Këshilli i ministrave të Brendshëm të BE-së u pajtua për mundësinë e pezullimit të regjimit të lirë kufitar për një periudhë deri në 6 muaj, përtej së cilës, në rast problemesh, i kërkojnë rekomandim komisionit, në zbatim të nenit 26 të kodit të kufirit Schengen.
Ky vendim prek në mënyrë direkte fqinjët e BE-së dhe të hënën komisioneri Dimitris Avramopulos tha se do të diskutojë në Sarajevë me ministrat e Brendshëm të Ballkanit mbi vendimet e Këshillit.
“Ne kërkuam kufizime të përkohshme për rivendosjen e kontrolleve kufitare në kufijtë e brendshëm, në bazë të vendimeve nacionale. Këto kontrolle mund të kufizohen vetëm për një periudhë deri në 6 muaj. Kështu që, në mars përfundon afati për Gjermaninë dhe Austrinë, për shembull, dhe ministrat u pajtuan se kur ka mangësi serioze, të cilat rrezikojnë funksionimin e zonës Schengen, si rezultat i ngjarjeve objektive, atëherë neve do të na duhet të kemi një kuadër të përbashkët europian”, tha Jean Asselborn, ministër i Jashtëm i Luksemburgut, Presidenca e BE.
“Schengen nuk është problemi. Ne duhet të përdorim mjetet e tij për ta bërë pjesë të zgjidhjes. Kjo mund të ndodhë vetëm me zbatimin e duhur të rregullave dhe forcimin e kontrolleve kufitare”, shtoi Dimitris Avramopoulos.
Vetëm një ditë më parë, Greqia kërkoi ndërhyrjen e FRONTEX dhe aktivizimin e mekanizmit të mbrojtjes civile europiane. E pafuqishme, juridikisht, për nxjerrjen e Greqisë nga Schengen, krahas kërcënimit për rikthim të kufijve në segmente të veçanta, BE planifikon dhe forcim të agjencisë FRONTEX për mbikqyrjen e kufijve, në pamundësi të një vendi anëtar.
