Një 67-vjeçare i besoi navigatorit të makinës dhe përfundoi gabimisht nga Belgjika në Kroaci. Gruaja ishte nisur për të pritur një mik te stacioni i trenit në Bruksel, por orientimi i gabuar i navigatorit e çoi në Zagreb. Kur në fund u vetëdijësua që kishte udhëtuar për 2 ditë, ajo u shpreh se kishte qenë e ‘hutuar’ gjatë gjithë rrugëtimit
Anekdotat e zakonshme për gratë në timon shpesh teprohen. Madje ndonjëherë arrijnë në kufijtë e fyerjeve dhe nuk kanë se si të mos bezdisen gratë shofere pastaj. Megjithatë, si në të gjitha stereotipet, edhe këto rrëfime kanë një bazë reale dhe historia e Sabinë Moreau e vërteton këtë.
U nis nga nga shtëpia e saj në pjesën veriore të Brukselit për të shkuar në stacionin e trenit, ku do priste një mik. Por 67-vjeçarja përfundoi në Zagreb të Kroacisë. U tradhtua nga navigatori i makinës së saj, i cili e udhëzoi që të përshkonte jo 80 kilometrat e nevojshme për të mbërritur në stacion, por 1450 të tilla, duke kapërcyer kështu tri shtete brenda 2 ditësh.
Sabinë u shpreh për të përditshmen finlandeze “Nieuwblad” se ishte një tip që shpërqendrohej shpesh. Në fakt, të gjithëve mund t’u ketë ndodhur të paktën një herë që të ngatërrojnë daljen e një autostrade, ngaqë mund të mos e kenë pasur mendjen, ose sepse kanë qenë të zhytur në ndonjë kujtim të bukur, por të udhëtosh për më shumë se dy ditë pa e vënë re kohën dhe vendet ku kalon, duket e pabesueshme.
“Caktova adresën në navigator dhe fillova të ngas makinën, ndoqa me përpikmëri drejtimet që më tregonte. Në fakt, navigatori më orientoi që të devijoja disa herë rrugën, sepse në të shenjohej se disa kalime ishin të mbyllura”, tha gruaja, e cila vazhdoi të drejtonte makinën ‘pa u menduar’.
Përgjatë udhëtimit, Sabinë ndaloi disa herë për t’u furnizuar me naftë dhe gjithashtu për të pushuar tek-tuk në anë të rrugës, madje u përfshi edhe në një aksident të vogël, por duke qenë se nuk u lëndua, vijoi përpara me shpresën se do të mbërrinte në stacion. “Isha e hutuar, por vazhdova t’i jap makinës. Kam parë çdo lloj sinjali rrugor. Në fillim ishin në gjuhën franceze, pastaj në gjermanisht dhe në fund në gjuhën kroate, por nuk e ndërpreva rrugëtimin, sepse isha e hutuar. Kur e gjeta veten në Zagreb e kuptova që kisha udhëtuar ‘pak më shumë’ nga ç’duhej dhe nuk ndodhesha më në vendin tim, në Belgjikë”, tha Sabinë për “Nieuwblad”.
Historia e kësaj zonje sigurisht që mund të jetë shumë dëfryese, por ishte një person i cili nuk u argëtua aspak: i biri i 67-vjeçares, që duke mos e parë të ëmën që të kthehej në shtëpi për 2 ditë, lajmëroi policinë rajonale.
Somario: Isha e hutuar, por vazhdova t’i jap makinës. Kam parë çdo lloj sinjali rrugor. Në fillim ishin në gjuhën franceze, pastaj në gjermanisht dhe në fund në gjuhën kroate, por nuk e ndërpreva rrugëtimin