Tre vende të tjera europiane kanë njoftuar lehtësimin e masave kufizuese të marra në kuadër të parandalimit të përhapjes së Covid-19. Kjo lëvizje e tyre vjen kryesisht për shkak të uljes së rasteve të identifikuara me variantin Omicron.
Belgjika
Belgjika ka njoftuar që do të vazhdojë me politikën e saj të lehtësimit të kufizimeve të Covid-19. Nisur nga rënia e rasteve të Omicron kryeministri Alexander De Croo ka lajmëruar që nga e premtja e ardhshme do të rihapen klubet e natës.
“Valët e njëpasnjëshme nuk kanë qenë të lehta për ne,” tha kryeministri Alexander De Croo në një konferencë për shtyp, duke iu referuar rritjeve të njëpasnjëshme të rasteve me variantet Omicron dhe Delta. “Por ne i kemi kaluar ato së bashku.”
Baret do të lejohen të zgjasin orët e hapjes përtej kufirit aktual të mesnatës dhe të heqin kufizimin e numrit të klientëve për tavolinë. Qasja në ambiente të brendshme do të bazohet kryesisht në një leje për Covid, që tregon vaksinimin ose një test Pcr të 48 orëve të fundit ose shërim nga virusi.
Islanda
Islanda do të lehtësojë disa kufizime për Covid-in në fundjavë. Ndërkohë në fund të muajit do të heqë të gjitha masat ekzistente.
Nga mesnata e së shtunës, kufiri i numrit të personave që lejohen të mblidhen në publik do të rritet nga 50 në 200 dhe qendrat sportive dhe vendpushimet e skive do të lejohen të funksionojnë me kapacitet të plotë, njoftoi qeveria.
Baret, restorantet dhe diskotekat do të lejohen të qëndrojnë të hapura deri në orën 1 të mëngjesit. Më pas, nga 25 shkurti, pjesa e mbetur e kufizimeve të pandemisë do të hiqet, duke përfshirë kufirin në numrin e turmës dhe detyrimin për të mbajtur maskë, për sa kohë që nuk shfaqet asnjë variant i ri virusi dhe numri i rasteve nuk e kapërcen sistemin shëndetësor të vendit.
Spanja
Spanja njoftoi se do të lehtësojë kërkesat në kufi dhe fëmijët mbi 12 vjeç nga vendet jo anëtare të BE nuk kanë më nevojë të jenë të vaksinuar plotësisht.
Qeveria spanjolle njoftoi se do të lehtësojë rregullat e udhëtimit nga e hëna, gjë që do të jetë një nxitje për pushuesit britanikë që planifikojnë të shkojnë jashtë vendit në gjysmën e muajit shkurt.
Fëmijët e moshës 12 deri në 17 vjeç tani do të mund të vizitojnë vendin duke treguar një test negativ PCR të kryer brenda 72 orëve nga mbërritja në Spanjë. Të gjithë udhëtarët e tjerë nga Mbretëria e Bashkuar do të duhet të paraqesin një certifikatë Covid që tregon prova se janë vaksinuar plotësisht të paktën 14 ditë para mbërritjes në Spanjë. Nëse kanë kaluar më shumë se 270 ditë që nga aplikimi i dozës së fundit, kërkohet gjithashtu e një injeksioni përforcues.
a.m/dita
