Një Belgjikë me dy fytyra, arrin të fitojë me shumë vështirësi me Algjerinë dhe lë shumë pikëpyetje për vazhdimësinë në këtë Botëror, edhe pse konsiderohet një prej përfaqësueseve që mund të bëjë surprizën në Brazil 2014. “Djajtë e kuq” pas një pjesë të parë zhgënjyese arritën të përmbysnin avantazhin e algjerianëve falë cilësisë së lojtarëve të stolit, që ndryshuan rrjedhën e lojës pas minutës së 65. Asnjë minutë në këmbë për Adnan Januzajn, që duhet të presë sfidat e ardhshme për të qenë protagonist në fushën e blertë me Belgjikën në këtë Botëror.
Ndeshja në Estadio Mineirao të Belo Horizontes nisi me ritëm të ulët, për faktin se skuadrat dëshironim më parë të njihnin lojën e njëra-tjetrës. Mark Wilmots i kishte besuar skemës 4-2-3-1, me sulmuesin e Chelsea-t, Romelu Lukaku më të avancuar i mbështetur nga Hazard, De Bruyn dhe Chadly. Ndërsa trajneri i frikano –veriorëve Vahid Salihodzic iu kundërpërgjigj me një rreshtim mbrojtës 4-3-2-1, për të mos i lënë hapësira kundërshtarit në 30 metrat e fundit. Për të parë rastin e parë të rrezikshëm duhej të kalonin 20 minuta lojë. Në fakt ishte një goditje e fortë nga distanca e Witssel, që u grushtua pa asnjë problem nga Rais Mbohli. Vetëm dy minuta pas këtij momenti mbrojtja belge gabon rëndë duke shkaktuar një 11-metërsh me Vertongen, i cili mbajti me duar në zonë mesfushorin e Valencias Feguli që po bëhej gati të godiste pas një harkimi nga e majta. Ishte vetë 24-vjeçari që mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, me Courtois që nuk e gjeti krahun e topit. Pas 28 vjetësh, që nga Meksikë 1986, Algjeria prish agjerimin me 6 ndeshje pa shënuar. Belgjika e shokuar nga goli i algjerianëve në rastin e parë që iu paraqit u mundua të reagonte, por tentativat e Witsel, Vertonghen dhe Chadli ishin shumë pak për të barazuar shifrat në pjesën e parë.
Wilmots e nisi me një ndryshim fraksionin e dytë, teksa në vend të Chadli hodhi në fushë Mertens, prania e të cilit shkaktonte panik në mbrojtjen e Algjerisë. Në të 57 Vilmost bëri lëvizjen e dytë në vend të Lukakut aktivizoi Origi për t’i dhënë më shumë dinamikë lojës sulmuese, ndërsa në të 65 kreu edhe lëvizjen e fundit me Fellaini që zëvendësoi Dembele. Pikërisht një minutë pas ndërrimit te tretë, Origi dështoi të vinte baraspeshën përballë Rais Mbohli, që iu desh të ndërhynte me këmbë për të shmangur golin. Mirëpo portieri algjerian nuk mund të bënte asgjë në të 70, kur Fellaini e dërgoi në rrjetë me një goditje të bukur me kokë pas krosimit të De Bruyne. 10 minuta më pas një kundërsulm i shpejtë i belgëve përmbyllet me gol nga Mertens, që u asistua nga Hazard. Edhe në këtë rast ishte një lojtar i ardhur nga stoli që ndëshkoi Algjerinë duke i dhënë të drejtë trajnerit Wilmots për zëvendësimet e kryera që në fillim të pjesës së dytë. Të çliruar tashmë psikologjikisht të besuarit e Wilmots për pak shënuan golin e tretë me Fellaini, (84) goditja e të cilit u devijua me vështirësi mbi tra nga Mbolhi.
