Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle dhe ministrja e Jashtme qipriote, Erato Marcoullis, gjatë konferencës për Politikat e Zgjerimit të Bashkimit Evropian kanë bërë të qartë se përfundimisht zgjedhjet e 2013-ës nuk janë një kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Kjo nuk është pjesë e konkluzioneve dhe sigurisht nuk është pjesë e kritereve për marrjen e statusit. Por padyshim zhvillimi i zgjedhjeve do të jetë mjaft i rëndësishëm dhe do të tregojë vullnetin e mirë të shqiptarëve për të përmbushur reformat e rëndësishme, por përfundimisht, nuk janë një kusht”,- deklaroi ministrja e jashtme e Qipros.
Ndërsa komisioneri Stefan Fyle u bëri sërish apel politikanëve shqiptarë që të përqendrohen tek tre kushtet e mbetura, sepse sipas tij procesi i anëtarësimit bazohet në kredibilitet.
“Ne aktualisht kemi një kohë të gjatë duke shqyrtuar konkluzionet dhe rekomandimet, te cilat nuk lënë hapësirë të gjerë për interpretime të ndryshme dhe në fakt ka shume interpretime të ndryshme”- u shpreh komisioneri Fyle. Më 12 dhjetor Shqipërisë iu refuzua statusi i vendit kandidat për herë të tretë, për shkak të mosvotimit të tre ligjeve të cilat kërkojnë 3/5 në Parlament. Ndërkaq, më herët ndërkombëtarët janë shprehur se zgjedhjet parlamentare janë një test i rëndësishëm për hapjen e negociatave. Nga ana e saj Partia Socialiste pretendon se zhvillimi i zgjedhjeve në mënyrë të lirë e të ndershme janë pika kyçe e integrimit dhe se vetëm atëherë Shqipëria do të marrë statusin, pretendim i cili ka gjetur kundërshti nga ana e kryeministrit Berisha.