Real Madridi është gati të heqë dorë nga Karim Benzema për të transferuar sulmuesin e talentuar të bardhekuqve, Kylian Mbappé. 18-vjeçari është ëndrra më e madhe e kësaj vere për klubet elitare të Evropës, si Manchester City, PSG, Arsenal apo Barcelona, por duket se në fund garën e ethshme do ta fitojnë madrilenët.
Sipas asaj që shkruan “The Sun”, Florentino Perez është në presion, sepse zgjedhjet presidenciale së fundmi i fitoi duke premtuar një “galaktik” të radhës. Kështu, me shitjen e Alvaro Moratës dhe Danilos (drejt zyrtarizimit) paratë e investimit janë siguruar, por për të bindur Monaco-n, e cila deri tani ka bërë qëndresë absolute ndaj çdo oferte, kampionët e Evropës mund të përfshijnë francezin në marrëveshje.
Kylian Mbappé është “moda e verës” në futbollin evropian
Kjo, padyshim, do ta ulte shifrën që Real Madridi do të paguajë. Në kryeqytetin spanjoll duhet thënë se problemi nuk është aspekti ekonomik, por ai sportiv.
Cristiano Ronaldo praktikisht është kthyer në sulmues qendre, kështu që Mbappé mendohet të jetë sulmuesi i majtë i ardhshëm i skuadrës, përndryshe nuk do të kishte vend në formacion.
Trajneri Zinedine Zidane i ka dhënë sinjalet e para për një “flirt” me djaloshin. “Kylian është një lojtar shumë i mirë. Ka një personalitet të madh dhe më ka pëlqyer ajo që tregoi sezonin e kaluar.
Nuk është lojtari im, kështu që nuk mund të them më shumë”, – është shprehur ai së fundmi. Shuma që Monaco kërkon për “diamantin” e saj raportohet të jetë 190 milionë euro, por marrëveshja pritet të arrihet për 120-130 milionë euro. Pra, një rekord në historinë e futbollit.
