Edhe Bashkimi Europian i kërkon me ngulm opozitës që të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend. Komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Bruksel, ka deklaruar se është e rëndësishme që debati politik në Shqipëri të bëhet në Kuvend. Ai ka përshëndetur emërimin e dy ndërmjetësuesve të Parlamentit Europian për një marrëveshje midis mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri lidhur me kthimin e opozitës në Kuvend.
“Ne kemi thënë vazhdimisht, se debati politik duhet të zhvillohet në Parlament jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera ku opozita ka bojkotuar Parlamentin. Ne jemi në favor të arritjes të këtij qëllimi, kemi nxitur palët dhe kemi bërë ç’është e mundur që opozita të rikthehet në Parlament. Ky është një hap i parë i rëndësishëm”, u shpreh ai për ABC News.
Komisioneri Hahn ka shtuar gjithashtu se qeveria e Serbisë dhe Kosovës duhet të intensifikojnë punën për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër te dialogut Prishtinë-Beograd.
