Ja emrat e rusëve, që BE ka futur në listën e “zezë”

redaktor

Sanksionet e reja të vendosura sot nga BE përfshijnë një listë me 21 emra rusë dhe ukrainas, të cilët janë konsideruar përgjegjës në përfshirje në konfliktin në Krime. Sanksionet kanë të bëjnë me ndalime udhëtimesh dhe ngrirje asetesh. Masa të tjera priten të zbatohen në ditët në vazhdim, gjatë zhvillimit të Samitit evropian në Bruksel.

Për sa i përket BE-së, sanksionet e vendosura prekin 13 përgjegjës rusë dhe 8 ukrainas pro-rusë, ndaj të cilëve është vlerësuar se kanë cenuar sovranitetin ukrainas. Por, sanksionet nuk përfshijnë presidentin rus, Vladimir Putin.

Nga ana amerikane, sanksionet prekin 11 persona, nga të cilët 7 rusë dhe 4 persona të akuzuar për bashkëpunim me Rusinë në Ukrainë, ndër të cilët presidenti i ikur nga pushteti Viktor Ianoukovitch. Ndërmjet rusëve, figuron zv. Kryeministri Dmitri Rogozine, Presidentja e Këshillit të Federatës (dhoma e lartë të Parlamentit rus), Valentina Matvienko, si edhe dy këshilltarët e afërm të Vladimir Putin   (Vladislav Sourkov et Sergueï Glaziev) dhe dy të zgjedhur nga Duma (dhoma e ulët e parlamentit rus).

Ngrirja e aseteve, bën pjesë në sanksionet financiare ndërkombëtare, instrumenta të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara si edhe Unionit Europian. Ajo konsiston në bllokimin e të gjithë gjendjeve aktive si për personat fizike, po ashtu edhe ato morale dhe shkon deri në konfiskimin e të mirave imobiliare.

Kur vendosen në nivel europian, sanksionet financiare janë një mjet i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët (PESC) dhe janë rezultat i një pozicioni të përbashkët të BE-së. Ato aplikohen nga një rregullore e Këshillit ose e Komisionit Europian. Këto rregullore europiane kanë forcën e ligjit në çdo shtet të BE-së. Llogaritë bankare të mbajtura nga personat e shënjestruar do të ngrihen dhe e njëjta gjë pritet të ndodh edhe për të mirat imobiliare.

Shtrëngimi i vizave konsiston në bllokimin 6 mujor të lëvizjeve në BE dhe mund të rinovohen sërish pas kalimit të afatit.

Një fazë e tretë sanksionesh, mendohet të shqyrtohet gjatë mbledhjes së Samitit Europian, ditët në vijim në Bruksel.

Liste 1

Liste 2

Liste 3

(vijon)

BE, sanksione të reja ndaj Rusisë

Këshilli i BE-së ka adoptuar ditën e sotme, masat shtrënguese kundër personave përgjegjës, për veprimet që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, si edhe personave dhe entiteteve të lidhura me to. Masat shtrënguese, vijnë në të njëjtën linjë me deklaratën e krerëve të shteteve dhe të qeverive të BE-së, të mbledhur më 6 mars në Bruksel,

Në këtë këndvështrim, 21 persona janë identifikuar dhe shënjestruar për ngritje asetesh në BE dhe ndalim udhëtimi. Sanksionet hyjnë në fuqi ditën e sotme, pas publikimit të akteve ligjore me listën e personave në fjalë, në Fletoren Zyrtare të BE-së, mbasditen e sotme.

Ndërsa pritet një publikim i mundshëm i listës, burime të ndryshme diplomatike theksojnë, se në këtë listë do të mungojnë aktorët kryesorë, që qëndrojnë në krye të konfliktit ukrainas/im.ta/

(vijon)

Këshilli i BE-së në konkluzionet që ka botuar ditën e sotme, dënon fuqimisht Referendumin ilegal të mbajtur në Krime,  për t’iu bashkuar Federatës Ruse më 16 Mars, në shkelje të qartë të Kushtetutës ukrainase. BE thekson, se nuk njeh këtë referendum dhe as rezultatin e tij.

Në konkluzione specifikohet gjithashtu, se Referendumi është mbajtur nën prezencën e forcave të armatosura ruse, nën kushte intimidimi të aktivistëve civilë dhe gazetarëve, duke bllokuar kanalet televizive të Ukrainës dhe duke penguar trafikun civil brenda dhe jashtë Krimesë.  Këshilli i BE-së, kritikon këto zhvillime të mëtejshme negative, që janë të dhunim të hapur të integritetit territorial dhe sovranitetit ukrainas.

Këshilli i BE-së, thekson se në mungesë të prodhimit të rezultateve mbi negocimet nëpërmjet mekanizmave shumëpalësh, vendosen masa shtesë, duke përfshirë shtrëngime udhëtimi dhe ngrirje asetesh kundër personave përgjegjës për akte që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, duke përfshirë veprime mbi statusin e ardhshëm të çdo pjese të territorit, që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Ukrainës, personave dhe entiteteve të lidhur me to.

Konkluzionet insistojnë mbi logjikën e negocimeve midis palëve, për gjetjen e një zgjidhje paqësore në përputhje me ligjet ndërkombëtare në fuqi. Këshilli i BE-së, thekson se ka ende kohë për të përmbysur zhvillimet aktuale dhe se ekziston mundësia për shmangien e spirales negative. Ai fton Rusinë, të mos ndërmarrë hapa për aneksimin e Krimesë, në dhunim me ligjin ndërkombëtar dhe të mos vetizolohet diplomatikisht dhe ekonomikisht, por të bashkëveprojë për gjetjen e një zgjidhje.

Këshilli i BE-së konsideron, se ka një nevojë urgjente për një prezencë ndërkombëtare në Ukrainë, duke përfshirë edhe Krimenë. Ai mbështet gjithashtu edhe zhvendosjen e shpejtë të një Misioni Special Monitorimi të OSBE-së, në Ukrainë.

Konkluzionet ritheksojnë gjithashtu, angazhimin e BE-së përballë Ukrainës, si në planin politik, po ashtu dhe në atë ekonomik, duke i bërë thirrje autoriteteve ukrainase të vazhdojnë rrugën e tyre në përmbushjen e të gjithë standardeve të kërkuara dhe reformave kushtetuese.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *