“Përfaqësuesit e Bashkimit Europian nuk kanë përgatitur një ‘plan B’ në rast se qytetarët britanikë do të vendosin për daljen e vendit të tyre nga blloku me 28 antarë”, kështu është shprehur Margaritis Schinas, zëdhënësi i Komision Europian.
Ai tha se zyrtarët e unionit nuk duan të përfshihen në çështjet e Brendshme të Britanisë dhe se vazhdimësia e saj brenda BE-së do të qartësohet pas referendumit që do të mbahet më datë 23 qershor.
Kur të gjithë menduan se marrëveshja e arritur mes Britanisë dhe Bashkimit Europian qetësoi të dyja palët, në Londër pyetja të qëndojmë apo të dalim nga Bashkimi Europian është kthyer më e fuqishme se kurrë. Dhe kjo jo vetëm jashtë kabinetit qeveritar, por edhe brenda tij. 6 ministra të kryeministrit Cameron kanë nisur një fushatë të ashpër kundër marrëveshjes së Cameron, duke kerkuar mbështetje për daljen e Britanisë nga Unioni.
Për të mbrojtur idenë e tij Cameron do të prezantojë me detaje edhe marrëveshjen e arritur me Brukselin.
Ai thotë se akordi i arritur forcon sovranitetin britanik dhe se Mbretëria e Bashkuar do të jetë “më të sigurt dhe më të fortë” nëse qëndron brenda Unionit.
Marrëveshja përfshin ndryshime që lejojnë reduktimin e pagesave sociale dhe garanci për shërvbimet financiare britanike ndërkohë që lehtësojnë edhe bllokimin e rregulloreve të padëshiruara të BE-së. Ajo do të hyjë në fuqi menjëherë nëse britania e madhe voton për qëndrimin në BE.
