TIRANË – “Largoni të paaftin”, “Po na merr në qafë”, “Shporreni manekinin” etj, ishin parrulla mjaftueshëm joshëse të një grupi njerëzish, që disa deputetë të PD-së që vërdallosen këto ditë nëpër Tiranë për të gjetur grumbullime protestuesish, t’i bashkoheshin gjithë gaz.
Instikti i mprehur për të gjurmuar, nuhatur dhe identifikuar çdo grupim njerëzish që rri në një vend dhe bërtet për diçka, edhe pse shpeshherë u ka dalë për mbarë, së fundmi i ka shkaktuar disa probleme gardës intelektuale të Partisë Demokratike në parlament.
Incidenti ndodhi pak ditë më parë me protagonist evlatin e Faros, kur sapo ishte ndarë nga protesta e unazës së re dhe po nisej për të Shkozë, duke ndaluar pak në bulevard.
Bashkë me të ishin edhe dy viagrat që Universiteti Eglendisës i Tiranës, UET, i ka injektuar PD-së për ta rigjallëruar, përkatësisht Grinda Bumçja dhe Kërmill Salianji.
I merakosur për të vënë në jetë porosinë e Faros, që sapo i kishte thënë në telefon, “i kam dhënë Lulit një hale lekë për tyja, puno që të më kthehet investimi,” evlati i Faros ndaloi makinën pranë një grupi që mbante në dorë parrulla të dallueshme: “Zgjedhje fiktive”, “Hajdut votash” etj, dhe menjëherë nxorri një megafon nga bagazhi.
“Ta largojmë qelbësirën!” bërtiti pa një pa dy Farua i vogël, domethënë Farogllu, duke shtuar, “këtu nuk jam si deputet, por si njeri i thjeshtë, si një intelektual pa parti. Shporru, monstër!”
Protestuesit e panë të habitur, por nuk i vunë rëndësi. Ndoshta nuk e njohën.
Pak më vonë, burimet sqarojnë se turmës së vogël iu afrua dhe Salianji me një peshk në dorë, ndërsa nga krahut tjetër Grinda po nxitonte, teksa në ecje e sipër, i jepte një dorë të fundit buzëkuqit duke u parë në pasqyrën e çantës.
Të tre bashkë, Farogllu me megafon ndërsa Grinda duke ndihmuar Salianjin të mbajë peshkun, nisën të bërtasin: “Hajdut! Xhepist votash! Na ke vjedhur të ardhmen! Qërrohu! Eja mblidhuni këtu-këtu!”.
Teksa u afruan një dy kamera televizionesh, ata bërtitën edhe më fort, por u ngeci e bërtitura në grykë kur dëgjuan pjesën tjetër të protestuesve: “Luli dhe Rama, hajdutët e Bagdadit! Farsa dhe falsiteti e kanë emrin Lulzim Basha! Partia Demokratike po shkatërrohet!”
Mesa duket, kishin dalë në televizor, se ndërkohë në celular u vjen mesazhi se të tre i kërkojnë në zyrën e kryetarit…
Kur dolën që andej, Grindës i kishte shkuar buzëkuqi në vetulla, fytyra e Kërmillit – si për të sfiduar natyrën – ishte mbuluar me luspa, ndërsa Farogllu doli i zbehtë në fytyrë dhe pa megafon në dorë, por pa asnjë zarar.
-Po ti si shpëtove? – e pyetën viagrat.
-Aaaa, i thashë shefit; shiko, babi të ka dhënë lekët, mu mos ‘mprek me dorë!
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike pa parti…

Kta derezinjte jane komplet out. Per pese dite studentet e nxorren pd-ne, zhk-ne, yzzh-ne socialista e specialista e lsi-sta me breken mes te dimrit, politike qe do shplare me rrenjeeee
I sakte komentuesi “Out komplet”
Po’ me peshkun e Ere-vjen Sa-nje-hale cfare u be? E mbajti kryetari apo e hengri Ulerima?