Pas një sezoni në “Championship”, Newcastle i drejtuar nga tekniku i njohur Rafa Bentiez është rikthyer të luajë në “Premier League”.
Në javën e parë skuadra e sapongjitur është përballur me londinezët e Totenham të cilët fituan me rezultatin 0-2.
Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochetino e nis me këmbën e mbarë kampionatin në ndeshjen e luajtur në transfertë, por gjithsesi hasi vështirësi për të marrë trepikëshin e parë.
Pas pjesës së parë të mbyllur pa gola, Newcastle në fillimin e së dytës ndëshkohet me të kuqe pas një veprimi anti-sportiv të Shelvey.
Po të mos kishte qenë për këtë karton të kuq ka shumë mundësi që takimi të ishte mbyllur në barazim 0-0.
Në fakt, rasti i parë i rrezikshëm i ndeshjes është krijuar nga vendasit, që kanë shkuar afër golit pak minuta pasi kishin mbetur me dhjetë lojtarë. Kanë qenë reflekset e Lloris që kanë shpëtuar Tottenham në minutën e 52-të.
Goli që ka zhbllokuar takimin ka ardhur nëntë minuta më vonë dhe është realizuar nga talenti i futbollit anglez, Del Alli, me këtë të fundit që ka shënuar fluturimthi pas një pasimi perfekt të Erikssen, që është lojtari që ka dhënë më shumë asiste në Premier League nga sezoni 2015/16.
Ndeshja është mbyllur përfundimisht në minutën e 71-të, kur Davies ka realizuar golin e dytë për miqtë.
Ndërkohë, Harry Kane, golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar, vazhdon të ketë probleme në muajin e gushtit.
Në fakt, kjo ka qenë ndeshja numër 11 e luajtur nga ai në këtë muaj që është mbyllur pa gol.
