Bekam i jep fund

anazapta

Nuk mund të mbaronte në vend tjetër veçse në Paris. Futbollisti më elegant që e mbyll karrierën e tij në qytetin që për elegancën ka qenë gjithnjë simbol. David Bekam, 38 vjeç, njofton tërheqjen nga futbolli në fund të këtij sezoni. Preston, Mançester Junaited, Real Madrid, Galaksi, Milan dhe PSG janë skuadrat e tij. Dhe më pas Angli (115 pjesëmarrje) ku ka luajtur edhe si kapiten. “Falënderoj të gjithë miqtë e mi, trajnerët mjeshtra që kam pasur dhe tifozët”.

David Bekam është futbollisti që u bë markë. Divi u martua me ish-“Spice Girls”, Viktoria Adams, duke u

kthyer kështu në një “Spice Boy”. Beksi është një markë. Është stil. Është ikonë. Përfshihet në listën e 100 personave me më shumë ndikim (Forbes 2008) dhe në atë të 100 personazheve të vitit (Time, 2004). Një makinë parash. Një person që në moshën 38-vjeçare fiton 46 milionë dollar, prej të cilave 37 falë sponsorëve. Një njeri pasuria e të cilit vlerësohet në 260 milionë dollar.

Marketing, por jo vetëm. Karriera e tij flet qartë: 6 kampionate angleze, 2 kupa të Anglisë, 1 ligë, 1 Superkupë e Spanjës, 2 kampionate amerikane, 1 kampionat francez, 1 Ligë e Kampionëve dhe 1 Kupë Ndërkombëtare. Vitet më të mira të tij ishin ato me Mançester Junaitedin (1993-1995 dhe 1995 – 2003) në oborrin e Sër Aleks Fergusonit. Në të djathtë të një formacioni 4-4-2 që ka bërë histori.

Pastaj, më 13 shkurt 2003, pas një ndeshje për Kupën e Anglisë të humbur kundër Arsenalit, Ferguson e gjuan me një këpucë në dhomat e zhveshjes duke e qëlluar në fytyrë. Marrëdhënia me Mançesterin përfundon këtu. Në fund të sezonit vjen kalimi tek Reali para përvojës me Los Anxhelos Galaksi, Milan dhe PSG. “Ndiej se tani është çasti i duhur për t’i dhënë fund karrierës sime në nivel të lartë”, shpjegon. I njëjti çast, ndoshta fat i shkruar, i zgjedhur edhe nga ish-trajneri i tij.

(Arlinda Gjypi)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *