Beatriçe Berati, gjysma tjetër e pathënë e jetës së saj

Ornela

Ylli POLOVINA

Sipas studimit të Vexhi Buharasë për lagjen Murat Çelebi të Beratit, midis familjeve të ardhura këtu për banim prej qyteteve dhe krahinave të tjera, përmendet edhe ajo Janina, e  ardhur nga qyteti i njohur në veri të Greqisë.

Njëri pjesëtar i saj, Muhameri, qe bashkuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Një ditë, me akuzën e marrëdhënieve intime me një shoqe të batalionit, u pushkatua.

Por ende pa marrë mbi trup plumbat u përhap fjala se e gjithë ajo që kish ndodhur, pati qenë një intrigë. Pra vajza që flirtoi me të fizikisht, ishte e vënë tinëzisht nga numri një i partisë dhe i komandës lokale të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, Gjin Marku.

Kështu ky episod i provokuar gjyqi ekstremist shkaktoi urdhërimin nga lart, prej vetë Enver Hoxhës, të ndalimit sa më parë të vrasjes. Por korrieri mbërriti vonë, kur jeta e Muhamerit ishte marrë.

Ndërkaq ai kishte edhe një vëlla tjetër: Myqeremin.

Ky qe njëosmanolog dhe orientalist ndër më të mirët e Shqipërisë. I ati pati marrë në Stamboll, nëpërmjet kopjimit me dorë, një pjesë të madhe të arkivit të ushtrisë perandorake osmane, duke i vendosur dokumentet në bibliotekën e tij private në Berat.

Në 1946, vetë kryetari i degës së Punëve të Brendshme të qytetit, në një turmë me punonjës të vet, i vunë zjarrin asaj duke e shfarosur krejtësisht.

Është shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi, i cili në vitin 2020 nëpërmjet një shkrimi të posaçëm për këtë poliglot të lindur në Stamboll në një familje pashallarësh me karrierë deri në postin e vezirit, por që pati jetuar edhe në Francë, në Itali dhe në Greqi, ta mishërojë në një rrëfim. Ishin miq dhe gjithçka e kishte marrë prej gojës së vetë Myqeremit.

Sipas Nasho Jorgaqit, në vitin 1946 (pra kur i dogjën edhe bibliotekën), Myqeremi, i cili si edhe i vëllai tashmë i pushkatuar dhe i mohuar për çdo kontribut që kishte dhënë për Lëvizjen Nacionalçlirimtare, pati të trashëguar titullin e beut, u arrestua. E akuzonin për lidhje me elementë të reaksionit ndërkombëtar e të brendshëm, të cilat ai nuk i pranoi. Megjithatë e dënuan me 5 vjet burg dhe internim.

Në 1952 u rikthye në Berat, por tashmë i privuar nga të gjitha pronat dhe pasuria familjare. Studiuesi Jorgaqi në shkrimin e tij shënon se Myqerem Janina “Kish mbetur krejt vetëm, si njeri pa njeri, duke u marrë kryesisht me lexim dhe përkthime.

Ishte një gjë krejt e papritur dhe fatlume për të kur në vitin 1960 e thërrasin në Tiranë dhe e emërojnë si përkthyes i osmanishtes në Institutin e Historisë. Megjithëse në moshën 70 vjeçare, ai iu vu punës me përkushtim dhe kompetencë të lartë profesionale, duke kontribute me vlerë për 18 vjet me radhë në fushën e shqipërimit të dokumenteve osmane.

Sipas prof. Kristaq Priftit, Myqerem Janina përktheu një korpus të tërë prej mijëra faqesh me materiale shumë të rëndësishme të dokumentacionit osman në ndihmë të hartimit të historisë së Shqipërisë të periudhës së Mesjetës të shekujve XV-XVII. Pjesë e këtij korpusi që përktheu është dhe “Defteri ose Regjistri i Sanxhakut të Shqipërisë së viteve 1431-1432”, i përgatitur dhe i botuar nga historiani i madh turk H. Inalçik”.

Shkruan disa paragrafë më poshtë Nasho Jorgaqi: “Ishte shtatori i vitit 1978. Si qe e mundur që një plak në moshën 88 vjeçare të burgosej, aq më tepër një intelektual specialist, që merrej kryesisht me dorëshkrime mesjetare. Unë që e njihja nga afër, që kisha biseduar aq herë me të, nuk pata dëgjuar qoftë dhe njëherë të vetme të më fliste për politikë apo të shprehte ndonjë pakënaqësi.

E vetmja gjë që më tërhiqte vëmendjen ishte korrespondenca që mbante me kushërinjtë e me ndonjë mik të rinisë në Turqi e Francë dhe dhuratat që ata i dërgonin, të cilat ai një pjesë ua dhuronte njerëzve.

Pas disa kohësh disa hollësi të burgimit të tij i mora vesh drejt nga Beatriçja që erdhi në fakultet për të dhënë një provim si mësuese e letërsisë në lëndën time. Më shumë se për përgjigjet e tezës, unë pyeta për xha Myqeremin dhe ajo do të më tregonte me lot në sy për kalvarin që ai kish hequr në hetuesi dhe në burg, ku torturohej dhe mbahej nën tension të rëndë psikologjik. Nuk do të më hiqej nga mendja rrëfimi i saj shumë i dhimbshëm, por dhe qëndrimi i palëkundur i kësaj vajze aq besnike.

Për afro një vit hetimi, duke përdorur dëshmitarë të rremë, nën grushtet e hetuesve dhe fyerjet e tyre, i pandehuri 89 vjeçar dënohet nga gjykata e rrethit të Tiranës me 8 vjet burg me akuzën për agjitacion e propagandë”.

 

Por cila ishte Beatriçja

 

Për të cilën profesor Jorgaqi nuk bën asnjë prezantim tjetër përveç thjesht emrit?

Ajo qe bijë e këngëtarit shumë të njohur të Teatrit të Operës dhe Baletit, Zihni Berati. Ky pati lindur në qytetin e një mbi një dritareve në 25 prill 1922 dhe simbolikisht përgatitjen e parë muzikore e kishte kryer në mjedisin e këngës, siç flitej, në një familje me prirje kulturore, ardhur herët prej lagjes së Kodrës Breg. Mendohej se qe jevg i bardhë, por kjo në rastet kur flitej për jetën e tij si talent i veçantë artistik, por edhe si njeri mjaft inteligjent, nuk thuhej për t’i gjetur ndonjë të metë. Zihniu me emrin e biografinë e vet i nderonte beratasit dhe përfaqësonte qytetarin që pati arritur në fushën e muzikës pikën më të lartë të karrierës profesionale.

Studimet për kanto Zihni Berati i pati kryer gjatë viteve 1945-1950 në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Qe tenori i parë në çastin e hapjes së siparit operistik shqiptar në 27 nëntor 1953. Për 23 mote pa pushim, duke realizuar 24 role premierë si edhe të tjerë, nga 1950 e deri sa doli në pension në 1973, punoi me Filarmoninë, në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Vajza e tij, Beatriçja, lindi në Tiranë në vitin 1943.

Erdhi në Berat e emëruar si mësuese në vitin akademik 1967-1968 dhe e nisi punën në shkollën “22 Tetori”. Kjo tridhjetë e pesë vjeçare ishte shumë bardhoshe, faqet i kish me quka të kuqe, po ashtu, të kuqërremtë, edhe flokët. Këto i krihte në një mënyrë mjaft të veçantë, me një stil romantik. Kjo pamje e bënte të binte në sy, por megjithatë gjatë gjysmë dekadës së qëndrimit në qytetin e origjinës së të atit të saj, nuk u duk se ra në ndonjë dashuri.

Gjersa i erdhi transferimi për në Tiranë.

Ilda Kafazi, një beratase e ditur dhe vëzhguese e hollë e karaktereve njerëzorë, e cila njihej me Beatriçen, na ka shpjeguar si ndodhi lidhja shpirtërore e të bijës së Zihni Beratit, me Myqerem Janinën.

Në Tiranë tek Rruga e Ambasadave, ishte një shtëpi dykatëshe, një lloj vile, në të cilën bashkë me të tjerë, por i veçuar në vetëm një dhomë me paradhomë në katin e dytë, në fund të viteve shtatëdhjetë u strehua edhe Myqerem Janina. Zihni Berati e kishte shtëpinë e vet në krahun tjetër të rrugës kryesore, asaj të Durrësit, në një distancë më të vogël se pesëdhjetë metra, duke qenë kështu të dy përveç se beratas edhe fqinj.

Kur Myqerem Janina transportoi pak nga pak plaçkat për në banesën e re, për shkak të moshës së tij tetëdhjetë vjeçare dhe të brishtësisë trupore, shumë bashkëqytetës e ndihmuan, mes tyre edhe Beatriçja.

Ilda Kafazi këmbëngul se e bija e Zihni Beratit e shfaqte fare hapët admirimin për Myqeremin, por nuk beson se mes të dyve ka pasur dashuri fizike dhe ca më pak bashkëjetesë në të njëjtën shtëpi. Ky arsyetim na duket i përfillshëm sepse mund të ketë diçka që e zmadhon dhe e ndërlikon Myqeremi Janina, i mësuar të ishte pranë të rinjve, të kuptohej shumë natyrshëm me ta dhe po ashtu të pëlqehej prej tyre.

Sidoqoftë Nasho Jorgaqi e vijon rrëfimin siç ja ka treguar osmanologu i famshëm romantik. Sipas rrëfenjës ata të dy, pra të porsadashuruarit e çuditshëm, u paraqitën në zyrën e gjendjes civile të Tiranës “dhe kërkuam ta legalizonim lidhjen tonë. Kur vajtëm para ofiqares së gjendjes civile dhe i parashtruam kërkesën tonë, ajo sikur u çorodit dhe pyeti: “Po dhëndri ku është?” Unë jam dhëndri, – ia ktheva serioz. Ajo shqeu sytë dhe më tha: “Ik, o xhaxho, se s’bëjmë martesa të tilla. Nuk e shikon, ajo është mbesa jote!”

Ne nuk e zgjatëm dhe u kthyem andej nga kishim ardhur. Ç’do të bënim? Nuk mund të bashkëjetonim ilegalisht. Ishim kundër ligjit të shtetit, por ne i bindeshim ligjeve të zemrës. Por sikur të mos mjaftonte kjo, nuk vonoi më thërrasin në Drejtorinë e Institutit të Historisë. Më priti drejtori dhe sekretari i partisë. “Urdhëroni, – u thashë, – përse më keni thirrur?” Drejtori zgjati një copë shkresë.

E kish dërguar Gjendja Civile që refuzonte kërkesën time dhe kërkonte të merrej masë ndaj meje. Unë heshta, kurse sekretari i partisë më pyeti: “Ç’do të bëjmë tani me ty?” Unë u mendova një hop dhe iu përgjigja: “Kjo është njësoj sikur unë t’u pyes se ç’do të bëni ju me gratë tuaja.” Ata buzëqeshën, ndërsa njëri prej tyre tha: “S’është punë për t’u tallur”. Kurse unë ia prita: “Vetëm me dashurinë s’të lë Perëndia të tallesh.” Nuk folëm për një copë herë, derisa drejtori tha: “Xha Myqerem, kemi të bëjmë me shtetin dhe jo me Perëndinë”.

Me këto fjalë mori fund takimi zyrtar. U dhashë dorën dhe u ktheva në shtëpi ku më priste Beatriçja. Ia tregova të gjitha dhe pastaj i bëra thirrje me gjithë shpirt të vendoste për fatin e saj. “Unë tani s’e kam të gjatë, – i thashë. – Ti ke jetën tënde përpara dhe më shumë ka vlerë jeta jote se e imja. Për aq sa më ka mbetur, do të lutem vetëm për ty!”

Karakteri i fortë i saj e kish përmbajtur veten deri në atë çast. Pastaj ajo shpërtheu në lot, ndërsa unë i puthja duart. Ajo tha: “Tani e tutje shtëpia jote është dhe shtëpia ime. Sa të jemi gjallë, do të jetojmë nën këtë çati!”

Pak më tej Nasho Jorgaqi vë në dukje se në shtator 1978, kur qe 88 vjeçar, Myqeremin e arrestuan sërish dhe këtë herë do ta mbanin gjatë në burg.

Por studiuesi nuk shkruan se dy vite më pas, në 1980, me akuzën për agjitacion dhe propagandë, u arrestua edhe Beatriçe Berati. Ilda Kafazi dëshmon se fëmijët e Zihni Beratit (dy djemtë), nuk merreshin me politikë, por me art, mënyrë sjelljeje e të gjithë familjes. Ajo shton se as Beatriçen nuk e pati dëgjuar njeri të ngatërrohej me dyshime kundër regjimit, por gjithsesi mund edhe t’i kishte shpëtuar diku goja. Ajo paraqet një episod që tregon këmbënguljen e saj për të bërë publike pasionin martesor për t’u bashkuar në një shtëpi me Myqeremin dhe s’ka çudi që të dy arrestimet të kenë qenë, mes të tjerash, edhe manovër për të mos i lejuar të krijonin çiftin problematik për moralin puritan të realkomunizmit.

Beatriçja u dënua me 4 vjet burg, por kreu vetëm dy, sepse u lirua në 1982.

Ndërkaq Nasho Jorgaqi tregon se në fillim të vitit 1989, tek ecte në rrugë, e kish thirrur Myqerem Janina. Sapo qe liruar nga burgu. Pas disa muajsh osmanologu i shkëlqyer do të ndërronte jetë. Ishte 99 vjeç dhe për vetëm fare pak çaste nuk e pa dot ndryshimin e regjimit që u soll keq me të.

Ndërkaq me tërënëai, Beatriçe Berati emigroi në Evropën Perëndimore dhe nuk u rikthye më. As u ndje, qoftë edhe në internet.

Sot emri i politikanit të pushkatuar gabimisht, Muhamer Janina, i ështëvendosur një gjimnazi në Urën Vajgurore, tek qyteza-bashki, e cila konsiderohet si “paradhoma e Beratit”. Kurse për të vëllanëdijetar i klasit të lartë, Myqeremin, nga administrata e Shtetit deri tani nuk është dhënë shenjë se mund të përdoret për të nderuar të paktën një shkollë.

Share This Article
5 Comments
  • Te denosh tjetrin ne moshen 88 vjece , eshte skandaloze

    Vetem mendimi qe te denosh nje njeri ne kete moshe eshte kriminale

    Vetem Regjimi e ben kete pune …..dhe Departmenti i Shtetit Amerikan ka te njejten natyre
    si ai regjim por ne version te zbutur, sic eshte macja version i zbutur i tigrit

    Po ai Gjin Marku paska qene fytyre e poshter shume
    Boo, ca krimbi qelbur paska qene

    Ka bere mire Enveri qe ja futi atij qeni–Sic duket kete rast do ja kete mbajtur shenim Xhaxhi, se Xhaxhi dihej qe e kishte memorien fenomale dhe nuk harronte kollaj

    • Shkrim me te vertete I bukur. Por besoj se ka pasaktesi. Zini Berati ka pase kenduar si tenor qe para clirimit. He… Per me teper ne scalla di Milano.As per varjantin e jevgut te bardhe eshte gabim. Pejardhja e tyre megjithese do te tingelloje e cuditeshme, vjen prej djalit the vogel the Ali Pashe Tepelenes. Djale qe e kish nga gruaja skllave me origjine nga Kaukazi. kjo shpjegon dhe floket e kuqeremte te we bijes, si dhe tiparet e te dy djemve artiste. Ziniu duhet he kete she nje vajze tjeter PO me floke the bronxta. Violiniste ne teatrin e operas dhe baletit. Respects per keys familje arti.

      e operas Tirane.Respekte per keys familje arti

      • shkrim mashtrues i nje enveristi te thekur kun er tenorit te shquar Zihni Beratit dhe orientalistit te madh Mykerem dhe vellait te tij te vrare pas shpine me urdher te diktatorit enver hoxha. emri i vajzes fatkeqe eshte perdorur s i titull kryesor per buje nga shkarashkruesi biri Shaban Polovines pergjegjegjes i komunale ne kombinatin e tekstilit ne Berat

  • Titulli i librit mund te ishte “Myqeremi dhe Beatricja, nje dashuri e pamoshe”..
    Shkrim.qe jep te dhena interesante. Per vellexerit Janina dhe familjen Berati do te ishte mire te shkruhej nje liber biografik, etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *