Dhënia e statusit për Shqipërinë nuk do të bëhet javën e ardhshme, por do të pritet qershori.
Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk do t’i japin statusin Shqipërisë në mbledhjen e javës së ardhshme, i kanë thënë burime diplomatike agjencisë së Brukselit, EuroAktiv. Ndërkohë, pritet t’u hapet drita jeshile negociatave me Serbinë, nëse plotësohen disa kushte, mes të cilave edhe përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Holanda ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e statusit për Shqipërinë, ndërkohë që ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë çështjet e zgjerimit javën e ardhshme, në 10 dhjetor.
Diplomatët e kanë thënë agjencisë EurActiv se nuk do të marrin vendim për Shqipërinë, duke shtuar se vendi duhet të bëjë më shumë në drejtim të 12 kushteve të theksuara nga Komisioni në raportin e tetorit. Mënyra se si do të mbahen zgjedhjet është një ndër çështjet më me rëndësi për statusin, thanë ata.
Ndërsa vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve në qershor të vitit të ardhshëm, vendimi për dhënien e statusit nuk ka gjasa të jepet para se vendet e Bashkimit Europian të sigurohen se standardet demokratike elektorale janë respektuar dhe votuesit kanë zgjedhur parlamentin e ri pa tensionet e vërejtura në zgjedhjet e kaluara.
Ministrat e BE-së pritet të aprovojnë një raport mbi Serbinë, i cili do t’u bashkëngjitet konkluzioneve të samitit të 13-14 dhjetorit. Sipas raportit, BE do të shohë mundësinë e hapjes së negociatave me Serbinë, në bazë të kushteve, të cilat sipas diplomatëve nuk janë të reja për Beogradin.
Parashikimet janë pozitive, sidomos tani që marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën kanë njohur përmirësime.