Bebeto: Si do ta bëjmë Partizanin e madh duke nisur nga akademia

DITA Online

 

Ish-futbollisti i njohur brazilian, Bebeto, është prezantuar sot në zyrat e klubit të kuq kryeqytetas si këshilltari i radhës për presidentin Gazmend Demi.

Pas Luciano Moxhit, një emri të njohur në Itali, Partizani do të ketë edhe këshillën dhe përkujdesjen e një braziliani të famshëm. Ky i fundit do të jetë përfaqësuesi i 15 herë kampionëve të Shqipërisë për sa i përket Amerikës Latine, prej nga dalin talente të shumtë, që më pas vijnë në Europë dhe bëhen të mëdhenj.

Bebeto do të sugjerojë e ndërmjetësojë me lojtarë që kanë të ardhme, por do të merret edhe me akademinë e të kuqve.

Gaz Demi – “Përveç futbollit, Bebeto njihet edhe si një nga politikanët e rëndësishëm në Rio De Zhaneiro. Midis nesh ka një miqësi, ndërsa në vazhdim do të na lidhë edhe bashkëpunimi i punës. Mendoj se do të kemi një bashkëpunim shumë serioz edhe për ekipin e parë, por shumë e rëndësishme është për akademinë. Është një start i ri, që ne si Partizan e aplikojmë në Amerikën Latine. Që tani Bebeto na ka sjellë nga Brazili një futbollist, që mendohet se është talent. Për arsye fizike nuk është gati t’i bashkohet skuadrës në stërvitje.”

Bebeto –Kënaqësi që jam këtu. Presidenti është miku im. Unë do të jem këshilltar i presidentit Demi në vazhdim. Presidenti është një njeri me horizont shumë të madh për futbollin. Kemi diskutuar për shumëçka rreth futbollit. Meqë ai erdhi në Brazil, unë vendosa t’ia kthej vizitën dhe respektin në Shqipëri. Demi mendon shumë për të ardhmen e Partizanit, ku spikat akademia, me të cilën lidhet vijimësia e këtij klubi. Nuk është e rëndësishme të bësh një skuadër për momentin, nëse nuk ke një bazë për të ardhmen.

T’i mund të bësh një skuadër për momentin, por nëse nuk ke një terren stërvitor është e vështirë e ardhmja. Me presidentin Demi kemi folur shumë për këtë dhe më pëlqen ajo që ai mendon për të ardhmen e Partizanit.

Nuk është e rëndësishme të fitosh një kampionat, por të krijosh një bazë për të ardhmen. Duhet të kesh një qendër stërvitore, një akademi dhe pastaj mund të fitosh shumë kampionate në të ardhmen. Me vizionin që ka presidenti Demi, jam shumë i bindur se do ta dërgojë përpara këtë klub.

Personalisht jam këshilltar i presidentit, do të vij shumë herë këtu, duke qenë se kam edhe marrëdhënie të tjera me Demin. Si futbollist, kur kam qenë, edhe në politikë, apo në biznes, kërkoj më të mirën, dua të fitoj, nuk më pëlqen të humbas asnjëherë. Duke qenë se kam fituar tri kupa bote, mendoj që këtë eksperiencë timen t’ia transmetoj edhe presidentit. Lëvizja e parë si këshilltar, flas për lojtarët? Gjithçka që kam bërë ka brenda pasion, dedikim dhe frymëzim. Në këtë moment jam në vëzhgim e sipër për t’i sjellë Partizanit ata lojtarë që i duhen. Aktualisht kam sjellë Alvesin, e kam bërë një hap, kam sjellë një lojtar brazilian, i cili ka shumë talent, shumë cilësi të mira, por për momentin nuk ka gjendjen e duhur fizike. Me kalimin e kohës do ta shikoni se çfarë lojtari është. Dje kam folur me trajnerin Iuliano në lidhje me këtë lojtar, që të përmirësojë gjendjen fizike. E pyeta trajnerin se çfarë i nevojitet, në çfarë rolesh ka mangësi, për të ditur se çfarë elementësh të sjell në merkaton e ardhshme, që të bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar.

U surprizova shumë, sepse ia kërkova presidentit këtë gjë, por ai më tha që nuk ke punë me mua, por me trajnerin dhe stafin teknik. M’u duk shumë e çuditshme kjo, sepse zakonisht presidentët jashtë ndërhyjnë shumë në problemet teknike. Jam gati, i motivuar që ta ndihmoj Partizanin në këtë aspekt.

Më parë nuk kam pasur njohje për futbollin shqiptar. Është surprizë për mua kur pashë disa gjëra. Ndoqa edhe kombëtaren e Shqipërisë dhe u surprizova shumë nga mënyra se si e interpretoi lojën. Për Partizanin nuk dija gjë, por presidenti erdhi dhe më tregoi gjithçka. Tani jam në dijeni dhe e di se çfarë i nevojitet. Iuliano, trajneri, ka qenë në nivele shumë të larta si futbollist në Itali.

Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me Luciano Moxhin?

Gjithmonë kam besuar te puna dhe bashkëpunimi serioz. Nëse këto ekzistojnë, atëherë puna do të ecë mirë. Ne kemi për mision të sjellim lojtarë të mirë, por më me rëndësi është raporti me stafin teknik, sepse ata janë përditë me skuadrën.”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *