Beogradi nuk e ka pritur mirë shpalljen si të pafajshëm të Ramush Haradinajt dhe dy të akuzuarve të tjerë për tortura ndaj të burgosurve.
Zëdhënësi i Qeverisë së Serbisë, Millivoje Mihajlloviç, është shprehur sot se vendimi i Gjykatës së Hagës për të liruar ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj, “është i turpshëm”.
“Kjo është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Mihajlloviç për mediat serbe.
Sipas tij, me këtë vendim “do të zhgënjehen të gjithë ata që mendojnë se do të ketë pajtim në rajon”.
Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, më 1998”.