Belgjika thyen edhe Rusinë dhe siguron kualifikimin

anazapta

Grupi H ka një lider dhe ajo është Belgjika. “Djajtë e Kuq” mundën 1-0 Rusinë me një gol në fund të Origit duke marrë një tjetër sukses ndaj lindorëve, që në historinë e tyre kurrë nuk kanë mundur të fitojnë ndaj belgëve. Skuadra e Wilmots triumfoi sepse e kërkoi atëherë kur duhej suksesin, ndërsa Rusia u shfaq një skuadër pa shumë ide dhe me një futboll mbrojtës, duke qenë ndoshta praktikuesja e fundit e tij mes të mëdhave të lojës. Dy ekipet luanin për herë të parë në “Maracana” në historinë e tyre dhe në fillim u përpoqën të respektonin madhështinë e këtij impianti duke e nisur në sulm takimin. Në minutën e 4-t ishte Mertens që dha sinjalin e parë për Belgjikën ndërsa në të 12-n Fayzulin goditi nga distanca duke gjetur gati Courtois, që tregoi se e kontrollon mirë katërkëndëshin e tij.

Ekipi i Wilmots cilësohet si një prej përfaqësueseve me talentet më të mëdha në këtë kompeticion dhe në të 14-n, Kevin De Bruyne u shfaq magjik me driblimet e tij përpara se të shërbente për Mertens që e ekzagjeroi me altruizëm duke kërkuar Lukakun ndërkohë që mund të godiste dhe vetë. Mertens ishte sërish protagonist dhe në minutën e 22-të kur kërkoi sërish portën por nuk e gjeti atë, me topin që përfundoi mbi traversë. Në të 36-n, Akinfeev lau pjesërisht “mëkatet” e ndeshjes së parë me Korenë e Jugut teksa reagoi mirë pas një tjetër përpjekje të mesfushorit të Napolit.

Pjesa e parë që ishte dhe më dëfryese sa i takon rasteve u mbyll me një goditje me kokë të Kokorin, që gjithsesi vetëm sa e afroi Rusinë te goli pasi nuk mundi ta gjente atë. Fraksioni i dytë i lojës përgjumi të pranishmit në “Maracana”, me dy skuadrat që krijuan raste me pikatore, aq sa portierët ishin pothuajse vizitorë në fushë, të paktën deri në 10 minutat e fundit ku fati i kësaj ndeshjeje ndryshoi nga stoli. Në të 57-n, Wilmots nxori jashtë Lukakun, që zhgënjeu për të dytën ndeshje radhazi. Vendin e tij e zuri Origi, i cili do të rezultonte deçiziv në këtë përballje. Rusët prodhuan më shumë volum, por të vetmet raste për t’u përmendur ishin ato të minutës së 73-të, ku goditi jo saktë me kokë Ignaschevich dhe ajo e minutës së 81-të, me Yeschenkon që u përpoq të gjente me goditjen e tij këndin e largët të portës.

Belgjika nga ana e saj u zgjua në minutën e 84-t me një goditje dënimi të Kevin Mirallas, e cila u ndal në shtyllë. Pa fat ishte dhe Hazard në minutën e 86-të që pa goditjen e tij të devijohej teksa ishte nisur me destinacion rrjetën. Por fati nuk mund të të përkrah gjithmonë, dhe rusët që vuajtën Belgjikën në minutat e fundit e pësuan në të 87-n, nga Origi që çoi peshë belgët.

Rezultati nuk ndryshoi më deri në fund, me Belgjikën që fitoi duke siguruar dhe kalimin në raundin tjetër, ndërsa për rusët e Capellos, Botërori deri tani nuk po rezulton aq i bukur saç ata e kishin menduar, ku përveç rezultateve po mungon dhe loja.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *