Bebe-bonus ka filluar të shpërndahet?!

redaktor

Gjithmonë ka çaluar diçka në shpërblimin që marrin fëmijët e sapolindur, qysh në kohën kur është vendosur me ligj kjo “dhuratë” për ta. Një ankesë e ardhur në postën elektronike të gazetës na ka bërë që të kërkojmë pak më shumë se çfarë ndodh me historinë e “Bebe-Bonus” në vendin tonë.

Bashkia e Tiranës nuk e jep prej 3 vitesh shpërblimin e lindjes së fëmijëve prej 5 mijë lekësh, ashtu siç e parashikon ligji. Denoncimi këtë radhë nuk është nga ndonjë politikan, por nga një qytetar, i cili shqetësimin e tij e ka përcjellë në adresën e email-it dërguar në redaksinë e gazetës DITA. Qytetari, duke dashur të mbetet anonim, denoncon se prej dy vitesh, nuk ka marrë shpërblimin e përcaktuar në ligj nga Bashkia e Tiranës, për lindjen e fëmijëve, ndërsa nënvizon se kjo është një shkelje flagrante e ligjit prej të paktën 2 vitesh.

Ai sqaron se është ankuar edhe në bankën përgjegjëse për dhënien e shpërblimit, ku ka marrë si përgjigje se në këtë bankë nuk u kanë ardhur fondet nga Bashkia Tiranë prej më shumë se 2 vitesh.

Qytetari, në përfundim të denoncimit, e cilëson këtë si një veprim anti-human nga ana e Bashkisë së Tiranës ndaj të porsalindurve dhe familjeve të tyre, ndërsa shton se shpreson që ky denoncim të japë kontributin, në mënyrë që ligji të nisë të zbatohet nga ana e bashkisë së kryeqytetit.

Megjithatë, kjo nuk është një histori e re, pasi kjo shkelje e ligjit është denoncuar edhe nga zyrtarët e lartë të qeverisë dhe konkretisht ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjatë një diskutimi në Kuvend, vitin e kaluar, për projektbuxhetin 2015, ai pohoi se mospagesa e shpërblimeve nga Bashkia për lindjen e fëmijëve, ka krijuar një borxh për Ministrinë e Brendshme në vlerën e 5.6 miliardë lekëve. Megjithatë, duket se diçka ka ndryshuar në fund të dhjetorit që sapo lamë pas dhe në mos po rrjedh, diçka ka filluar të pikojë për sa u përket këtyre shpërblimeve.

Por në fillim vlen të sqarohet se është vendosur në qershor të vitit 2008 me vendim qeverie: Çdo fëmijë që lind, do të marrë 5 mijë lekë të reja nga shteti. Kanë kaluar tashmë 5 vjet, por zor se gjen arsye të shëndosha për të thënë që ky vendim është zbatuar rregullisht. Herë mungesa e fondeve nga shteti dhe herë mungesa e informacionit nga prindërit, e kanë bërë këtë “bebe- bonus”, thjesht të pamundur.

 

5 mijë lekëshi i qeverisë

Duhet bërë një saktësim i rëndësishëm. Ka dy vendime për bebe-bonusin. Një vendim është i qeverisë (në 2008) me shpërblim 5 mijë lekë dhe vlen për gjithë territorin e vendit, dhe një vendim i dytë është i Bashkisë së Tiranës dhe vlen vetëm për kryeqytetasit. Qeveria e shpërndan nëpërmjet minibashkive, por ka vite që nuk e jep këtë 5 mijë lekësh. Fondi duhet të shpërndahet nga minibashkitë në momentin që fëmija regjistrohet nga prindërit dhe merr certifikatën e lindjes. Domethënë, si rregull, fondi kalon nga shteti (Ministria e Brendshme) te minibashkitë e më pas te familja e bebes.

5 mijë lekëshi i bashkisë

Ky fond vlen vetëm për kryeqytetasit dhe bazohet në një vendim të marrë nga Bashkia e Tiranës në vitin 2010. 5 mijë lekëshi i Bashkisë së Tiranës si rregull shpërndahet nëpërmjet një banke private. Në bashkim të dy vendimeve, banorët e Tiranës duhet të marrin 10 mijë lekë për beben e sapolindur, 5 mijë të vendimit të Qeverisë (në minibashki) dhe 5 mijë të vendimit të Bashkisë (në bankë). Por edhe ky institucion i pushtetit lokal ka më shumë se tre vite që nuk e jep bebe-bonusin. Zyra e Shtypit e Bashkisë në kryeqytet nuk ka kohë të na kthejë përgjigje në lidhje me pyetjen se përse dhe ku qëndron problemi që nuk merret kjo shumë parash, megjithatë nga burime jozyrtare mësuam se, të gjitha bebet e lindura në vitin 2011 e kanë marrë këtë shumë. Ndërsa për 2012 e deri më sot… nuk ka fonde!

Ç’po ndodh këtë vit me fondin

Në Tiranë, katër vitet e fundit, zor se mund të gjesh ndonjë prind që ka marrë “50 mijë lekëshin e bebes”. Të gjendur përballë shqetësimit të ‘denoncuesit”, por edhe të shumë të tjerëve pas tij, shkuam në njësinë bashkiake Nr 5, për të pyetur çfarë po ndodh me këtë shpërblim. Gjatë një bisede me kryetaren e kësaj njësie, Jeta Seitaj, mësuam se në dhjetor të vitit të kaluar ka ardhur, pas disa vitesh mungesë, fondi për bebet e lindura dhe po në këtë muaj ka filluar shpërndarja e parave. Bëhet fjalë për 5 mijë lekëshin që shpërndan Ministria e Brendshme. “Më në fund, minibashkisë 5 i ka ardhur një fond i caktuar përpara disa ditësh dhe ne kemi filluar shpërndarjen”, pohon Seitaj. “E kemi lënë shpërndarjen e 5 mijë lekëshit në vitin 2011 dhe në momentin që na erdhi fondi e kemi filluar atje ku e kemi lënë, pasi për shumë kohë, arka në zyrën e financës në këtë njësi ka qenë bosh. Çdo prind që vjen e regjistron fëmijën brenda afatit të caktuar, e merr certifikatën, por nuk ka mundur të marrë lekët sepse nuk ka qenë i çelur fondi nga Ministria e Brendshme. Vetëm një muaj më parë na ka ardhur një fond i caktuar në lidhje me këtë kategori dhe ne, në njësinë tonë kemi filluar shpërndarjen. Nuk e dimë se deri në cilin vit do të na dalin lekët, por e rëndësishme është që kemi filluar”, tha znj. Seitaj.

 

Të lodhin që të heqësh dorë?

Janë të shumtë ata që, pasi kanë bërë regjistrimin e fëmijës së tyre, nuk janë kthyer më në zyrën e financës në minibashkinë e lagjes ku jetojnë me certifikatë në dorë. E po kaq të shumtë ata që kanë “grisur” këpucët duke trokitur herë pas here në dritaren me kangjella të gjendjes civile. Nga ana e pasme e saj kanë marrë një përgjigje në kor: “Nuk na ka ardhur ende fondi”. Kjo situatë është përsëritur çdo vit. Fondi mbërrin zakonisht pas muajsh të tërë dhe gjatë kësaj kohe shumica e prindërve janë lodhur dhe e kanë lënë këtë muhabet. Lekët që nuk tërhiqen? Kthehen sërish andej nga kanë ardhur.

 

Vendimi i qeverisë

Për t’u uruar mirëseardhjen foshnjave të sapolindura, me vendim të qeverisë numër 9929, datë 09.06.2008, u vendos që çdo fëmijë të marrë një shpërblim prej 5 mijë lekësh.

 

Si duhet të veproni për ta marrë shpërblimin kur sapo keni lindur një fëmijë

Nuk ka rëndësi nëse fëmija ka lindur në Shqipëri apo jashtë kufijve. Të gjithë ata që regjistrohen në zyrën e gjendjes civile, mund të përfitojnë shpërblimin prej pesë mijë lekësh. Kështu, prindërit që kanë lindur fëmijën në Shqipëri kanë një afat kohor prej 60 ditësh që nga koha e lindjes për të regjistruar fëmijën e tyre. Fillimisht, nëpunësi i gjendjes civile mban aktin e lindjes dhe pajis të interesuarit me certifikatë lindjeje (në rastin e regjistrimit të lindjeve të ndodhura jashtë shtetit, afati 60-ditor tolerohet deri në afat 90-ditor nga dita e lindjes).

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Brendshme, zyra e Gjendjes Civile harton në dy kopje një listë mujore dhe e dërgon një kopje në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe një kopje në zyrën e financës përkatëse. Prindërit, pasi kanë marrë certifikatën e lindjes, duhet të paraqiten në zyrën e financës së bashkisë (të njësisë bashkiake ose të komunës përkatëse), për të tërhequr shumën prej pesë mijë lekësh.

Punonjësi i ngarkuar nga kryetari i bashkisë, pasi administron certifikatën e lindjes me shënimin “Për efekt shpërblimi, nga regjistrimi i lindjes brenda afatit ligjor, e verifikon me listën e hartuar nga zyra e gjendjes civile dhe (teorikisht) duhet të kryejë pagesën.

Share This Article
4 Comments
  • Vajza ime ka lindur me dhjetor 2012. Shkoj ne nbg bank me thone del id por nuk me del llogari ne kete emer. ndersa 5000 lekeshi i bashkise nuk mund te merret me, sepse ja filluar 2015 dhe vitet e papaguara nuk i plas bytha njeriut. Femijet e viteve qe nuk i kane marre jane me PD, ndersa keta qe po i marrin jane te PS. Mortja i hengert dhe mos u gezofshin o zot ne ket jete …

    • KETU JA KE FUTUR KOT SHOQE E DASHUR SEPSE UNE PER PS KAM VOTUAR POR SHPERLIMIN E BASHKISE AKOMA NUK E KAM MARRE PER VAJZEN.
      SKA LIDHJE KJO SE ME KE PARTI JE PO THUAJ MOS I HENKSHIN ATA QE PO I VJEDHIN KETO FONDE PREJ VITESH PA DALLIM PARTIE.
      KJO ESHTE CESHTJE PERFITIMI JO CESHTJE POLITIKE E DASHUR.

  • Ne lidhje me bebe bonus sot mar vesh qe shperblimet per lindjet e 2017 kane nisur te shperndahen! Ndersa per lindjet nga 2012 – ne tetor 2015 jane te bllkuara per arsye te panjohura. Njesite bashkiake nuk kane info dhe nuk japin info rreth ketij fenomeni!

  • Para një muaji I’m shoq tërheq bonusin e djalit të lindur në 2013. Përveç burokracive që has klienti në të tilla raste, I duhet të përballet edhe me pa-edukaten, përçmimin dhe arrogancën dy lekëshe të punonjësve të Ngb Bank. Thua ti këto të gjora punonjëse po i nxjerrin këto para nga xhepi i tyre apo me keq akoma vënë në lojë klientin :pse për këtë 50 mijë lekësh bëhesh ti?!! Nk è di se çfarë kriteri zgjedh kjo bankë për të punësuar një femer të tillë cila mund të përcjell gjithçka banale por absolutisht JO PROFESIONALIZËM në rolin e caktuar që ka. Nejse, harroj që jemi në Shqipëri dhe vendet e punës dihet se kush i merr…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *