Bëhet dyfek në Vlorë

Ornela

Nga Arben Saliu

Edhe  me mbarimin e Luftës së Parë Botrore, okupacioni italian vazhdoi të ishte prezent në trojet shqiptare. Kjo gjendje nuk ndryshoi as pas Konferencës së Paqes, që u mbajt në Paris në janar 1919. Kur u bë e qartë se Italia militariste, e mbështetur nga qarqet diplomatike të fuqive të mëdha, s’kishte ndërmend të hiqte dorë nga qëllimet pushtuese e politika  grabitqare ndaj Shqipërisë së pavarur, atëhere shpirti patriotik kombëtar gjykoi se kishte ardhur momenti për t’i dalë zot fateve të veta. Këtë  flamur e ngriti lartë Kongresi i Lushnjës, më 28-31 janar 1920. Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes për coptimin e Shqipërisë dhe përcaktoi drejtë një program të qartë politik e luftarak, rreth të cilit u bë bashkimi i shtresave të gjera të popullit në një front të përbashkët. Lufta e Vlorës, që shpërtheu  më 5 qershor 1920, ishte zbatim i vendimeve të Kongresit të Lushnjës.

Kjo luftë, nuk shpërtheu spontanisht dhe në mënyrë të ç’organizuar. Më 29 qershor 1920, në malin e Barçallasë në Dukat u mblodh ilegalisht një kuvend me pjesëmarrje të gjerë nga krahinat e Vlorës, ku pjesëmarrësit u betuan për të qenë të gatshëm për të filluar luftën. Në këtë kuvend u zgjodh edhe Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare me në krye  Osman Haxhiun.

Situata erdhi në pikën kritike pas pritjes së përgjigjes ndaj Ultimatumit, që Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i dërgoi nga Beuni nëpërmjet luftëtarit Mehmet Selimi  komandantit të forcave  italiane, gjeneral Piaçentinit , më 3 qershor.

 ULTIMATUMI:    

“…Populli shqiptar, tue mos dhënë leje që vendi i tyre të shitet në pazar të Evropës për shpërblime tokësore italo-greko-serbe, i bashkuar si as kurrë, ka rrokë pushkët dhe kërkon prej Italisë, që sundimi i Vlorës, i Tepelenës dhe i Himarës t’i jepen Qeverisë Kombëtare të Tiranës. Komiteti Mbrojtja Kombëtare i Vlorës, i shtërnguem prej gjithë popullit të Vlorës e të Shqipërisë, i mbledhur sot këtu në Barçalla, më 29 maj 1920, dëshiron që ekselenca e juaj t’i përgjigjet kësaj kërkese jo më vonë se deri më 4 Qershor, në ora 19. Përkundrazi, Komiteti nuk merr përsipër barrë për ç’mund të ngjasi masandaj”.

 Dëshmojnë protagonistët:

 Halim Xhelo:

 

“ Në mbarim të kohës së Ulitimatumit të lartëpërmendur, dmth ditën e shtunë më 5 qershor, u ndanë trupat kryengritëse sipas planit të Komitetit dhe natën, duke u gdhirë e diel,  do të sulmoheshin tërë qendrat ushtarake italiane të Kotës, Gjormit, Llogorait, Drashovicës, Jonufrës etj. Në orën e caktuar u sulmuan vendet në fjalë dhe deri të diel para mesditës, veç Llogorait që ra pas dy ditësh, u muarrën të gjitha këto vende strategjike, që ishin të thurura me tela me gjëmba, pas tyre radhitur bomba, mitroloza, topa….

Në dy muaj kohë shqiptari vlonjat, kurveleshas, tepelenas, mallakastriotë, elbasanas, tiranas, dëshnicas etj luftoi me një heroizëm që pena s’ka fuqi ta përshkruaj, vetëm mund të thuhet që 2-3 mijë shqipo, me një copë bukë misri në trastë, me opinga me leqe, me armë të çdo soji, me fishekë të ndryshëm dhe me qindra mungesa, luftuan kundra një ushtrie të madhe në numër dhe e armatosur me mjetet luftarake më të reja të tokës, të detit dhe të erës që ka shpikur njeriu.

Nëpërmes të telave me gjëmba hynë ata me opinga, mitralozin prej gryke e zunë ata të pa kollaro, pritat “istikame” e Qafës së Koçiut i shkelën ata të patualeta dhe jo mendimtarët e flaktë, as agallarët.

Që triumfoi revolucioni i Vlorës, kontribuan dy faktorë: Heroizmi i fshatarëve të Labërisë dhe përkrahja e Partisë Socialiste në Itali, e cila shtyti ushtarët e punëtorët të mos vinin në Vlorë të luftonin kundër shqiptarëve. Sikur të kish munguar njëri prej këtyre dy faktorëve, Vlora s’do të qe liruar prej militarizmit të borgjesisë italiane.

Duhet ta dimë, se populli i opingës e shpëtoi dhe kurdoherë do ta shpëtojë Shqipërinë”.

 

Abdurrahman Çiraku:

 

“Me sulmin e parë që bëmë në Kotë, forcat italiane u shpartalluan. Atje zumë rob 1300 vetë. Veç materialit tjetër luftarak, zumë edhe 3 topa. Topat na duheshin për luftimet e mëvonshme. Prandaj çeta më ngarkoi mua t’i marr në dorëzim topat. Italianët i kishin zbërthyer ato. Atëhere na u desh të marrim dy nga robërit dhe t’i detyrojmë që të bëjmë të gatshëm për luftë dy topa. Njërin prej tyre ja dhamë çetës së Tepelenës, kurse tjetrin  që e mbajta vetë, e vendosëm përmbi Kaninë, në mal të Shashicës, te Qafa e Pllakës…

Sinjalin e fillimit të luftës së Kaninës, natën e 11 qershorit, do ta jepte topi që ishte vendosur te Qafa e Pllakës. Kjo detyrë më ishte ngarkuar mua. Dhe ja, kur vajti 2 ora pas mezit të natës, sipas urdhërit që më ishte dhënë, fillova menjëherë qitjen me top. Të shtënat e para të topit, u pasuan pastaj nga batareja e zjarrtë e pushkëve. Luftëtarët u hodhën në sulm”.

 

Haris Thanasi:

 

“Kur u nis çeta jonë për të luftuar kundër italianëve në Qafën e Llogorasë, Sado Koshena, një grua stoike, prototip i malësores shqiptare të Labërisë, na u drejtua me fjalët: “ Shkoni dhe u priftë e mbara. Mos u ktheni me turp për t’u fshehur në çitjanet e grave.

“U ngrenë burra e gra,/ Mbi të gjitha Sadoja,/ S’ish grua, por ezhdërha, / Në armiq bëri hata”.

 

Jaho Gjoliku:

 

Përpara pozicioneve ishin telat me gjëmba e pas tyre mbrohej armiku i urryer. Hoqëm gunat dhe i hodhëm mbi tela. Unë duke kaluar sipër tyre, ndjeva një vrishkull përvëlonjës mbi tëmthin e majtë, por s’i vura rëndësi dhe si gjithë shokët u vërsula mbi pozicione duke u përleshur fyt më fyt me italianët….  Atë ditë qëlluam me batare dhe rrëzuam dhe një aeroplan. U sulën edhe bersaljerët. Por edhe ata i shpartalluam atyre grunjërave. Me luftime të përgjakshme në Kotë, Gjorm, Llogara, Drashovicë, Kaninë ku mori pjesë i gjithë populli, armiqtë i shpartalluam. Të 12 gjeneralët italianë me ushtrinë e tyre u thyen në panik. Kështu, Vlora e Halimit, Avniut dhe Selamit ishte dhe mbeti e jona”.

 

Tre letrat e luftëtarëve të plagosur.

 

Gazeta “Drita” e Gjirokastrës, në nr 19 të datës 21 gusht 1920, boton në mënyrë të përmbledhur “Tre letra të trimave”,  të nënshkruar nga 105 luftëtarë të plagosur në Luftën e Vlorës, të cilët nga spitali i Kotës i drejtojnë: Bashkëluftëtarëve në front, Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare dhe Kryetarëve të fshatrave pjesëmarrëse në luftë.

 

Letra e parë:  Bashkëluftëtarëve në front:

 

“ Në emër të dëshmorëve që ranë në fushat e luftës kombëtare: Kotë, Gjorm, Llogora, kala e Kaninës, Qafë e Vlorës dhe më 23 të këtij muaji prapë në atë qafë dhe për plagët tona që vaditën me gjak rrënjët e ullinjëve të Vlorës kundër armikut, që do të bëhet zot i vatrave tona, ju lutemi të bëni detyrën gjer sa t’iu shoqërohemi edhe neve e të luftojmë së toku. Prandaj, duhet të na  pritni e të mos shkoni në shtëpitë tuaja, të cilat mund të qëndrojnë vetëm me burrërinë tonë. Pra kini guxim, durim dhe dashuri se do t’ia arrijmë qëllimit”.

 

Letra e dytë: Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare:

 

“ U plagosëm prej armikut, por nuk ndjejmë fare dhimbje, se mendojmë kur do të kthehemi përsëri në luftë, aty ku  na pret detyra. Jemi të lumtur, që i shërbyem Atdheut me një pjesë të gjakut tonë. Pra kërkojmë dhe nga ju të bëni detyrën tuaj. Neve mendojmë vetëm shpëtimin e Vlorës dhe do të jemi nën urdhërin tuaj”.

 

Letra e tretë: Kryepleqëve të fshatrave pjesëmarrëse në luftë:

 

“Si neve që bëmë detyrën tonë, ashtu edhe juve të bëni tuajën, duke mos kursyer mallin dhe jetën, se jemi duke luftuar me një armik të fortë. Neve i harrojmë dhimbjet e plagëve kur dëgjojmë  zërin e topave nga shtrati, me hidhërim që s’ndodhemi në ballë të luftës. Pra, ju themi prindërve, grave dhe motrave tona që të këndojnë për ata që u vranë, sepse u bashkuan me dëshmorët e tjerë”.

 

 

 Abdyl Agalliu :

 

“Për fat të keq, ndërsa populli luftonte, disa vetë nga paria e Vlorës, jo vetëm që nuk morën pjesë në kryengritje, por u bënë edhe bashkëpuntorë të armikut.  Kështu Eqerem bej Vlora e Serri bej Vlora vunë në dispozicion të pushtuesve sallonet e tyre luksoze dhe vallëzonin gjithë natën me ta. Kurse Qamil bej Risilia, përveç që i shiste popullit misrin e kalbur për pesë napolona flori qesenë,  me anën e njerzëve të tij vodhi plackat shtëpiake të vlonjatëve, shtëpitë e të cilëve kishin mbetur hapur nga shkaku i përqëndrimit të grave në spital.

Duke mos mundur të lante turpin e disfatës, gjeneral Piaçentini kreu një tjetër krim të shëmtuar, këtë radhë nga deti. Ai urdhëroi kryqëzorët “Duilio” dhe “San Marko”, që qëndronin gjithnjë njëri në Pashaliman dhe tjetri në Bisht të Zvërnecit, të digjnin me anë të artilerisë fshatrat Kaninë, Radhimë, Tragjas, Babicë etj, duke vrarë gra e fëmijë që iknin në panic nga bombardimi.

Lufta e Vlorës,  përveç të gjymtuarve si Kanan Mazja me shokë, pati dhe dëmeve  të mëdha materiale edhe dëshmorët e saj. Midis tyre ka heronj si Selam Musai, që e zuri topin nga gryka, si Toto Bolena, i cili megjithëse i hiqte zorrët zvarrë, mundi të futet brenda në llogore dhe t’i ngulë kamën armikut e të vdesë bashkë me të. Pati dëshmorë si Zigur Lelua e Muhedin Mystehaku nga Smokthina, që u vranë i pari në Kotë dhe i dyti 100 metra mbi qytet, si Islam Shanua nga Velça, që iu hodh përsipër mitralierit italian, e vrau duke i marrë mitralozin e shumë e shumë të tjerë.

Për fat të keq, udhëheqësit e kryengritjes, njerëz ambiciozë e karrieristë, nuk patën kohë të mendonin për gjakun e shokëve, as për fatin e familjeve të tyre, ata u kacafytën si qentë për kocka për karrike”.

                                                 

Daut Seferi:

 

“…Kur erdhëm në Drashovicë, prefekt u caktua Qazim Kokoshi, por kundër tij ishte krijuar një farë urrejtje dhe donin ta rrëzonin, por Komiteti nuk e aprovonte rrëzimin e tij, prandaj vendosi që komandantët e çetave dhe një pjesë nga populli që ishin pjesëmarrës në frontin e luftës, të mblidheshin në urë të Drashovicës. Këtu filluan haptazi diskutimet mbi problemin e prefektit. Kundërshtimet midis Komitetit dhe pjesëmarrësve marrin një karakter aq nervoz,  saqë Qazim Kokoshi fillojë të mbrojë veten me gjaknxetësi. Për këtë sjellje të tij, Sali Vranishti ngrihet nga vendi dhe shkon siç ishte i armatosur para tij dhe me fjalë  të prera i thotë:

“ Rri urtë, mos bëj zë, se unë që të kam bërë “kokosh”, të shkul bishtin e të bëj “pulë. Këtu nuk jemi për frone, por për luftë.”. Prej këtij presioni, Qazim Kokoshi nuk e hapi gojën gjer në fund të mbledhjes”…

 

Dhimitër Konomi:

 

“Shokët e mi në Luftën e Vlorës më kanë kursyer shumë, mbasi isha i vogël. Më kujtohet se njëherë desh të më merrnin pushkën për t’ia dhënë një tjetri, por unë u thashë: ”Nuk kam ardhur për të ruajtur kecërit, por për të luftuar”.

Mbas Luftës së Vlorës, në gazetën “Mbrojtja Kombëtare”, Aristidh Ruci kishte shkruar një artikull në të cilin përfytyronte dy shpirtëra të atyre që u vranë në Qafë të Koçiut dhe sikur këta pyesnin se ç’bëhej në Vlorë pas luftës.

– E ç’të bëhet, o djem, – u përgjigjet njeriu që rronte dhe që kish luftuar krah për krah me ta. Ju luftuat, latë zorrët e barkut mbi telat me gjëmba dhe kryetarët tuaj janë derdhur si qentë e kasapanës për të rrëmbyer secili copën më të madhe.

Ky artikull u botua, por nuk arriti të shpërndahej,  sepse autoritetet e ndaluan menjëherë gazetën. Me këtë rast krerët e udhëheqjes së luftës, si Qazim Kokoshi me shokë, do të ishin copëtuar me thonj prej popullit, sikur këta të mos kishin shkuar në Itali, si anëtarë të një delegacioni për të shqyrtuar dëmet e luftës. Mbas luftës u binda se shumë krerë nacionalizmin e ushtronin si mjet për të rrëmbyer thela të mëdha”.

 

 

 

Petro Marko:

                          LUFTA E VLORËS

 

“Ja, po ndihet marrsh’ i Vlorës, i fitores popullore,

Ja atje përmbi Kaninë, në ullishta dhe bregore,

Zbardhërojnë të përndarë mijëra gurë-përmendore,

Që do mbeten tërë jetën: Roj’ e tokës arbërore.

Dhe Selami dhe Saliu në Beun po japin dorën,

Të çlirojnë Labërinë, Gjirokastrën edhe Vlorën.

Ja si ngrihet valë -valë fis i rritur për liri,

Italianët po dërrmohen, shuhen ikin në arrati.

Dhe  flamur i Kastriotit kuqezi nga gjaku del

Dhe me mall Adriatiku, Arbërinë e përkëdhel.

Dhe ja ngrihet gjer në qiell kjo fitore, nder i jetës,

Si tufan tmerr invazori, epopeja e Njëzetës”.

 

Ismail Kadare  :

 

“Këngët e luftës, duke nisur nga ato te rekrutimit e gjer në përshkrimin e betejave, kanë një densitet të madh. Ato janë aq të përpikta në detajet,  saqë prej tyre mund të vizatohen harta taktike ushtarake të operacioneve që përshkruajnë. Për shembull, edhe sikur të zhdukeshin të gjitha dokumentet pë Luftën e Vlorës më 1920, gjithë teatri i luftimeve mund të rindërtohej vetëm me anën e vjershave popullore kushtuar asaj.

Ja njëra prej tyre:

 

 Evropa shkruajnë e thonë:

Ç’është kështu si dëgjojmë,

Bëhet dyfek në Vlorë,

Shqipëtarët po luftojnë

Me një mbret dyzet milionë.

Po me se luftojnë vallë?

Me sëpatë e me hanxharë,

Dyfeqet lidhur me gjalmë,

Fishekët në xhep i mbajnë.

 

Janë  vetëm nëntë rreshta. Por në to kemi gjithçka që mund të lidhet me një ngjarje  të madhe si lufta. Këtu kemi lajmet e radiove, të gazetave, të konferencave të shtypit            ( dëgjojmë, shkruajnë, thonë), vendin e luftës, palët ndërluftuese, raportin e forcave, armatimin e tyre. Midis gjithë këtij kompleksi gjërash të mëdha (Evropa, lufta, shqiptarët, mbretëria dyzetmilionëshe), është një “gjalmë”, një fjalë tepër e thjeshtë dhe prozaike (rapsodi popullor ka aftësinë e çuditshme që shpeshherë fjalës më të zakonshme t’i ngarkojë një mision të madh), e cila përmban gjithë dhimbjen dhe dramën e një populli të vogël e të varfër, që është i detyruar të luftojë me një fuqi të madhe.

“Dyfeqet lidhur me gjalmë…” Asnjë shpjegim tjetër dhe as një thirrje patetike nuk mund ta zëvendësojë efektin emocional të fjalës “gjalmë”, që poetët popullorë shpeshherë kanë pasur kujdesin ta vënë në pah midis rrëmujës dhe hekurave të luftës…”.

 

 Në vend të mbylljes:

 

Nëse ambiciozët për pushtet, që përfituan politikisht nga rezultantja e Luftës së Vlorës, i lanë trupat e atyre që dhanë jetën të preheshin sa andej- këndej apo u tallën me ata që lanë pjesë të trupit mbi fortifikimet e okupatorëve duke iu dhënë një qylaf dhe një (1) kg rrush, për hir të së vërtetës, regjimi komunist i mblodhi eshtrat e të rënëve  dhe i vuri në varrezat e Dëshmoreve të Atdheut, aty ku e kishin vendin, kurse luftëtarëve më të shquar si Selam Musai, Sali Vranishti, Zigur Lelo, Sado Koshena dhe Kanan Maze iu dha titullin “Hero i Popullit” dhe i përjetësoi në buste e lapidare.

Me rastin e 95 vjetorit të Luftës së Vlorës, Presidenti i Republikës,  krahas personave që mbanin titullin “Hero i Popullit” iu dha edhe Osman Haxhiut e Ahmet Lepenicës si edhe Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare Urdhërin “Nderi i Kombit”, duke çimentuar kështu vlerësimin maksimal  e shtetit demokratik për Luftën e Vlorës në përgjithesi dhe për figurat emblemantike të saj në veçanti.

Lufta e Vlorës ishte dhe do mbetet në historinë tonë kombëtare një monument i lartë i heroizmit popullor, pasi bijtë e Labërisë dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë, që era e lirisë i çoi drejt Vlorës , ku nuk munguan as shqiptarët e Amerikës,  me moton e tyre: “Ja do bëhet Vlora jonë,/Ja do bëhet shkrumb e hi”,  turpëruan një perandori të tërë, duke mos lejuar copëtimin e vendit dhe duke ruajtur sovranitetin shtetëror.

Share This Article
8 Comments
  • Shkrim i vertete Gazetari eshte i ndershem ne shkrimet e tij
    Synon te shkruaj fakte te verteta
    Disa nga emerat ne shkrim i kam degjuar ne moshe me te re
    Te shkruhet historia e vertete per popullin shqiptar
    faleminderit

  • Nje sugjerim per artikull-shkruesin

    Nje falenderim te vecante per kete artikull brilant por me lejoni tju bej nje verejtje te vogel jo vetem juve por dhe analistave shqipfoles qe me shume jane vuvuzela..
    .
    E kam fjalen per emertimin ‘Regjim komunist” qe nuk eshte korrekt..Pse
    .
    Paraprakisht ky eshte nje term qe perdoret se shumti nga armiqte e atij sistemi (regjimi) dhe shume shqipfoles ( bar-pertypes) e bejne per inerci ose nga frika se mos i quajne ‘kripto-komuniste”
    .
    Nuk eshte korrekt se periudha 1945-1990 quhet sistem socjalist pasi komunizmi do duhej de 100 vjet se paku te fillonte realizimi i tij sipas letrave..
    .
    Nuk eshte korrekt se ne periudhen 1948-1990 e drejtoi ate vend Partia e Punes ( dhe nuk ka te drejte partia e sumes e Ram Biberishes te luaj fjalet)
    .
    Nuk eshte korrekt se periudha 1925-1939 nuk quhet regjim monarko-fashist por na e perkedhelin me “mretni” Zogune Kurves Pare
    .
    E fundit;

    Do ja u beja hallall qe periudhen 1945-1990
    ta percmonit dhe perdhosnit ne menyre
    akoma me te poshter por nuk keni te drejte morale pasi sot ai vend eshte kthyer ne shprehje gjografike ose me sakte ne wc xhambasadoresh

    Faleminderit per mirekuptimin
    .

  • Falenderim per nipin e Kapedanit Sali Vranishti, Autorin e shkimit, intelektualin Arben Maman Saliu i cili me mbledhjen dhe perpunimin e kujtimeve te luftetareve protagoniste, na jep nje tablo te qarte dhe te paanshme mbi Epopebe e Luftes se Vlores. Respekte per gjakun e te reneve. Nderime per trimat qe shkruan me gjak historine e lavdishme te Kombi Shqiptar.

  • Penë ATDHETARI;-Arben Saliu,më të lumtë ajo mëndie atdhetare,komanduar atë dorë brilante,sa na sillni këto PERLA dokumenta origjinale,aqë bindëse,të pjesmarrësve dhe realizuesve,për Luftën Herroike të Vlorës 1920.. Faleminderit dhe komentuesve të më sipërm, BINJAKË mendimesh atdhetare. Falemindrit Kjo na duhet në sa përjetojmë.
    Bir i *Dangëllisë Naimjane;

    *Pasuesi veteran* 84 vjecarr ;
    Tiranë 04-06-2020 Guri Naimit D.

  • Lufta e Vlores eshte nje Epope heroike e popullit LAB.
    Lufta e Labeve ne Gryken e Skerfices kunder pushtuesve greke,eshte nje faqe e lavdishme e popullit Lab.
    20 vjet me vone kurvi Gjirokastres i dergonte Labeve letra ,pusulla kriminale,qe vrane djemurine e Vlores,me shume se vrau Taljani.
    Nuk do te kishte ndodhur kjo po te pyesnin pleqte si ne 1920.

  • Ja ç’thotë poeti, pèr një ndër ata Burra që “bënë dyfek” në Vlorë (kurdoherë!) dhe u përjetësuan, si yjtë, në qiellin e atdhedashurisë sublime:

    “Shkrepi një rrufe, thërrmoi gurin,
    Shkrepi tjetra, lisi u shemb përdhe!
    Kapedan xha Jaho, bëhu burrë,
    Të durosh njëherësh dy rrufe!

    U përpoqën hekuri me strallin,
    Luftë e madhe me gjermanë u ndez.
    Plumbat, njërit bir t’i skuqën ballin
    Tjetrit, kraharorin mes për mes!…”

  • Pershendetje i nderuar Arben!
    Te pergezoj per shkrimin aq te dokumentuar dhe me aq dashamiresi per Epopene e 1920-es, “Behet dyfek ne Vlore”. Nje shkrim qe ben krenar çdo shqiptar per ato sakrifica dhe tipare burrerore qe treguan ata njerez ne mbare vendin, por sidomos Laberia dhe pjese te tjera te Jugut te ketij vendi, ne zbythjen me dinjitet tej ntruallit tone te pushtuesit italian. Kemi nevoje te gjithe kur evokohen ngjarje te tilla epike per nje komb te vogel por me shpirt te madh patriotik e luftarak, i cili ka ditur ne rrethana te caktuara si te bashkohet dhe si te organizohet per te vene ne vend te drejtat e tij, ne pamundesi ndryshe, permes dyfekut. Sikure shkrimi i Juaj po me aq vlere eshte edhe shkrimi i Prof,Dr. Shyqyri Hysit, ku si ne njerin edhe ne tjetrin genden data kuvendesh dhe luftimesh apo dhe emra te shquar si kuvendare ose komandante lufte e luftetare te tjere te shquar ne ate lufte. Mes te cileve gjenden edhe tre nga krahina ime e Deshnices se Permetit,m siç jane (te shkrimi i Profesorit…), Ahmet Kajca, Ali Kame Fratari dhe Ali Bej Kelcyra. Sigurisht, emrat e Selam Musait, Kanan Mazes, Sali Muratit, Sado Koshenes, etj jane te njohur nder dekada.Edhe Ju i nderuar Arben, si pasues i vepres se gjushit tuaj Kapedan Sali Vranishtit (Muratit), me vjen mire (dhe besoj jo vetem mua), qe i qendroni besnikerisht atdhetarizmes, aq i nevojshem per brezat e sotem e te neserm.
    Me kete rast, desha te te them se ne si Krahine kemi nje Shoqate Atdhetare e Kulturore prej 18 vitesh veprimtari dhe nxjerim edhe nje gazete me te njejtin emer, ku nuk kane munguar edhe perkujtimet per ngjarje madhore ne shkalle krahine e rrethi, por edhe ato kombetare, sikurse eshte edhe Lufta e Vlores me 1920. Madje 4 faqe ja kemi kushtuar 100 vjetorit te kesaj Lufte ne gazeten e fundit me numer 76, shkruar nga Dr, Nuri Dragoi, nje emer i njohuri histopriografise se sotme. Ne nje faqe te saj kemi botuar nje poeme mjaft domethenese po per kete qellim nga nje emer tjeter i njohur, Kujtim Mateli. Qe te dy deshnicare. Shkrimi i Nuriut shoqerohet edhe me 69 emra deshnicaresh te dekoruar, si pjesemarres kryesisht ne ate lufte. Si kryetar i kesaj Shoqate dhe drejtor i kesaj gazete, nese ke deshire ta dergoj gazeten me internet, mjafton te me dergosh permes telefonit tim (0692756451) adresen e E-mailit tend. Te pergezoj edhe nje here, jo vetem per kete rast, por edhe per daljet here pas here me shkrime te ketij karakteri. Me respekt, Gezim Voda.

  • Gëzim Voda më Ju lumtë PENA ngrini LART këto BEDENA,..me Arben Saliun, pasardhes i denjë atdhetar!
    Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *