Taksat mbi pronën në Itali, sipas raportit të BE-së, thellojnë pabarazinë
Në analizën e raportit të BE-së për vitin 2012 mbi Punësimin dhe Zhvillimin Social në vendet evropiane, në paragrafin kushtuar Italisë kërkohet që taksat bashkiake të modifikohen në një drejtim edhe më progresiv. Aty jepen të dhëna se taksat e vjetra nuk kanë pasur asnjë ndikim mbi pabarazinë ekonomike, në të kundërt kanë ndikuar në rritjen e varfërisë.
“Taksat e pronave nuk kanë ndikim mbi pabarazitë sociale në Estoni dhe Itali dhe besohet se po rrisin varfërinë, sidomos në këtë të fundit”, shkruhet në raport. Në një kornizë të dhënash dedikuar posaçërisht rastit të Italisë, ekspertët e ekonomisë në Bruksel tregojnë se disa aspekte të reformës më të fundit të vitit 2012 “mund të përmirësohen më tej në mënyrë që të forcojnë përparimin e saj”.
Komisioneri për Çështjet sociale, Laslo Andor, nuk ka dashur të futet në thelb të çështjes së taksave mbi pronësinë, sepse sipas tij bëhet fjalë për një “argument elektoral në Itali”. Ai u pyet nëse IMU (taksa mbi pronën) mund të shfuqizohej nga Komisioni Evropian dhe ai u limitua të përgjigjej se për Italinë është ‘shumë e rëndësishme’ të vijohet me konsolidimin e buxhetit duke siguruar grupet sociale të pafavorizuara si “të rinjtë dhe gratë, që kanë akses në tregun e punës”. Andor është i mendimit se parimi i të dhënit llogari për grupet sociale të pafavorizuara duhet të ndiqet në përcaktimin e politikave buxhetore.
Në raport, duke iu referuar rastit të Italisë, Komisioni Evropian tregon disa aspekte që mund të përmirësohen në çështjet e taksave mbi pronën, të tilla si: aktualizimi i vlerave kadastrale, zbritjet që nuk kanë lidhje me mundësitë e taksapaguesve për të përballuar tatimin mbi të ardhurat, përcaktimin e vendbanimit fillestar dhe sekondar etj. Reduktimi i pabarazisë të të ardhurave pritet të zhvendoset nga vlera e aseteve drejt vlerës së tregut të shtëpive, gjë që shpjegon edhe rritjen progresive të vlerës së qirave.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Xhulio Tremonti, është duke përgatitur ankesën. Opinioni shprehur nga BE-ja, e cila e konsideron IMU-n të mangët në drejtim të progresit, i ofron Tremontit mundësinë për të kërkuar një rimbursim të taksës të konsideruar si jokushtetuese.
Tani që edhe zyrat e Komisionit kanë dhënë një mbulim arbitrar, kjo tezë do të bëhet edhe më e lehtë për ish-ministrin e Ekonomisë që të apelojë në Këshill. Çdo refuzim i mundshëm nga ana e Komisionit Evropian, do të krijonte një boshllëk prej rreth 25 miliardë eurosh (kaq janë vlerësuar të ardhurat e IMU-s). Pa përmendur pastaj peshën e këtij kundërshtimi që në fushatën elektorale lidhet pikërisht me të ardhmen e kësaj takse, me të cilën luhet një pjesë e madhe e fatit të saj.