian, rezistenca ndaj kësaj lufte shfaqet si mekanizëm jodemokratik, që mbart risk në vetvete.
Nëse vota e qytetarëve do të shpërfillet, risku i një krize legjitimiteti demokratik do të jetë prezent. Qytetarët do të perceptojnë se janë sërish të përjashtuar nga kjo BE komplekse dhe e papenetrueshme. Komisioni Europian do të vërë në dyshim legjitimitetin e tij dhe Këshilli Evropian do të vlerësohet si institucioni, që nuk pranoi të merrte absolutisht në konsideratë zgjedhjen e qytetarëve. Si pasojë, risku se elektorati i partive populiste do të zgjerohet edhe më tej, është gjithmonë prezent. Ky presion demokratik i brendshëm, bëri që Kancelarja Merkel të pozicionohet përfundimisht pro kandidaturës së Juncker, por a do të reflektojnë në të njëjtën mënyrë edhe liderët e tjerë, si psh. kryeministri britanik Kamerun?! A do të zgjedhë ai luftën apo rezistencën ndaj krizës demokratike të BE-së, ndërsa kërkon reformim të saj?! (im.ta)