Negociatat për planin financiar të BE-së deri në 2020-n dështuan. Tani diskutohen propozimet për kursime. Në shënjestër: ndihma për zhvillimin e vendeve më të varfra
Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompi, në samitin e BE-së për buxhetin javën e kaluar propozoi shkurtimin me 11% të buxhetit për ndihmën për zhvillimin e vendeve të varfra. Në krahasim me zërat e tjerë të buxhetit, ky shkurtim do të jetë shumë i lartë. Për këtë propozim, Rompi mori kritika të ashpra nga organizatat profesioniste të ndihmës, por edhe nga kryeministri luksemburgas, Zhan Klod Xhanker. “Nuk është gjë e mirë për imazhin e BE-së që të kursejë në kurriz të më të varfërve. 24 mijë fëmijë vdesin çdo ditë nga uria në botë dhe ata nuk janë në sallën e negociatave, – u shpreh Xhanker. – Nuk e kuptoj se si mund t’i shpjegohet pjesës tjetër të botës politika për zhvillim duke vënë më pak para në dispozicion. E di se shumë vende anëtare po pakësojnë nga buxhetet kombëtare drejt ndihmës për zhvillimin”, tha ai pas samitit të dështuar për buxhetin në Bruksel.
Ende gjithçka është e hapur
Kryetarët e shteteve të BE-së nuk i kanë miratuar ende shkurtimet për ndihmën e vendeve në zhvillim, sepse plani financiar i BE-së nga viti 2014 deri 2020 nuk u aprovua. Kontribuesit neto dhe përfituesit neto në BE do të takohen përsëri në Bruksel në fund të janarit të 2013-s për të arritur një kompromis për buxhetin.
Deri atëherë grupi i lobimit “Concord”, një bashkim i një numri të madh organizatash joqeveritare në Bruksel, do të mbrojë me forcë buxhetin e ndihmës për zhvillim.
“Dy muajt e ardhshëm do t’u drejtohemi qeverive dhe shpresojmë që ata që kontribuojnë të angazhohen më fort dhe t’u drejtohen edhe të tjerëve për ta vënë gishtin në plagë”, thotë Lars Boselman, përgjegjës për buxhetin e BE-së. Kryeministrat e Suedisë dhe Luksemburgut, të cilët angazhohen për ndihmën për zhvillim, duhet të shpjegojnë se kursimet në këtë pjesë nuk janë të mundura dhe se në të vërtetë nuk bëhet fjalë për shumë para.
Një pjesëz e vogël nga torta e madhe
Nga rreth 1 000 miliard eurot që BE-ja planifikon të shpenzojë nga buxheti i përbashkët për periudhën 2014 -2020, vetëm 34 miliardë shkojnë për fondin e përbashkët të ndihmës për zhvillim. Ky fond special zhvillimi është i rezervuar për projekte ndihme në shtete të varfra të Afrikës, Karaibeve dhe hapësirës në Paqësor. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë dikur koloni të shteteve të BE-së. Për këtë arsye, në këtë fond kontribuojnë më shumë ish-shtetet koloniale në perëndim dhe jug të Evropës.
Krahas fondit për zhvillim për vendet më të prapambetura në buxhetin e përbashkët të BE-së ka edhe fonde të tjera që kanë të bëjnë me politikën e zhvillimit. Më i madhi është “Instrumenti për bashkëpunim” me 23 miliardë euro për shtatë vjet. Ky fond është parashikuar për projekte në të gjitha vendet në zhvillim. Krahas tij ekziston edhe një fond për bashkëpunimin me fqinjët në Evropën Lindore dhe Afrikën Veriore, një fond për kandidatët për anëtarësim në BE, një për të drejtat e njeriut e madje edhe një buxhet special për Groenlandën. Të gjitha së bashku ato emërtohen në zërin e buxhetit “Marrëdhënie me jashtë”, i cili ka një vëllim prej 66 miliardë eurosh për shtatë vjet.
Jetike për miliona njerëz ndihma e BE-së
“Edhe shkurtimet më të vogla në fondin për politikën e zhvillimit mund të kenë efekte direkte në jetën e njerëzve”, pranoi presidenti i Komisionit të BE-së, Hoze Barroso.
“Pyetjet që ngrihen janë: Sa fëmijë shkojnë në shkollë me ndihmën evropiane? Sa fëmijë në vendet në zhvillim mund të vaksinohen ose jo?”, u shprehLars Boselman.
Vendeve në zhvillim u është premtuar se mjetet financiare do të shtohen në periudhë afatgjatë.