Shitja e HEC-eve, për mënyrën si u bë, do të jetë me pasoja për buxhetin dhe sektorin e energjetikës. Kështu shprehet Pajtim Bello, ekspert i energjetikës, në lidhje me vendimin e që maxhoranca mori dje në Kuvend për privatizimin e katër HEC-eve.
“Privatizimi i këtyre HEC-eve nuk do ta rrisë prodhimin e energjisë dhe as nuk do të sjellë ndonjë burim financiar për investime në sektorin e energjisë elektrike. Rezultati i këtij privatizimi do të jetë një barrë shtesë për buxhetin e shtetit dhe një përfitim i blerësit të mundshëm të hidrocentraleve. Fitimi do të jetë i garantuar sepse që në ditën e parë të firmosjes së kontratës së shitjes së hidrocentraleve, blerësi ndryshoi vetëm numrin e llogarisë së shoqërive të privatizuara. Ky privatizim do të japë efekt negativ në tërësinë e sistemit elektrik të vendit. Dobësimi financiar i KESH-it do të reflektojë në përkeqësim të situatës financiare dhe tek prodhuesit e rinj të energjisë elektrike”, tha Bello në një intervistë për gazetën Shqiptarja.com.