Parashikimet ekonomike të BE-së shfaqen optimiste, duke vlerësuar një rimarrje ekonomike pas daljes nga recensioni që prej një viti. Zv. Presidenti i Komisionit Europian, Siim Kallas deklaroi për mediat se situata është pozitive, ndjekja e reformave ka sjellë një sërë përmirësimesh, si zvogëlim deficiti, rritje të investimit, të punësimit, etj.
“Rimarrja ekonomike është tashmë një fakt. Deficitet po zvogëlohen, investimi po rritet dhe situata e punësimit ka filluar të përmirësohet. Ndjekja e reformave nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe vetë BE po sjell frytet e veta. Ky ndryshim strukturor në proces, më rikujton adaptimin e plotë me të cilin kanë proceduar ekonomitë e Europës Qendrore dhe Lindore në vitet ’90 dhe për të përgatitur aderimin e tyre në BE, saktësisht 10 vite më parë. Eksperienca e tyre tregon sa e rëndësishme është ndërmarrja që në fillim e reformave strukturore dhe mbajtja e ritmit pavarësisht vështirësive të hasura. Në këtë frymë, ne nuk duhet të heqim dorë nga përpjekjet tona me synim krijimin e më shumë vendeve të punës për europianët dhe të përforcojmë potencialin e rritjes,”- deklaroi Kallas.
Rimarrja ekonomike e BE-së pritet të jetë progresive. Situata e tregut të punës, pritet të përmirësohet dhe përqindja e papunësisë të zvogëlohet ( për të arritur nivelin 10,1% në BE dhe 11,4% në zonën euro më 2015).
Rritja e PBB duhet të kapi nivelin 1,6% në BE dhe 1,2% në zonën euro në 2014 dhe do të rritet akoma në 2015, duke arritur nivelin prej 2% dhe 1,7% respektivisht.
Inflacioni pritet të qëndrojë i dobët si në BE (1% më 2014, 1,5% më 2015) dhe në zonën euro (0,8 % dhe 1,2 %). Reduktimi i deficiteve publike duhet të vazhdojë për të arritur më 2014 rreth 2,5% të PIB si në BE dhe në zonën euro.
Parashikimet ekonomike ngrihen mbi hipotezën se masat e adoptuara do të vihen në jetë nga shtetet anëtare dhe BE, të cilat pritet të bëjnë gjithashtu rregullimet e nevojshme në këtë kuadër.
