Komisionari i Bashkimit Evropian për çështje financiare dhe ekonomike, Pierre Moscovici, kërcënoi me sanksione Panamanë dhe vende të tjera, nëse ato nuk bashkëpunojnë në luftën kundër pastrimit të parave dhe shmangies së taksave.
Firma juridike, Mossack Fonseca, me seli në Panama, ka ndihmuar mijëra njërëzve të pasur dhe të njohur dhe korporatave të mëdha, të regjistrojnë kompani dhe llogari të jashtme për shmangie së taksave në shtetet e tyre.
Për shkak se në llogaritë e tilla shpeshherë identiteti i pronarit është sekret, ato përdoren edhe për pastrim të parave.
“Njerëzit janë të ngopur me këto shkelje”, tha Pierre Moscovici, dhe ka shtuar se “sasia e parave, juridiksionet dhe emrat e ndërlidhura me këtë çështje, janë sinqerisht shokuese”.
Në listën e BE-së për vendet që nuk janë bashkëpunuese në çështjen e taksave, përfshihet Panamaja, prandaj Moscovici ka kërkuar që ky vend “ta rishqyrtoj pozicionin e saj”.
BE-ja duhet “të jetë e gatshme për t’i goditur ato vende me sanksione përkatëse nëse ato refuzojnë të ndryshojnë”, tha Pierre Moscovici.