Beogradi kundërshton dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese

Saimir Lleshi

Vendimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ka alarmuar Beogradin.

Autoritetet serbe kanë kërkuar menjëherë ndërhyrjen e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në bisedimet e Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u ka thënë mediave serbe se prej Prishtinës gjithçka mund të pritet, dhe në këtë rast, sipas tij, bëhet fjalë për një lajm shumë të keq.

“Mendoj se bëhet fjalë për një sjellje të papritur dhe thënë me fjalët më të buta, sjellje të papërgjegjshme”, ka thënë Vuçiç.

Në Bruksel, ka vijuar Vuçiç, është negociuar me muaj dhe janë bërë shumë kompromise kurse pjesa më e madhe e marrëveshjes ka të bëjë me Asociacionin e Komunave Serbe.

“Nënshkrimi im në këtë marrëveshje nënkupton diçka. Nënshkrimet e kujtdo qofshin nga Serbia për mua nënkuptojnë diçka, kurse për ta, përfaqësuesit e Prishtinës, nënshkrimet nuk do të thonë asgjë. Ata e morën këtë vendim një ditë pasi që nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, ka theksuar ai.

Ai ka qenë i ashpër edhe në raport me Brukselin duke thënë se tashmë janë bërë rutinë deklaratat e zyrtarëve evropianë se mund të ketë shtyrje për një muaj dhe prapë procesi do të kthehet aty ku ishte.

“Çështja këtu është se si dhe në çfarë mënyre t’i bëni serbët që të heshtin, të bëhen budallenj apo të shtiren si të marrë dhe ky është krejt thelbi i tregimit”, ka deklaruar Vuçiç./Rel/

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *