Qeveria jonë ka miratuar strategjinë e re për reformimin e sistemit të Menaxhimit Financiar Publik (MFP) në Shqipëri për periudhën 2014-2020. “Gjatë vitit të kaluar është bërë shumë për përcaktimin dhe shlyerjen e fondit të borxheve.
Tashmë fokusi është kthyer drejt forcimit të Menaxhimit Financiar Publik përmes planifikimit të një strategjie reformash për të mbuluar periudhën deri në vitin 2020.
Strategjia MFP është një mjet i rëndësishëm për drejtimin e reformave dhe monitorimin e progresit. Kjo është një përpjekje e përbashkët e qeverisë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani. Shefja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadorja Romana Vlahutin, përgëzoi miratimin e strategjisë.
“Qeverisë shqiptare i duhen dhënë merita të plota për angazhimin e saj të fuqishëm për ndërmarrjen e këtij programi gjithëpërfshirës reformash për trajtimin e gamës së gjerë të të metave të sistemit të menaxhimit financiar publik.
Zbatimi i qëndrueshëm i strategjisë do të jetë tani kyç. BE, nga ana e saj, do t’i mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për trajtimin e kësaj reforme shumë të vështirë strukturore”,- tha Ambasadorja Vlahutin.
Strategjia MFP e Shqipërisë njoftohet se është përshtatur për krijimin e një kuadri të kujdesshëm makro fiskal, përmirësimin e parashikimeve makroekonomike, kontrolle të angazhimeve shumëvjeçare, përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe mekanizma transparentë të raportimit financiar.
Strategjia synon të vendosë një kontroll të brendshëm dhe praktika më të mira të menaxhimit financiar, parandalimin dhe luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit në menaxhimin e fondeve publike, si dhe forcimin e kontrollit të jashtëm dhe mbikëqyrjes së buxhetit.
Zbatimi i saj do të çojë në një administrim më efikas që do të japë shërbime më të mira për publikun. Programi i BE-së për Mbështetjen Sektoriale të Buxhetit prej 40 milionë € do t’i sigurojë fonde buxhetit kombëtar mbi bazën e reformave të arritura.
Ai do të shoqërohet gjithashtu me rritjen e transparencës kundrejt publikut, mbështetje ndaj Parlamentit në rolin e tij mbikëqyrës dhe fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile. Kjo strategji, e hartuar nga Ministria e Financave, me kontribut nga KLSH dhe këshillim nga BE, SIGMA, FMN dhe Banka Botërore, synon intensifikimin e përpjekjeve të vazhdueshme për përballimin e mangësive të të gjithë sistemit të menaxhimit financiar publik.
